Nga Viktor BAKILLARI: TIRANË – PARIS – TIRANË – GREVË-SKRAPAR – TIRANË (Rreth 4.000 km) UDHËPËRSHKRIM GUSHT, 2019 (Pjesa e tretë)

Kulturë

***

 

Pjesa III

 

TIRANË – GREVË-SKRAPAR – TIRANË

NJË ÇEK ÇIKRIK SHQIPËRISË

 

Pasi u kthyem nga Parisi, pas nja dy ditë çlodhjeje mora udhën për…Skrapar me autobusin e linjës Tiranë – Ujëmbret (Çorovodë), i cili niset çdo ditë në orën 6.00.  Rreth orës 10 mbërrijmë në Ujëmbret.

Me të zbritur, me një çantë ku kisha futur disa nga librat e mi, shkova urova për funksionin e ri kryetarin e bashkisë Skrapar, z. A. Mema, një djalë Skrapari i mbrujtur me aftësi drejtuese e menaxheriale, i cili premton për shumë më lart…

Pasi pimë një kafe bashkë edhe me një shokun tonë të përbashkët shumë të mirë A. Çela me banim në Itali (edhe ai qëlloi aty po për ta uruar kryebashkiakun, urim zemre, për kënaqësinë tonë, pa interes!) u ndamë dhe unë do të vazhdoja udhëtimin për në Grevë – Tomorricë. Qëlloi që atë ditë të vinte në Ujëmbret një makinë 4X4 e fshatit. Dhe vazhduam rreth mesditës duke ngjitur udhën e vështirë të shtruar me çakëll.

Makina ecte. Makina nxitonte. Vende-vende ngarësi, kushëriri im i aftë në timon Çim, hapte udhë për t’u këmbyer me të tjera që vinin ballë nesh, ngaqë rruga është e ngushtë.

Mbërrijmë në Qafën e Dëvrisë… Ç’të shohësh. Duket sikur ka rënë ndonjë bombë atomike. Është terren i zhveshur bardhor. Nxirret mermer i cilësisë së lartë. Eksportohet…e ku nuk eksportohet…Dëvri, mali i Mëlovës, Zaloshnjes (si pjesë e masivit Tomorr) nga bukuri virgjërore- blerore- biblike, tani është zhveshur, vende – vende dac, cullak. Mermerin ia kanë marrë, po rrugën e kanë lënë në gjendje mjerane. Duhet të mbash largësi 1 km nëse ke makinë përpara se të mbyt pluhuri i asaj që ke përpara. Eh, Shqipëria ka pësuar lloj-lloj vuajtjesh këto 30 vjet si masakra urbane, (ndërto ku të mundesh, gjej tokë, ngul tabelën “Tokë e xanë!”, “Pronë private”, masakër lumore (ndërto hidrocentrale në çdo përrua), masakra pyjore; nani tani, këto vitet e fundit edhe një lloj masakre tjetër: “Masakër malore (malesh) si kjo e malit të Tomorrit ku nga ana i Tomorricës rrëmbehet mermeri e nga ana e Novajt (kur ngjitesh nga Poliçani në Tomorr) rrëmbehen pllakat, gur natyror mbulues, shtrues (zbukurues / dekorativ).
Thonë, nga anët tona se Tomorri ështe i gjithi i paprekshëm. Kush e prek…preket! Fshihet shumë pas kësaj fjale…

Pas rreth dy orësh mbërrijmë në Grevë.

***

NJË ÇEK NËPËR TOMORRICË / SKRAPAR

 

Historitë dhe ndodhitë më Çekë në Shqipëri nuk kanë fund. Çekë të vrarë, Çekë të humbur, Çekë të shpëtuar dhe, e fundit: Çekë të ndihmuar, ndoshta, përse jo? edhe të shpëtuar.

Kjo e fundit ka për protagonist kët koc dhe një djalosh çek, student 23 vjeçar nga Brno-ja, Republika Çeke (Česká republika) me emrin V. P.

Në datën 15 gusht 2019 nisem nga Tirana për te prindërit në Grevë – Skrapar.

Pasi mbërrita nga Ujëmbreti (Çorovoda) në Grevë (fshatin tim; në fakt unë jam i këtij fshatit, nga ky fshat!!!) dhe pasi u çlodha pak, dëgjoj zërin e bariut të lopëve: “Lshoni lopt!”. Rreth orës 16 fshatarët lëshonin lopët për t’i kullotur. I ruanin me radhë…

Teksa ia nxora rreth 300 m larg shtëpisë bariut të radhës, shoh një djalosh ngarkuar me një çantë shpine. Meqë jemi pranë lopëve, ia bënte mu që nuk ishte i anëve tona. Kishte djersitur shumë… Ishte vapë dhe i ishte bërë ulluku, të shkretit, qull nga çanta e madhe në shpinë. Po kështu balli i shndriste si dikur kooperativistëve kur korrnin grurin a e shinin. Më përshëndet në anglishte e më thotë: Dushari, nga bie Dushari? Drejtimi për në Dushar nga merr? (Dushari është fshat i Korçës, në kufi me ne, Skraparin, rreth 2 orë të mira nga Greva po të ecësh pa pasur asgjë në dorë. Përfytyroni dikë që mbante në shpinë një çantë të madhe rreth 15 kg).

Ia tregova drejtimin, por duhej të bënim një copë rrugë bashkë gjer sa të ndaheshim. E pashë me vëmendje… ishte i drobitur… E pyeta nga ishte. Nga Çekia. Jam Çek – më tha. Pik’e zezë, kur thotë poeti Xhevo Spahiu dhe shumë të tjerë nga anët tona! Ç’erë ta ketë sjellë vallë gjer këtej?

Flet frëngjisht ose gjermanisht? – e pyeta sërish.

Po, gjermanisht, m’u përgjigj. Që nga ky çast biseda u zhvillua në gjuhën gjermane. Fliste një gjermanishte pak të sforcuar, por të kuptueshme.

Po ç’do këndej, o derëbardhë – e pyeta?

Dua të shkoj në Korçë – ma ktheu.

Po pse vetëm?

U ndava me shokët në Berat. Pamë bashkë Maqedoninë, pastaj hymë në Shqipëri. Kemi parë Korabin dhe Veriun… Erdhëm me shoqërinë gjer në Berat. Ata deshën të shkonin në Korçë me mjete transporti, unë dua të shëtis nëpër Shqipëri në këmbë.

Po si erdhe gjer këtu?

Po ja – më tha: Nga Berati në Poliçan erdha me një makinë. Nga Poliçani në Bogovë (rreth 6 km) në këmbë. Më pëlqeu shumë se ishte edhe rrugë e gjelbëruar e me shumë pisha. Nga Bogova në Çorovodë me makinë. Aty pyeta për drejtimin nga binte Dushari. Dhe u nisa në këmbë. Erdha gjer në Radësh. (Është një rrugë shumë malore, i gjori ai se si mund ta kishte bërë, për më tepër që ishte i ngarkuar!) Nga Radëshi gjer në Gjerbës kishte ardhur me makinë rasti. Dhe nga Gjerbësi në Grevë (rreth 10 km në këmbë.

Po mirë, ç’do në Dushar? – e pyeta.

Sepse atje kam marrë vesh se është një minibus që shkon në Korçë – tha.

Dëgjo, mor djalë – i them. Ti nuk mund të shkosh dot sot në Dushar sepse është larg. Je i ngarkuar dhe kështu të duhen të ecësh e pakta 4 orë të mira, ndërkohë që për dy orë të zë nata pus dhe në mal ka shumë kope dhish e dhensh që ruhen nga qen gjysmë të egër, që janë sulmues; ka ujqër e arinj; kështu që sot fli këtu tek unë dhe nesër në pikë të mëngjesit, me të na zgjuar jo telefoni, po gjeli, ngrihu e ik.

I vinte rëndë. Ngulte këmbë që do të ikte…

Mirë, i them. Do të lejoj të shkosh, po freskohu pak se ke djersitur. Ha edhe pak bukë dhe ik pastaj.

Hyjmë në oborrin e shtëpisë.

Nën’ja  (në të folurën e Tomorricës kështu i thonë nënës: jo nëna, por nën’ja)  dëgjoi zhurmë nga brenda dhe më tha: Erdhe, o bir?

Ia kthej: Erdha, po erdha me një mik.

Shumë mirë – tha – dhe i uroi mikut mirëseardhjen. Ajo shqip, ai anglisht. Nuk e kuptoj, më tha, ç’thotë?

I them se është i huaj, Çek.

Sigurisht që shprehu pak habinë…

Djaloshi çek, i telikosur (kishte ardhur nëpër vapë) mori leje të freskohej te çezma në oborr dhe nuk priti për ujë të ngrohtë, por u la me ujë të ftohtë. Aty qëlluan nja dy kova të mbushura për të ujitur lulet e ballkonit pasdite dhe unë mora një sapllake kauçuku dhe i hidhja ujë sipër kokës. Kur uji në kovë kalonte gjysmën, merrja kovën dhe ia ktheja. Ai kënaqej duke lëshuar klithma qeshjeje…

Sakaq, nën’ja i përgatiti diçka për të ngrënë: bukë me domate, djathë, gjalpë, tarator. Hëngri dhe u qetësua pak.

Tani erret, ia prita. Nuk ke se ku shkon… Nesër. Ditë e re, fat i ri…

Ok. Do të rri, po nesër do të çohem herët e do të shkoj… Sa për të fjetur, do të fle jashtë.

Përse? e pyes.

Sepse dua të sodis qiellin e mbushur me yje dhe Hënën.

Mirë, ia pres. Do flemë të dy jashtë, veçse ta dish që ne shqiptarët kemi një fjalë të urtë, e cila thotë: Shtëpia e Shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Kështu që, po deshe thyeje këtë proverb. Unë kam për borxh të ta them. Ti vepro si të duash.

Jo ngulmoi edhe një herë djaloshi 23 vjeçar student, çek, V.P.

Mirë, e ndërpres, hamë darkën dhe dalim të dy dhe sodisim Hënën dhe yjet… Sigurisht u bind dhe pranoi me një farë droje…

Po vija re se e kishte një brengë, një shqetësim të madh. Ishte ndarë nga grupi dhe donte të krijonte lidhje, por nuk kishte internet.

Duke më kërkuar ndjesë më tha nëse kisha unë.

Më vjen keq, ia ktheva, jo; as unë nuk kam. Po mos u mërzit se do ta gjejmë një zgjidhje.

I thashë të shkruante emrin e ndonjë shoku që donte të lidhej. Ai shkroi në telefonin tim emrin e një vajze (shoqja e tij). Atë emër ia dërgova si mesazh tim biri në Tiranë dhe i thashë të komunikonte në Messenger dhe ta qetësonte, të mos bëhej merak se shokun e kishte mik në Grevë/Skrapar.  U lehtësua shumë. Pas nja një gjysmë ore, shoqja e tij i kthen përgjigje tim biri e qetësuar duke e falënderuar. Më vonë pati një bisedë mes tyre, telefon pas telefoni. Im bir u lidh me të dhe pastaj, duke vendosur një telefon tjetër përballë të tijit më mori mua në telefon pra, 4 telefona në seri, dhe kështu djaloshi çek foli me shoqen duke u qetësuar të dyja palët.

Sakaq, dolëm një shëtitje të shkurtër nëpër fshat gjer te shkolla duke bërë edhe ndonjë fotografi…

Pllakos mbrëmja. Tek po mbyllnim dhentë, bariu i radhës i lopëve na tha se lopa kishte shushunjë në gojë sepse i kishte dalë gjak. Greva, si kudo, po vuan djegagurin, thatësirën e madhe. Ato pak vende ku pinin ujë bagëtia, ku kanë shteruar e ku janë populluar nga shushunjat gjakpirëse. Shushunjat nëpër pellgje të rrjedhshëm presin me padurim kafshët sidomos lopët. Këto shkojnë të pinë ujë dhe shushunjat, cak, iu ngjiten nëntë gjuhës. Pinë gjakun e tyre dhe atyre (lopëve) u del gjak nga goja. Duhen 3-4 veta për ta hequr një shushunjë nga goja e lopës. Atë mbrëmje nuk patëm mundësi t’ia hiqnim se u err dhe u la për të nesërmen në mëngjes.

Në mëhallën tonë kishte ardhur edhe një mik nga Zereci (Zereci ndodhet rreth  tri orë larg nga Greva dhe rreth 20-30 minuta larg Moglicës – Korçë). Pasi bisedoj me mikun e Zerecit, i them djaloshit çek se nesër do të shkonte me të gjer në Moglicë duke e sqaruar se ashtu i binte më mirë se sa të shkonte nga Dushari… Pranoi i gëzuar…

***

U shtrua darka…Babai po kryente nderet e familjes sipas traditave të zonës sonë duke uruar mikun…Miku rrëmbeu gotën e çoku me ne, tha “Na zdravi!” dhe e ktheu me fund… Kur ç’të shihnim, kokërdhokët i dolën si kokërr valanidhi, naaa! mu si kaçka bofka… E mbajti veten, e zotëroi mirë e rimori e tha: Oh, shumë e fortë! Unë kam pirë edhe gjetkë, kam gjithashtu edhe rakinë  time që e nxjerr gjyshi im në Çeki, po kjo qenka shumë e fortë. Me vete kishte një faqore raki. E sqarova se te ne nuk rrëkëllehet menjëherë me fund se të zë…

Ndërsa tek ne është ndryshe – ma priti. Gjithë kërshëri e pyeta rreth këtij rituali. Tek ne, nisi rrëfimin miku riosh, ne mbushin gotat dhe, duke e parë njëri-tjetrin në sy, themi “Na zdravie!” dhe e kthejmë. Pastaj, rreth një gjysmë ore hamë, bëjmë muhabet, qeshim, këndojmë dhe kthejmë gotën tjetër.

Pasi bëmë muhabet me mikun çek, mbasi mbaruam së piri e së ngrëni, rreth mesnatës, dalim jashtë për të soditur Hënën dhe yjet e panumërt (atje, në fshat, është vërtet tjetër natë!).
Kthehemi të flemë…

***

Ditën tjetër në mëngjes, na vjen Engjëlli (një kushëriri ynë) për t’i hequr shushunjën lopës. Thërrasim edhe mikun e Zerecit sepse duheshin disa vetë për të bërë zap lopën. Pasi lidhëm lopën me litar për brirësh shkurt pranë një trungu të trashë mëni (mani), Engjëlli mori një shkop thane të lëmuar, të trashë sa gishti i madh i këmbës që vesh këpucë numër 44-45.  I futi lopës gishtin e madh dhe atë tregues në hundë dhe e kapi për veshi. Lopa pas pak çastesh, hapi gojën duke lëvizur fort. Sakaq, miku i Zerecit i futi shkopin e gjatë rreth 60 cm në gojë lopës, horizontal me tokën, dhe dy anët e tij ia lidhi te brirët që asaj t’i mbetej goja hapur. Sakaq nëna kishte marrë hi në një enë. Mbushi dorën me hi dhe ia futi lopës në gojë. Ajo lëvizi fort dhe neve na u desh që ta mbanim po fort.  U gërvishtëm pak pas pemës, po pa ndonjë dëm të dukshëm. Lopa, duke mos arritur dot që të mbyllte gojën (nuk e lejonte shkopi se ndryshe ta këput dorën a gishtërinjtë duke t’i kafshuar), nëna kontrolloi poshtë gjuhës së lopës më dorë, gjeti shushunjën dhe e hoqi me forcë. Hiri bën që edhe mos të të rrëshqasin gishtërinjtë tek kap shushunjën me rrëshqitshmëri ngjale. Kështu i shpëtojnë lopët nga shushunjat sot në Tomorricë… Jetë e vështirë…Këtë skenë e filmoi me celular edhe miku çek po kështu një pjesë të saj edhe unë sepse duhej të mbaja fort prej brirësh lopën të mos lëvizte.

Pas heqjes së shushunjës, miku nga Zereci na tha se do të bënte edhe një vizitë te një i afërm e pastaj do të shkonin malit përpjetë për në shtëpi, Zerec.
Pas pak vjen një nga familjarët ku kishte bujtur miku i Zerecit dhe na thotë se kishte ndryshuar plani. Ai (Miku), për shkak se i zoti i shtëpisë (kushëriri ynë N.) kishte dëmtuar dorën, do të shkonte të korrte jonxhën e tij dhe kështu, nisja mund të behej pasdite…

Në këto kushte, meqë kishte shmangie nga fjala, më takonte mua ta çoja Çekun ndoshta gjer në Moglicë rreth 4-5 orë. Mirë tutje që do shkoja me të, po kthimi vetëm do të ishte tejet i mërzitshëm. Papritur më shkrepi një ide. Një fshatari ynë kishte një kope të madhe me bagëti në mal. E marr në telefon dhe e pyes për dy djemtë që e kullosnin dhe e ruanin. Më thotë që njërin e kishte në mal, tjetri flinte. I them shokut që ta zgjonte djalin dhe të ma niste poshtë se do ta dërgoja me një “mision”. Do të shoqëronte një të huaj gjer sa të kalonte zonën e rrezikshme nga qentë…
Shoku im qysh në fëmijëri, Fideli, e zgjon të birin dhe ma dërgon. Pasi takohem me të, e porosis që ta shoqëronte mikun çek gjer poshtë Qafës së Gjalprit, sa ta fuste në rrugën që do ta çonte në Vrëpckën e botues Mehmet Gëzhillit e pastaj udha merrte tatëpjetë për në Moglicë. I jap djaloshit shoqërues të fshatit 1 mijë lekë dhe e porosis që të tregonte kujdes për të.
Ndërkohë nën’ja i mbushi djaloshit çek një qese me ushqime dhe ujë…

 

I riu çek V. P. (Grevë, 2019) (Foto V.B.)

 

 

 

I riu çek V.P. në fshatin Grevë / Skrapar

***

Pasdite vonë, i ati i djaloshit shoqërues më thotë së gjithçka kishte shkuar mirë sipas porosive dhe udhëzimeve që i kisha dhënë.
Dhe kështu iku edhe djaloshi çek.

Sigurisht, mora vesh që ishte bashkuar me shoqen, me grupin.

Jo se më lajmëroi ai, por im bir pyeti shoqen e tij nëse ishte bashkuar me shokun dhe ajo i ktheu përgjigje duke e falënderuar: Po!

Endja e atij djaloshi çek nëpër Shqipëri nuk i ngjante, por ishte një aventurë e vërtetë. Unë dua jo të udhëtoj, po të shkel nëpër Shqipëri me tha. Sigurisht u ndjeva shumë i lehtësuar që aventura e tij me kokë në torbë kishte përfunduar me sukses. Në mendje më kaluan si në revistë disa ngjarje jo të këndshme që u kanë ndodhur Çekëve nëpër Shqipëri dhe unë u gëzova që ai qëndroi atë natë në shtëpinë e prindërve të mi në Grevë, duke shmangur ndoshta një rrezik të kuq. I paralajmëruari, i shpëtuari.

Dhe sigurisht, ai e kreu këtë udhëtim në këmbë nëpër vendin tonë duke i rënë që nga Korabi e gjer ne Korçë duke kaluar nëpër Skrapar, nëpër Tomorricë, nëpër Grevë. As qe e kish përfytyruar, as që më kishte shkruan në mëndje se do të kishte Çekë aq të krisur sa të kalonin në këmbë përmes Tomorricës nga Qafa e Dëvrisë, ku nis Baba Tomorri, rrëzë tij, nëpër Gjerbës, nëpër lumin e shteruar të Tomorricës, tashme në gjysmëgusht, nëpër Grevë, Postenë, Qafën e Gjalprit për të kaluar në Zonën e Oparit, Korçës.

Unë tashmë gjykoj e hamendësoj se kalimi natën nëpër malin e Grevës do të ishte një kërcenim serioz për djaloshin çek. Unë jam i atyre anëve, njohës i mirë i tyre, nuk kam lënë pëllëmbë pa shkelur qysh i vogël kur mblidhja lule, i rrahur me të nxehtët e me të ftohtët, por në kushte të tilla të sotme, kur ai mal është i mbushur me kope dhensh e dhish të cilat ruhen me qen për gjë (qen për gjë = qen gati të egër, sulmues ndaj gjithkujt që nuk e njohin), i mbushur me bisha (ujqër e arinj), nuk do të guxoja assesi të ndërmerrja një udhëtim të tillë fillikat natën pus. Por Perëndia Baba Tomorr, mendoi duke ma nxjerrë djaloshin çek në rrugë në çastin e duhur që ai ta kalonte natën qetë, pa i hyrë qoftë edhe një gjemb dëllinje në këmbë, në shtëpinë tonë modeste ne Grevë-Tomorricë / Skrapar.

Le të mos harrojmë se ditët 15 – 25 gusht njihen si Ditët e Shenjta të Babamal Tomorrit. Ai, pa u menduar për shpjegime se si e qysh, di t’i ndihmojë njerëzit ngado qofshin jo vetëm në ditët e tij, por gjatë gjithë vitit.

 

***

Këtë gusht qëndrova në fshat nja 10 ditë. Fshati dukej i rrëgjuar. Rruginat kishin nisur të zinin bar. Më është ngulitur një fjalë e urtë e popullit tonë: Udhën për te miku mos e lër të zërë bar. Por si i bëhet kur miqtë janë larguar e shtëpitë kanë rënë duke u kthyer në gërmadha. Greva me një shkëlqim të dikurshëm, tashme ishte vyshkur. I ishte përshtatur natyrës thatësore-gushtore. Tek tuk ka mbetur ndonjë oazë (familje) që mezi i bën ballë thatësirës (halleve ekonomike).

Fruti i vetëm me bollëk që vilnin / mblidhnin fshatarët e mi këto ditë ishin kumbullat e verdha e të kuqe të mbushura plot. Disa pemë ishin thyer nga pesha e madhe. Disa të tjera nga pjekja e madhe ishin bërë shuall përtokë dhe piqeshin edhe më shumë nën diellin përvëlues gushtak. Nuk mbaja mend që, tek mblidhja edhe unë kumbulla, disa kokrra ishin nxehur aq shumë sa të dukej sikur kapje thëngjij, gaca (shpuzatorë siç i thonë Tropojanët e mi apo kongjinj siç i thonë thëngjillit në numrin shumës në të folurën e Tomorricës). Kumbullat i mblidhnin për raki. Rrushi sapo kishte nisur të pshëjtej. Arrët dukeshin të plakura. Çezmat e fshatit (Popçja) kishte shteruar. Dy lëfytet e saj me ujë gati sa për një rremë mulliri, sot dukeshin si currila, a thua se kishe ngritur kazanin e rakisë, aq i hollë ishte peri i ujit që dilte prej tyre. Fuqia gërryese e rrebesheve të mëparshëm kishte gërryer vendin pranë çezmës në atë masë sa, po nuk u ndërmorën masa të menjëhershme, gjithë atë krua ku mbushnin ujë e lanin faqet e syçkat e bukura njëherë e një kohë ato çupa si perri, shpërndarë sot gjer në kontinentin amerikan, ku lanin amvisat e shtëpive grurin, rrezikon të përpihet krejt, duke i shkuar ai pak ledh që i ka mbetur dhe ata dy gurë në …lumë.

***

Ditët rrodhën me shpejtësinë i rakisë që rrjedh nga ullullaja e kazanit të rakisë. Fuçitë me kumbulla unë i mbusha, po atë do ta provoj kur ta nxjerrë babai, mjeshtër në këtë zeje.

***

Erdhe dhe dita e kthimit… Bashkë me tre shokë të tjerë nga fshati morëm Çimin të na sillte në Ujëmbret (Çorovodë). Tre shokët kishin hipur më përpara në makinë. Kur dal unë, vura re se ata (edhe pse dy prej tyre janë më të mëdhenj në moshë) më kishin lënë mua vendin e parë. Ne Skraparasit zihemi e për çnuk zihemi. Mbi pesë minuta ngula këmbë që në vendin pranë shoferit të ulej më i madhi se atij i takonte, por ai nuk pranoi që nuk pranoi. Jo thoshte, neve na bie radha shpesh, ti vjen më rrallë, ty të takon sot të ulesh në vendin e parë. Sakaq, shofer Çimi këputi një batudë të këndshme. Më tha ta kanë bërë me hile se ai që ulet në vend të parë, paguan kafetë në Gjerbës… Mbërritëm në rrugën copë-copë 10 km Grevë – Gjerbës. (Për shkak të gjendjes mjerane, kush merr makinën nga Greva ne Gjerbës e anasjelltas, duhet të paguajë 2500 lekë (të rinj.) për 10 km. U ulëm në një lokal, pimë kafen e mëngjesit dhe u çova, kur të tjerët s’kishin mendjen dhe pagova, sepse me ta të gjen belaja. Zihesh kot së koti. Zihesh se kush të paguajë. Secili hidhet i pari pranë kamerierit. Sigurisht bënë disa fjalë, por ngaqë s’kishte shumë kohë, u ngritëm për të përvijuar udhën Gjerbës – Ujëmbret. Udhës, edhe për shkak të Ditëvë Tomorriane, kishte shumë pluhur…

Mbërritëm në kohë, bash kur do të nisej autobusi nga Ujëmbreti për në Tiranë, në orën 9.00.

Aty takoj nja dy shokë… Njëri (Gjergj Qafoku), njohës i hollë e i thellë i Vërzhezhës e i krejt Skraparit si dhe i traditave të shëndosha bektashiane, pasardhës i Dervish Iliazit ( i cili ngriti teqenë në Kulmak /Tomorr në vitin 1916) po  kthehej nga rituali i përvitshëm i Tomorrit. E pyeta si ia kishte kaluar.

Nuk ishte aspak i kënaqur… Më tha dhe me tregoi me fotografi se kishte reklama. Se ç’do reklama në një festë sa paganë aq edhe fetare, eja merre vesh. Më tha se ishte ndërtuar pranë teqesë një lokal, gjasmë i pagëzuar më emrin si lokali i Teqesë, por që menaxhohej nga privatë të dëgjuar. Më tha se therja e bagëtisë (kurbani) ishte dhënë me “koncesion”. Kjo fli kushtonte 500 L, nga të cilat 200 shkonin për therësin (kasapin, mishtarin) dhe 300 për “koncesionarin”, ndërkohë që tradita e kërkon që kurbani të theret nga dervishë. Më tha se nuk zbatoheshin ritet tradicionale ku çdo bujtës-besimtar duhej të hynte në Teqe e të hante një lugë gjellë për sevap, siç e kërkon tradita, e jo t’i tregohet: Ja tek është lokali i teqesë. Shkurt, shmangie nga Tradita etj. etj…

***

Autobusi ecte… Bash kur merrte shpejtësi, duhej të ndalonte, sepse ngrinte dikush dorën mbanë rruge për 1-2 km. Autobusi ndalonte, merrte pasagjerin dhe vazhdonte dhe ky veprim bezdisës përsëritej gjithë rrugës, o për hipje, o për zbritje, madje edhe mbanë të ashtuquajturës autostradë.

Rreth orës 13.30 mbërrijmë në Tiranë.  Nga vendi ku na lë autobusi, një që duhet të hipi në autobusët qytetës duhet të bëjë rreth 200-300 m rrugë gjer te stacioni. Me të zbritur, shoferë të ndryshëm taksish gati sa nuk te fusin krahun e të të marrin çantat për në taksitë e tyre. Kur nuk do që të shkosh me taksi, ka edhe nga ata që të përcjellin me ndonjë sharje të cilën je i detyruar t’ua kthesh pa zë me të njëjtën monedhë në mos edhe ca më shumë.

Fakti që stacioni i autobusit është rreth 250 m larg stacionit ndërqytetës nuk do të thotë se është shumë larg. E keqja qëndron se gati 100 m gjatësi rrugore i zënë me dhjetëra taksi. A nuk do të ishte më e udhës që të këmbeheshin vendet, pra, në fillim të vendosej stacioni i autobusit brendaqytetës pastaj vendi i taksive?

Pas pak vjen autobusi. U nis gëç-gëç. Me shpejtësi breshke. Pas dy stacionesh qëndroi. Faturinoja zbriti dhe ndezi një cigare. Ne, shtrënguar si sardelet në konservë, shanim me vete. Gratë siç e kanë zakon mallkonin. Kishte edhe nëna me fëmijë të cilët qanin nga vapa. Kishte edhe të tjerë që vraponin dhe gëzoheshin që ia arritën të hipnin në autobus duke shmangur disa minuta pritjeje torturuese. Dikush që pa faturinon që pinte cigare me bllokun e biletave në dorë, zbriti duke thënë: Pa ta ndez edhe unë njëherë se m’u ça fyelli i hundës. Më së fundi autobusi u rinis ku me shpejtësi ngalakaqe si kërmill e ku si breshke. Pas mbi një gjysmë ore mbërrijmë nga dogana te stacioni “Vasil Shanto” të lodhur, të djersitur, por të kënaqur që zbritëm…

Këtu përfundojmë edhe pushimet udhëtuese të verës 2019.

Dhe, për ta mbyllur:
Robi nuk ka kurrë nevojë për më shumë pushime se sa kur kthehet nga ato!

***

Më poshtë, po japim disa fotografi të marra (shkrepura prej nesh V.B.) në fshatin Grevë / Skrapar.

 

Vajzë nga Greva (S.H.)

 

 

 

 

Viktor Bakillari
04 – 23 gusht, 2019.

 

 

 

 

Share: