Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama në një intervistë për “Together Magazine”, ka rrëfyer vitet e saj gjatë peridhës së komunizmit dhe pas rënies së regjimit.
Ajo ka thënë se kur kishte vajzën e vogël 2 vjeç, doli jashtë Shqipërisë për të kryer masterin, dhe aty u përball me një shko të vërtetë akademik.
“Vitet e mia i përkasin gjysma sistemit komunist, ku kaluan fëmijëria ime dhe shkollimi, përfshirë edhe punën time të parë në një ndërmarrje tipike socialiste, që shënoi kontaktin tim me praktikën e ekonomisë së ngurtësuar në plane të centralizuara; gjysma tjetër demokracisë, ku u përfshiva edhe unë në vorbullën e ndërrimit të dy botëve, si dëshmitare e historisë së një transformimi epokal.
Çfarë jete tjetër më interesante mund të kishte, sesa jeta e brezit tim, e ndarë në dy gjysma, në dukje nga larg si ajo shenja Yin&Yang, sa të ndryshme në shfaqje, aq te ngjashme, sa kundërshtuese aq komplementare! Kur bota e re, kishte saktësisht moshën e Reas, vajzës sime e cila ishte vetëm 2 vjeç, në vitin 1992, u largova jashtë vendit për më shumë se një vit për të kryer studimet master përgjatë një ballafaqimi dramatik me boshllëqet e mia. Një periudhë shoku i vërtetë akademik dhe kulturor dhe një hapësirë sa e jashtëzakonshme, aq edhe e frikshme reflektimi e uljeje në tokën e botës së dytë”, ka rrëfyer Linda Rama.