Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur përmes disa fotove në instagram, kritikëve që e konsideruan antikushtetues vendosjen e ushtrisë në Rinas, pas grabitjes të së martës.
“Forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Europës dhe botës demokratike, si reagim ndaj akteve cënuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato. Ndërkohë beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë. Prandaj kush flet për shkelje kushtetute, gjendje lufte, juntë ushtarake e marrëzira të tjera si këto, le të gjejë ndonjë arsye tjetër për të treguar se sa shumë i dhimbsen Kushtetuta dhe standardet demokratike” – shkruan Rama, bashkëngjitur fotos nga forcat e sigurisë në aeroportet ndërkombëtare.