Nga Prof. Ani Velo
Departmenti i Matematikës, Universiteti i San Diegos
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë, dua të përfitoj nga rasti t’i inkurajoj të fillojnë të studiojnë sa më herët, më mirë e më tepër matematikë në veçanti, e shkenca në përgjithësi.
Si çdo investim, sa më herët e më gjatë të bësh matematikë, aq më të mëdha janë arritjet e aq më tepër do të të pëlqejë.
Matematika është universale e të hap dyert për çdo drejtim që të marrësh në jetë. Matematika gjendet kudo: në natyrë, art e inxhinieri, shkencë e teknologji, muzikë e biznes, sport e mjekësi, lojëra, strategji e arkitekturë, politikë, juridik, zgjedhje elektorale, media sociale e të tjera.
Matematika është gjuhë internacionale. Përgatitja matematikore që mora nga Universiteti i Tiranës ma lehtësoi pa masë tranzicionin nga Shqipëria jashtë shtetit, jo vetëm mua, por edhe familjes time.
Matematika të siguron pavarësi ekonomike. Profesionet më të kërkuara e të sigurta nga ana ekonomike kanë në bazë matematikën. Kujtoni fabulën e famshme nga Karnavalet e Korçës, “Jeta është aritmetikë, Olimbi!” Jeta është aritmetikë!
Matematika të përgatit për jetën. Çdo ditë, në jetë e në punë dalin probleme të ndryshme. Zgjidhja e problemeve në mënyrë logjike të bëhet natyrë e dytë kur bën matematikë dhe të jep besim në forcat e tua. Vështirësitë që të dalin kur bën matematikë janë normale, siç janë edhe në jetë.
Matematika është shumë imagjinative. Përveç aplikimeve të saj, si një libër fiction, matematika me abstraksionin e vet të shkëput nga realiteti i sotëm e të lidh me realitetin e ardhshëm.
Siç ka thënë Galileo Galilei, “Matematika është gjuha me të cilën Zoti ka shkruar Universin”.