Sot ulen çmimet e barnave të rimbursimit, kategoritë që përfitojnë

Aktualitet Sociale

Ulja e çmimit të barnave të rimbursimit do të shoqërohet jo vetëm me shtimin e alternativave të reja të medikamenteve që do të jepen falas, veçanërisht ato për trajtimin e sëmundjeve tumorale dhe atyre kronike, por edhe me zgjerimin e përfituesve që do të trajtohen me këto barna, pavarësisht faktit nëse janë të siguruar apo jo.

Konfirmimi është bërë gjatë ditës së djeshme nga vetë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirli, teksa ka detajuar risitë që mbart vendimi i qeverisë për uljen me 5 për qind të çmimit të barnave të rimbursimit duke nisur nga dita e sotme (1 mars).

Për të siguruar ofrimin në kohë dhe me cilësi të shërbimit ndaj qytetarëve, autoritetet e dikasterit të shëndetësisë bëjnë me dije se janë njoftuar në kohë të gjitha subjektet farmaceutike, që kanë kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për marrjen e të gjitha masave të nevojshme, për reflektimin e çmimeve të reja të barnave.

“Vendimi i Qeverisë për indeksimin e indeksimin e çmimeve për barnat e listës së rimbursueshme do të ketë një efekt kursimi të fondeve buxhetore, prej 7.5 mln dollarë, të cilat do të përdoren për zgjerimin e listës së barnave falas”, theksoi ministrja Manastirliu.

Çka përcakton se do të rritet numri i qytetarëve, të siguruar apo të pasiguruar, fëmijë apo të moshuar, persona me aftësi të kufizuar apo në ndihmë ekonomike, që do të trajtohen falas nga skema e rimbursimit të barnave. Në sajë të këtyre ndryshimeve do të përfitojnë barnat e rimbursueshme pa pagesë 498 mijë qytetarë, përfshirë edhe të pasiguruarit.

Aktualisht po punohet edhe për hartimin e listës së re të rimbursimit të barnave për 2019, ku parashikohet të shtohen një sërë medikamentesh të reja. Teksa ka detajuar risitë e vendimit të uljes së çmimit të barnave, ministrja Manastirliu theksoi gjithashtu se do të rriten përfitimet nga skema e rimbursimit për qytetarët, nëpërmjet marrëveshjeve të reja që po negociohen për zgjerimin e mbulimit me barna. “Siç realizuam për herë të parë mbulimin 100 për qind për trajtimin falas me Herceptinë për gratë me tumor të gjirit nëpërmjet marrëveshjeve të posaçme, do të vijojmë edhe këtë vit në listën e re të barnave për vitin 2019 realizimin e marrëveshjeve të reja të posaçme, për të siguruar një mbulim më të gjerë për sëmundjeve kronike dhe tumorale”, tha ministrja Manastirliu.

Ndërsa ekspertët e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, bëjnë me dije se dhe për listën e re, masa e rimbursimit të çdo medikamenti do vijojë të kushtëzohet nga kategoria në të cilën bën pjesë pacienti. Çka do të thotë se edhe për 2019, shkalla e rimbursimit do të jetë e plotë, ose e pjesshme. Megjithatë, në asnjë rast nuk mund të jetë më e ulët se sa 50 për qind e vlerës së ilaçit përkatës.

“Masa e rimbursimit të barnave do të jetë e përshkallëzuar nga 50 deri në 100 për qind të çdo medikamenti. Mbulohen në masën 100 për qind, barnat e listës për fëmijët 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët, për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës. Përfitimi me rimbursim në masën 100 për qind i këtyre barnave shkon edhe për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, sklerozë multiple, talasemisë major. Ndërsa për pjesën tjetër, barnat do jepen me rimbursim të pjesshëm, por jo më pak se 50 për qind të çmimit. Por, në çdo rast për të përfituar këto barna, pacientët duhet të jenë pajisur më parë me recetën e rimbursimit nga mjeku i tyre i familjes”, bëjnë me dije specialistët e Fondit.

Vlefshmëria e Kartës së Shëndetit sipas grupeve përfituese

Për të përfituar shërbimet shëndetësore nga skema e sigurimeve shëndetësore, duhet të pajiseni me kartën e shëndetit, duke u paraqitur pranë pikave të shpërndarjes së kartave të shëndetit në Tiranë, apo pranë drejtorive rajonale të Fondit në rrethe.

Për tu pajisur me kartë shëndeti, personi i siguruar mund të aplikojë online, pranë faqes www.e-Albania.al. Karta e shëndetit është mjeti që identifikon të siguruarit dhe me anë të saj përfitohen shërbimet shëndetësore të skemës së sigurimeve shëndetësore në të gjitha nivelet.

Pra, nëse jeni pensionistë, invalidë, veteranë, të punësuar, të vetëpunësuar, të siguruar vullnetarisht, fëmijë, gra shtatzëna, persona që trajtoheni me ndihmë ekonomike, punëkërkues etj, me anë të kartës së shëndetit mund të përfitoni nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke filluar nga recetat e rimbursueshme, shërbimi te mjeku i familjes, te mjeku specialist, në qendrat spitalore, pra në të gjithë sistemin tonë shëndetësor publik.

Ndërsa shtetasit e huaj dhe shtetasit pa shtetësi të cilët janë të siguruar sipas legjislacionit shqiptar pajisen me kartë shëndeti vetëm në pikat e caktuara për këtë qëllim pranë zyrave të Drejtorive Rajonale/Degëve të Fondit duke paraqitur: dokumentin e identifikimit, lejen e qëndrimit/leja provizore e qëndrimit e lëshuar nga autoriteti vendor për kufirin dhe migracionin dhe/ose lejen e punës.

Përfitimet nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor përfshijnë:

  • Vizitat mjekësore pa pagesë në institucionet shëndetësore publike, që financohen nga sigurimi shëndetësor dhe në respektim të sistemit të referimit.
  • Vizitën falas në banesë – kur gjendja shëndetësore e të sëmurit nuk mundëson paraqitjen në institucionin shëndetësor.
  • Ekzaminimet mjekësore në institucionet shëndetësore publike.
  • Trajtimet mjekësore pa pagesë në spitalet publike.
  • Shërbimet e paketave shëndetësore në institucionet shëndetësore private të kontraktuara me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësorë.
  • Rimbursimi i plotë ose i pjesshëm i barnave të Listës së Barnave të Rimbursueshme në varësi të kategorisë.
  • Më konkretisht për barnat, personat e siguruar, ose nuk paguajnë fare ose kanë një pagesë të pjesshme që shkon deri në 50 për qind të çmimit të barnave, por jo më shumë.
  • Kategoritë si: pensionistë, invalidë të plotë, fëmijë 0 – 12 muaj, të sëmurë me CA, TBC, të verbër përfitojnë falas alternativën e parë të çdo bari të përfshirë në listë.
  • Kategoritë si: veteran dhe invalidë të luftës, përfitojnë falas në masën 100 për qind të gjitha barnat e listës së rimbursueshme, si dhe të gjitha barnat e tjera të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.
Share: