Përplasja e universiteteve me qeverinë, e nisur që muajin dhjetor nga studentët përmes protestave masive ka marrë tjetër kahje.
Teksa këta të fundit kanë firuar ndjeshëm, duke e tkurrur rezistencën universitare brenda ambienteve të një fakulteti, janë pedagogët tashmë ata që kanë ngritur krye. Akuzat e përsëritura në drejtim të pedagogëve që mbështesnin studentët protestues, vendimet e qeverisë në dhjetorin e vitit që shkoi bashkëngjitur dhe problematikave që ka shfaqur ligji i arsimit të lartë që prodhoi kjo qeveri kanë shqetësuar jo pak trupën akademike.
“Lufta” u bë e hapur afro dy javë më parë, kur Kryeministri Edi Rama tha se shqetësimi real i tyre është vetingu i titujve e gradave, duke i akuzuar se refuzojnë të japin mësim me qëllim që qeveria të tërhiqet. Së fundmi, është senati akademik i Universitetit të Tiranës, që, pas një vlerësimi të detajuar, ka cilësuar vendimet e dhjetorit antikushtetuese dhe antiligjore. Për këtë, pedagogët janë gati të futet në grevë. Vendimi i tyre ka lënë peng prej ditësh edhe të ngujuarit te Drejtësia, në pritje për ta çuar një hap më tej bojkotin, drejt grevës së urisë. Edhe pse i mbështesin për shkak të kauzave thuajse të njëjta, pedagogët e shohin protestën e tyre komplementare, por jo e njëjta gjë.
ÇFARË DUAN PEDAGOGËT
Sikundër studentët, pedagogët e Universitetit të Tiranës kanë listuar pesë kërkesa në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Pedagogëve, grupim ky që as nuk u njoh nga qeveria, aq më pak, vendimet e dala prej saj. Në themel të saj janë VKMtë e dhjetorit dhe një ligj i ri për arsimin. Për të dyja këto është kërkuar fillimisht që qeveria të shprehë vullnetin për të bërë atë që kërkojnë pedagogët, shfuqizimin e tyre për shkak të cenueshmërisë së autonomisë universitare dhe lirive akademike, aq shumë të kërkuara. Po ashtu, trupa akademike nuk kërkon paga më të mira, por rritje të buxhetit për arsimin e lartë publik, përkthyer kjo në më shumë para për investime në kurrikula e kërkimin shkencor. Kërkesa e fundit e tyre, por jo më pak e rëndësishme është statusi i pedagogut. E vetmja gjë që besojnë se mund t’i mbrojë edhe nga vetë Kryeministri. Akuzat e njëpasnjëshme në çdo dalje publike kanë bërë që në çdo mbledhje asambleje të fakulteteve, të shprehura me vendime, të kërkohet me insistim ndalimi i çdo përbaltjeje dhe denigrim i tyre.
ÇFARË DUAN STUDENTËT
Tetë pika të miratuara me vendim qeverie. As më pak, e as më shumë. Teksa qeveria këmbëngul se me “Paktin për universitetin” iu ka dhënë përgjigje atyre kërkesave e madje shumë më tepër se aq, studentët thonë se qeveria ka plotësuar pjesërisht vetëm disa prej tyre. Thelbi i bojkotit nga studentë e pedagogë njëkohësisht, që vijon në dy fakultete, Histori-Filologjia dhe Shkencat Sociale janë paratë. Përgjysmim tarifash edhe për nivelin e dytë të studimeve dhe rritje të investimeve në fakultete e konvikte. Rezistenca është shtrirë dhe në rrethe. Ndërsa në të tjera universitete ngujimi përfundoi kur sapo kishte nisur, Universiteti i Shkodrës vijon të qëndrojë pas shumë përpjekjesh nga rektorati për të shuar zjarrin e protestës.