Pas pezullimit nga detyra të rektorit Mynyr Koni nga ministrja e Arsimit Besa Shahini e cila kërkoi nga presidenti Ilir Meta shkarkimin e tij, është komanduar ditën e sotme zëvendësuesi i tij në detyrë.
Ai është Bernard Dosti aktualisht zëvendës rektor në Universitetin e Tiranës dhe do të mbajë këtë pozicion deri në përfundim të çështjes dhe dhënies së vendimit të formës së prerë.
Ndërkohë që presidenti Meta nuk ka marrë ende vendimin për shkarkimin e tij.
Në deklaratën e saj për mediat, ministrja Besa Sahini njoftoi se pezullimi i tij vjen për shkak se nuk ka reaguar pas kërkesave të studentëve,për plotësimin e tyre.
Ndërkohe, studiuesi Taulant Muka ka publikuar një rast plagjature e cila mban emrin e zv/rektorit Dosti. Në 10 gusht të vitit 2018 në Ora News, studiuesi ka bërë publik këtë rast duke thënë se materiali është publikuar në vitin 2012 në Revistën shqiptare social ekonomike.
“Është një material i kopjuar 100% nga një tekst i huaj. Aty përveç plagjaturës ka edhe probleme të tjera. Ai nuk i ngjan një artikulli shkencor. Artikulli shkencor për atë që e njeh shkencën ka strukturën e vet, duke filluar nga hipoteza, metotologjinë, rezultatet dhe diskutimi”, ka thënë Muka në atë periudhë.
Ndërkohë që ditën e sotme përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook, ka shprehur indinjatën e tij për vendosjen e Dostit në krye të kësaj detyre.
“Besa Shahini, nuk e di çfarë emri t’i vë veprimit të fundit që sapo ke ndërrmarë. Shkarkon Mynur Koni dhe emëron rektor Bernard Dosti me publikime plagjiaturë! Ku është standardi që vendos Besa? Z. Dosti është denoncuar publikisht për artikull plagjiaturë (me bashkautor ish zv/ministrin e Arsimit Ervin Demo) në Ora News. Madje ka një kërkesë të z. Koni për verifikimin e plagjiaturës së z. Dosti, por që është penguar si veprim nga Dhori Kule. Ky është standardi i Ministrisë së Arsimit, lartësoni hajdutët inteletual për të shkatërruar arsimin dhe të ardhmen e të rinjve”, ka thënë studiuesi, Talulant Muka.