Solidariteti me situatën e pazakontë të krijuar për shkak të virsusit Korona, ka bërë që shumë njerëz nëpër rrjete sociale, përfshirë këtu edhe institucione arsimore, të paraqesin shënime apo pankarta me mbishkrimin “do t’ja dalim mbanë”. Duke uruar që ta kapërcejmë sa më shpejt këtë gjendje, po ju kujtojmë se formimi i trajtës së shkurtër të bashkuar “t’ja” nuk ekziston në shqipen standarde, trajta e saktë është “ia”, përkatësisht “do ia dalim”. Pra, bashkohet trajta e dhanores (e çdo vete, njëjës e shumës) me trajtën e kallëzores (e vetës III, njëjës e shumës). Për më shumë, kujtojmë shpjegimin që jepet në Gramatikën e Gjuhës shqipe:
Në gjuhën shqipe kemi gjashtë lloje përemrash: vetorë, pronorë, pyetës, lidhorë, e pacaktuar dhe vetvetorë. Në këtë shkrim do të ndalemi te trajtat e shkurtra të përemrave vetorë, të cilat janë karakteristikë për rasën kallëzore dhe dhanore. Trajtat e shkurtra të përemrave vetorë janë të thjeshta dhe të bashkuara. Më poshtë shihni lakimin e përemrave vetorë në rasën emërore, kallëzore dhe dhanore, si dhe trajtat e shkurtra gjegjëse:
Rasa emërore (Kush?) –Rasa kallëzore (Kë?) – Rasa dhanore (Kujt?)
Unë – mua (më)– mua (më)
Ti – ty (të) -ty (të)
Ai/ajo – atë (e) -atij/asaj (i)
Ne – ne (na) -neve (na)
Ju – ju (ju) -juve (ju)
Ata/ato – ata/ato (i)– atyre (u)
Trajta e shkurtër shumë herë zëvendëson formën e plotë të përemrit vetor. P.sh.:
Më ftuan në mbrëmjen e fundvitit.
Të mora mbrëmë në telefon, por nuk u përgjigje.
Na vjen keq, por nuk kemi vende të lira.
Për ta kuptuar se në ç’rasë është përemri ose trajta e shkurtër bëjmë pyetjen e duhur.
P.sh. Nëse përemri vetorose trajta e shkurtër i përgjigjet pyetjes “kush?” është në rasën emërore. Për rasën kallëzore kemipyetjen “kë”?, ndërsa për rasën dhanore pyetjen “kujt?”.
Përpos trajtave të shkurtra të thjeshta, kemi edhe trajtat e shkurtra të bashkuara. Zakonisht bashkohet trajta e dhanores (e çdo vete, njëjës e shumës) me trajtën e kallëzores (e vetës III, njëjës e shumës).
(mua) më (dhanore)+ (atë) e (kallëzore) = ma dha librin
(ty) të (dhanore)+ (atë) e (kallëzore) = ta dha librin
(atij/asaj) i (dhanore)+ (atë) e (kallëzore) = ia dha librin
(ne) na (dhanore)+ (atë) e (kallëzore) = na e dhalibrin
(ju) ju (dhanore)+ (atë) e (kallëzore) = jua dha librin
(atyre) u (dhanore)+ (atë) e (kallëzore) = ua dha librin
(mua) më (dhanore)+ (ata/ato) i (kallëzore) = m’i dha librat
(ty) të (dhanore)+ (ata/ato) i (kallëzore) = t’i dha librat
(atij/asaj) i (dhanore)+ (ata/ato) i (kallëzore) = ia dha librat
(ne) na (dhanore)+ (ata/ato) i (kallëzore) = na i dha librat
(ju) ju (dhanore)+ (ata/ato) i (kallëzore) = jua dha librat
(atyre) u (dhanore)+ (ata/ato) i (kallëzore) = ua dha librat
Trajtat e shkurtra shpesh paraqiten problematike për përdoruesit e gjuhës shqipe. Ato përdoren gabimisht në shkrime, në libra, në tituj të lajmeve, në rrjetet sociale etj.