KUSH MUND TA VRASË DASHURINË?

Kulturë Libri

(Rrëfenjë andaluziane)

Në historinë e botës pati një herë një ditë të tmerrshme, kur Urrejtja, si mbretëresha e tyre, thirri në një mbledhje urgjente gjithë ndjenjat e këqija.
Të gjitha cilësitë e zeza të botës njerëzore, dëshirat më perverse të zemrës së njeriut, shkuan gjithë gëzim në këtë mbledhje të drejtuar nga urrejtja. Dhe Urrejtja u tha:
– Ju kam thirrur këtu, sepse dua t’ju ngarkoj një detyrë të ngutshme. Gjithmonë më ka djegur dëshira për të vrarë dikë.
Të pranishmit nuk u çuditën shumë, sepse dihej që Urrejtja gjithmonë donte të vriste dikë dhe se viktima nuk do të ishte midis tyre, pasi Urrejtja ua kishte nevojën të gjithëve.
– Dua që të më vrisni Dashurinë, – tha, me padurim, urrejtja.
Shumë prej të pranishmëve buzëqeshën, sepse secili prej tyre e kishte qejf këtë mision. Por, Karakteri i Keq, në padurim, u ngrit i pari e tha:
– Unë do ta vras Dashurinë. Gjatë një viti do të mbjell aq përçarje dhe inat, derisa dashuria të mos e përballojë dot dhe të vdesë.
Në krye të vitit Urrejtja i mblodhi përsëri ndjenjat e këqija njerëzore dhe ngriti Karakterin e Keq të raportonte.
Karakteri i Keq u ngrit në këmbë dhe, me kokë të ulur, mezi tha:
– Më falni. Bëra ç’ishte e mundur, por Dashuria i kapërceu të gjitha, edhe përçarjen edhe inatin, dhe doli shëndoshë e mirë.
Atëherë, u ngrit Ambicia dhe, gjithë mburrje, tha:
– Atë që nuk e bëri dot Karakteri i Keq do ta bëj unë. Do t’i ushqej me forcë Dashurisë etjen për pasuri dhe për pushtet, gjë ajo nuk ka si të mos i dëshirojë. Dhe këto do ta vrasin, pa një pa dy.
Dhe nuk vonoi e nisi sulmin e vet Ambicia. Përpara këtyre armëve të fuqishme, etjes për pasuri dhe pushtet, Dashuria nuk rezistoi dot dhe ra e plagosur keq. Por mblodhi forcat sërish dhe me luftë heroike ia doli të mos i përfillte as pasurinë e as pushtetin dhe, përfundimisht, doli fituese.
Atëherë, Urrejtja e tërbuar prej inatit, thërret armikun më të egër të Dashurisë dhe e ngarkon me detyrën për ta asgjësuar atë. Xhelozia, me armët e saj më dredharake, si shpifjet, thashetheme, dyshime, etj., të gjitha të pabaza, dhe duke përdorur lloj-lloj dredhish, i krijoi situata tejet të vështirat Dashurisë. Dashuria, e hutuar, u mërzit e qau, por, me guxim, mblodhi gjithë forcat dhe nuk u rrëzua. Edhe nga ky sulm, ajo doli fituese.
Urrejtja nuk e la luftën kundër Dashurisë. Çdo vit dërgonte një cilësi vrastare njerëzore, si Mospërfilljen, Egoizmin, Indiferencën, Varfërinë, Sëmundjen, etj. për ta asgjësuar, por të gjitha dështuan, sepse Dashuria gjithmonë gjente forca te vetvetja për t’i përballuar këto sulme.
Atëherë, Urrejtja, e bindur se Dashuria nuk mposhtej, i mblodhi përsëri shoqeve të veta dhe u tha:
– U munduam kot për vite të tëra dhe nuk i bëmë dot asgjë. Dashuria doli fitimtare. Si do t’ia bëjmë?
Nga salla u ngrit një ndjenjë e keqe, pak e njohur, e veshur tërësisht me të zeza dhe me një sombrero të madhe, që ia mbulonte fytyrën e nuk e shihje dot. Kishte një pamje të përmortshme si atë të vdekjes.
– Do ta vras unë Dashurinë, – tha ajo me vendosmëri. – Për këtë ju siguroj, zonja Urrejtje.
Të gjitha ndjenjat e këqija po shikonin me habi këtë ndjenjë të panjohur, e cila zotohej se do të bënte atë që nuk e kishte bërë dot asnjëra prej tyre.
– Shko dhe bëje! – i dha urdhër Urrejtja.
Vetëm pak kohë më pas, Urrejtja i mblodhi përsëri ndjenjat e këqija njerëzore për t’u komunikuar se, më në fund, misioni qe kryer me sukses: DASHURIA KISHTE VDEKUR. Të gjithë qenë të lumtur, por edhe të habitur. Atëherë, ndjenja e panjohur me sombrero të zezë, u ngrit e foli:
– Po jua dorëzoj Dashurinë plotësisht të vdekur dhe të bërë copë-copë.
Kaq tha dhe u nis të ikte.
– Prit, – i tha Urrejtja. – Na thuaj, kush je ti që, brenda një kohe të shkurtër, e asgjësove plotësisht Dashurinë dhe ajo nuk mundi të rezistonte dot?
Ndjenja e panjohur u kthye dhe nga fytyra e saj e tmerrshme dolën këto fjalë:
– UNË JAM RUTINA.

Në shqip: Bajram Karabolli

 

 

 

Share: