Zaret e rëndë të hapjes

Analizë Opinion

Nga Fatos Çoçoli

Hapja, edhe pse e ndrojtur dhe graduale, arriti të na kthejë në jetën gati normale. Por me hapjen tonë aspak të stilit perëndimor, pa protokolle sigurie të respektuara rreptësishtë, ne  harruam vetëdisiplinimin e kohës së mbylljes. Harruam atë kod të fshehtë të vetëdijes që na mbylli në shtëpi pa qenë nevoja për të dëgjuar sirenat paralajmëruese të makinave të policisë dhe ushtrisë. Harruam kërkimin me ngulm nga gati të gjithë ne, të distancës siguruese me njerëzit që nuk i njihnim nëpër rrugë. Madje edhe me ata që i njihnim, apo dhe me vëllezërit, motrat apo kushërinjtë tanë. Kjo vetëruajtje funksionoi si me magji në mars dhe prill dhe na shpëtoi si popull. Tani hapja po na luan një rreng të keq. Na trullosi me shijen e lirisë së të ecurit, të sjellit normal dhe të takuarit(madje dhe të përqafuarit me mall) të miqve, shokëve dhe të njohurve pa u ruajtur më. Dhe dogjëm gati çdo barrierë dhe kujdes që e mbajtëm me aq fanatizëm për 60 ditë. I futëm dhe një justifikim në ndërgjegjen tonë kolektive, se gjoja është më mirë ta marrim virusin tani në formë të lehtë, për t’u imunizuar për dimër. Pavarësisht se kjo logjikë nuk konfirmohej nga asnjë epidemiolog. Pavarësisht se virusi pikërisht tani po bën kërdinë në Peru dhe Brazil që kanë temperatura mbi 30 gradë celsius. Kjo përhumbje nga kujdesi na ka sjellë përpara një ekuacioni të vështirë. Një ekuacion që harruam se si na qëndronte si Shpata e Damokleut mbi kokë në mars dhe prill. Dhe që lexohej: “Pamundësia për të shpëtuar jetë njerëzish, baras me MBYLLJE. Dhe ky ekuacion sot ka zbritur sërisht mes nesh, sa tronditës aq dhe real. Pse rreziku që ka sistemi ynë shëndetësor nuk qëndron tek rritja thjesht e të infektuarve të rinj me koronavirus, por tek pamundësia për të pasur shumë shtretër të trajtimit intensiv në spitalet tona, për të shpëtuar jetë njerëzish. Nëse të sëmurët e rinj që kanë nevojë për respiratorë shtohen më shumë se numri i respiratorëve që kemi, qeveria do të jetë e detyruar të na mbyllë prapë, për të mos lënë njerëz të vdesin, ngaqë nuk marrin dot trajtimin që kanë nevojë. Ky është rreziku i vërtetë që po kalojmë. Dhe ai rritet çdo ditë, me shtimin e rasteve të reja. Dhe nëse mbyllemi prapë, karantinohemi sërisht, kostot kësaj radhe janë të papërballueshme. Me dy muajt e parë totalë(12 mars-14 maj) të vetëngujimit, humbëm në të ardhura nga taksat 220 milionë euro. Pagesat e luftës po marrin ndërkohë 100 milionë euro, ndërsa 250 milionë euro të tjera qeveria i ka të bllokuara në garancitë sovrane të të dyja paketave të ndihmës për biznesin e dëmtuar nga Covid-19. Dhe nëse mbyllemi qofte edhe një muaj tjetër, (fund qershori-fund korriku) nga rritja e rasteve të të infektuarve, por sidomos nga rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus që përfundojnë në spital, dëmi në ekonomi do t’i kalojë 1 miliardë eurot, me turizmin e gjunjëzuar përfundimisht për këtë vit. Kjo hapje nga 18 maji e këtej i ka zaret e rëndë. Rritja e numrit të të infektuarve ishte e pritshme, por jo me këtë ritëm marramendës. Çfarë duhet të bëjmë? Qeveria duket e pafuqishme të na e mbledhë si bëri më 12 mars, atëherë kur frika ishte padrone e ndjenjave tona. Ishte pikërisht frika instiktive që na bëri t’i bindemi qeverisë pa shumë(madje pa fare) naze më 12 mars. Tani ngelet vetëm ndërgjegjësimi ynë për të zbatuar protokollet e sigurisë në mjedise publike. Ndërgjegjësim  i cili është shumë i vështirë. Ngelet apeli në korr i mjekëve të infektivit, që deri tani kanë qenë heronjtë tanë, duke rrezikuar jetët e tyre për të na trajtuar e shëruar. Ngelen kërcënimet me burgim të qeverisë, që pak mund të bëjnë punë, tani që nuk duket se ka fre të na mbajë. Në mungesë të frikës instiktive, na ngelet arsyetimi për rrezikun real që po kalojmë. Do Zoti ky arsyetim të na bëjë punë!

Share: