Nga Viktor BAKILLARI: TIRANË – PARIS – TIRANË – GREVË-SKRAPAR – TIRANË (Rreth 4.000 km) UDHËPËRSHKRIM GUSHT, 2019 (Pjesa e parë)

Kulturë

Nga Viktor BAKILLARI, TIRANË

HYRJE

 

PUSHIMET!

Ç’fjalë interesante. Do të thotë: koha gjatë së cilës njeriu pushon. Por, a pushojmë gjatë pushimeve? kjo është çështja. Themi pushime dhe mendjen e kemi për të udhëtuar, mundësisht t’i biem botës çikrik. E bukura është se, kur jemi me pushime, udhëtojmë më shumë se në çdo periudhë tjetër. Vetëkuptohet, ngaqë nuk na kërkojnë në punë…

Por ç’do të thotë fjala “pushime” në kontekstin veror?

Për mua, pushimet e gjata, verore, janë pushime…lëvizëse, endjeje, udhëtimi. Dy fjalë që duket sikur nuk “martohen”, por ja që janë një çift i shkëlqyer i lumtur.

Pushimet: Të jesh diku në vend që të jesh këtu, të jesh gjetkë, atje, në vend që të ishe këtu siç ishe dje. Dhe gjetkë, atje do të thotë jo këtu.

Pushimet janë të mira, të farkëtojnë, të bëjnë tjetër njëri, kur di se si t’i kalosh.

Kam vënë re se, kur je me pushime, çlodhet vendi i punës, shtëpia, atdheu, madje, përse jo? edhe fejsbuku nga ty. Kanë nevojë edhe ata për mungesën tënde…

Teksa po shkruaj fjalinë e mësipërme, më vjen për të qeshur kur dëgjoj pensionistë që kanë derdhur djersë gjithë jetën aktive duke punuar, të cilët thonë: Do të shkoj me pushime në…

Ëndrra e shumë pushueseve është që, tek presin biletën, tek rezervojnë hotelin, të kenë mundësi të ndreqin edhe motin që ta kenë me diell europian, jo arabo-saharian, jo afrikan, sepse qoftë ky diell, qoftë edhe shiu, rrebeshi janë armiq të pushuesve. Të bllokojnë lëvizjen, ecjen, zhvendosjen lirshëm, eksplorimin (zbulimin)…

Nuk ka më keq se kur i përkufizon pushimet si disa ditë ku shpenzon me qindra a mijëra euro për të parë  se sa i ngjan shiu i vendit tënd atij të vendit ku ke shkuar për t’i kaluar.

Dhe, ç’është e vërteta, gjatë këtyre pushimeve, ne e provuam dy herë nga dy orë dhe, mund të themi si shiu i vendit ku ishim nuk kishte ndonjë dallim nga ai tiranas. Ndërsa qyteti ku ishim nga yni, shumë.

Tjetër:

Po të isha mjek, duke parë se si punojnë disa njerëz, këta unë do t’i konsideroja si pacientë dhe do t’u shkruaja në recetë, në vend të barnave, disa ditë pushime.

Pushimet janë vërtet të mira, por edhe një kokëçarje më vete. Njoh jo pak njerëz që, pas pushimeve, kur i pyet, të thonë se ato nuk u kanë shkulur streset, hallet, nuk u kanë boshatisur kokën nga telashet, por thjesht…qesen, portofolin, kartën bankare. Sa keq!

Kur më tha një shok se kishte shpenzuar shumë brenda dy javëve në një vend europian, për ta ngushëlluar, ia ktheva:
“Mos u mërzit daku, pushimet kështu e kanë; emrin kanë të tillë. Të vetmet pushime që robi kalon si duhet janë të Shkurtrat të cilat zgjasin e pakta shtatë e shumta nëntë muaj në barkun e mamit, i cili nuk ka aspak dallim nga ai i Shën Mrisë dhe ato të Gjatat fare, të amshuemet… çdo lloj pushimi tjetër është kokëçarës…”

Të gjithë me pushime e të gjithë me celularë, sidomos në verë, dynden udhëve, porteve, aeroporteve ditë – natë. Sot nuk mund të përfytyrohet ikja me pushime, pa celularin dhe karikuesin me vete. O Zot i Madh, ç’shpikje gjeniale ka kryer ai që jaratisi (shpiku) celularin, se përfytyroni njëherë të gjithë njerëzit të shkojnë me pushime, apo rrugëve për në punë e të marrin me vete telefona me tela. A do kishte perëndi që të shkartiste nyjet e koklat e  gramshaleshura të telave!?
Të dish të çlodhesh, është më e vështirë se sa të dish të punosh…

***

Po sa udhëtova unë gjatë këtyre pushimeve verore?

Sot gjithçka është llogari (Olimbi). Sot gjithçka llogaritet dhe unë kreva një përllogaritje të thjeshtë. Sa udhëtova gjatë verës 2019? Me rezultoi si udhë ajrore dhe tokësore jo pak: rreth 4000 km.

 

Për pushime (Foto ilustruese)

 

Po ku qeshë, ç’pashë, ç’përjetova?

Nuk po vonoj, por po sjell ato që s’më harrohen, një pjesë të të cilave i kalova në…Paris; 8 ditë.

I dashur mik-lexues,

Më e bukura nuk është të shkosh me pushime, por të kujtohesh për ato pushime, të të kenë lënë mbresa, të të jenë gdhendur në kujtesë…

Dhe, pa humbur më shumë kohë, po ia nis:

 

Pjesa I


***
TIRANË – PARIS – TIRANË

 

Në datën 4 gusht, 2019, në pikë të mëngjesit, rreth orës 2.30’, teksa në fshatin tim Grevë do të niste këngën kaposhi, bashkë me një nga familjarët e mi marrim një taksi dhe shkojmë në Rinas, në aeroportin “Nënë Tereza” –  vendnisja jonë. Vendmbërritje do të kishim Parisin.

Befasia e parë qe e këndshme. Me të mbërritur te sporteli i regjistrimit (check-in-i), mbas plot 33 vjetësh takohem me një shoqe te shkollës së mesme e cila, prej shumë vitesh, punonte aty. Të dy iu drejtuam njëri-tjetrit në emër. E mira S.R., po ajo: e qeshur, shumë komunikuese, gjithnjë e gatshme për të ndihmuar e sqaruar çdo udhëtues që kishte paqartësi.

Pasi kaluam pikën e kontrollit, dolëm në sallën e pritjes së avionit. Shoqja, si miq të aeroportit që ishim, na ofroi kafenë e mëngjesit më herët se zakonisht.

Nisja nga Rinasi në 4.25’. Në orën 6.00 në Vjenë. Në orën 7.05 nisemi nga Vjena dhe në orën 9.15 “zbarkojmë” në aeroportin Sharl dë Gol / Paris. Pra, rreth 4 orë në qiell. Kam lexuar diku se, nëse krahasohet raporti peshë / decibel, rendimenti zanor i një avioni është ku e ku më i vogël se ai i një mize kur zukat. Më kujtohet gjithashtu një thënie se tek avioni njerëzit shohin optimistin dhe pesimistin. Optimisti shpiku avionin, pesimisti parashutën. Kush udhëton me avion herët në mëngjes, e sheh diellin kuqportokall më para nga të tjerët dhe, sigurisht është më afër tij…

Lindja e diellit. Foto e marrë nga dritarja e avionit. (V.B.)

Pasi zbresim nga avioni, hipim në tren dhe rreth orës 10.20’ mbërrijmë në hotel jo shumë larg nga Gare de l’Est (Stacioni Hekurudhor i Lindjes), rreth 30’ larg lumit Sena (La Seine), e cila e ndan Parisin në dy pjesë të barabarta.

Midis tundimit dhe nxitjes nga im bir që të flaknim çantat dhe të dilnim nëpër kryeqytetin e Liberté-Égalité-Fraternité-së (Liri-Barazi-Vëllazërisë) duke mos humbur asnjë minutë dhe logjikës që trupi ka nevojë për çlodhje se ishim ngritur – zgjuar qysh rreth orës 02, madje djaloshi nuk kishte vënë gjumë në sy nga gëzimi e kënaqësia, vendosa që të rrinim pak shtrirë në shtretër sa të merrnim pak veten. Sigurisht, kjo metodë ngjiti. Im bir më thoshte që të dilnim. Unë i thosha që duhet të ç(p)lodhemi pak sepse Parisi nuk është një qytet i zakonshëm.

Duhet të jemi të çlodhur, i thashë, sepse Parisi do këmbë, Parisi do gjunjë. Parisi do që çdo bujtës i tij të mbajë një çantë shpine me një shishe të madhe uji, një aparat fotografik ose një telefon me kamerë të mirë…Në këto e sipër, tim bir e mori gjumi, ndërsa unë u kota. Rreth orës 12.30 zgjoj tim bir dhe që pas këtij çasti e gjer ditën që u kthyem nisi e s’reshti më kalvar-piciri për këmbët tona…
Parisin, jo një javë, por një vit të rrish si turist, nuk  arrin dot ta rrokësh e ta zbulosh, por ne, të pajisur me harta që mund t’i marrësh sa nëpër stacione hekurudhore/metroje, aq edhe në stendën e hotelit si dhe me udhërrëfyes (doracakë) zyrtarë hartuar nga Zyra e Turizmit (Paris, Office de Tourisme, LE GUIDE OFFICIEL), themi se ia dolëm të shohim atë që mund të quhet “zemra e Parisit”.

Ne nuk do të përshkruajmë historitë zyrtare të vendeve ku qemë, sepse ato mund të gjenden lehtësisht në Internet, mund të soditen nëpër sekuenca filmike të hedhura në You Tube.
Ne do të përpiqemi të sjellim thjesht përjetimet tona mbresëlënëse në këtë qytet të përjetshëm…

***

Ne nuk kemi ndër mend të flasim gjerë e gjatë për arkitekturën mbresëlënëse të qytetit, as për arkitektonikën (artin dhe teknikën e ndërtimit të këtij qyteti magjepsës), sepse kjo do t’i kalonte përmasat e një udhëpërshkrimi. Nëse do të flisnim për vendet e vizituara si, f.v. për kishat, katedralet dhe bazilikat e famshme si Bazilikën e Zemrës së Shenjtë të Krishtit (La basilique du Sacré-Cœur de Montmartre); Katedralen e SHën Mrisë (Notre-Dame), tashmë pjesërisht e djegur, por që punohej vrullshëm për ta ringritur; Famullinë katolike Shën Sylpis (kushtuar të përshpirtshmit Shën Sylpis – Église Saint-Sulpice); Kishën e Shën Marie Magdalenës – një kishë e famshme famullie kjo (Eglise de la Madeleine), Stacionet hekurudhore (Gare du Nord, Gare de l’Est, Gare St-Lazare, Gare de Lyon, Gare d’Austerlitz, Gare de Montparnasse); metrotë e famshme të Parisit; Stacionin hekurudhor dhe të metrosë parisiane njëkohësisht Shatlé – Le Al (Châtelet-Les Halles  – një stacion hekurudhor dhe metroje disakatësh nën tokë në qendër të Parisit, i cili me 7 palë shina paralele nën tokë, renditet si një ndër më përshtypjebërësit dhe më të mëdhenjtë e botës; stacion ky që përdoret çdo ditë nga mbi 750.000 qytetarë (parisianë e turisë)); Harkun e Triumfit (Arc de Triomphe); Muzeun e Luvrit (Musée du Louvre) dhe shumë muze të tjerë; Pirgun Eifel (La Tour Eiffel); Kullën Monparnas (Tour Montparnasse ndërtuar në vitin 1973, një “reshpues, qiellçjerrës, një laps që shkruan në qiellin parisian” me lartësi 210 m, ku, për t’u ngjitur në majë, pasi të presh biletën prej 18 eurosh dhe pasi të kalosh një kontroll të imtësishëm si të kalosh në aeroport, hipën në njërin prej ngjitës-zbritëskatëshve (ashensorëve ) më të shpejtë në Europë për…38 sekonda); Panteonin ku prehen njerëzit e shkuar më të shquar e më me ndikim të Francës, e cila u është shumë mirënjohës; Kopshtet e famshme të Tyilerive, Luksemburgut, botanikun etj.; Senatin; lumin Senë me kryeurën (urën më të bukur) Aleksandër III dhe shumë e shumë ura të tjera; Sheshet e mëdha me histori dhe me monumente imponuese (Sheshin e Bastijës, e Republikës, e Fitoreve, e Bashkimit (Mirëkuptimit, Paqes,Harmonisë?  – Place de la Concorde, më i madhi në Paris ky i fundit – nuk e di se me ç’emër ka hyrë a mund të hyjë në shqipe) etj.; Shëtitoren e famshme të Fushave të Elizeve (Avenue des Champs Élysées), Qendrën Zhorzh (Gjergj) Pompidu (Centre G. Pompidou) ndërtuar vetëm me qelq e metal, qendra kombëtare e artit dhe e kulturës), Operën Garnié (Garnier), Bulevardet e mëdhenj, Galerinë e famshme Lafayette, Bashkinë (Hôtel de Ville), libraritë disakatëshe, Sorbonën, Lagjen Latine (Quartier Latin) (pjesa tradicionale e Parisit, njohur si lagje studentësh), Pallatin e Madh (Grand Palais); Pallatin e Zbulimit (Palais de la Découverte), Pallatin e Vogël (Petit Palais) (pallate, muze ekspozitash)  etj.etj.etj., atëherë, me materialin që grumbulluam do të kishim mundësi të shkruanim një libër dygjuhësh në shqipe e në frëngjishte “Udhërrëfyesi i Parisit / Le Guide de Paris”.

Diçka e tillë do t’i kalonte përmasat e një shkrimi përhapës (divulgativ) udhëpërshkrues, andaj do të përqendrohemi tek ndonjë ngjarje qoftë edhe naive vetjake.

Le të fillojmë pa humbur kohë:

 

(vijon në pjesën e dytë)

 

GUSHT, 2019

Share: