Studiuesit e politikës kanë sot disa përcaktime sa i përket Partikracisë dhe akoma më shumë për Demokracinë, të cilën po jetojmë në shekullin XXI. Por, në një drejtim duket se shkojnë shumë pranë bashkë. Gjithçka, kudo në Demokracitë e Reja dhe në Shqipëri varet nga partitë politike të cilat janë në pushtet. Dhe, për ta zgjatur dhe më tej kronologjinë, vendi ynë ka qenë krejtësisht i varur nga politika qysh më 1944.
Dhe, realisht pas sloganeve për zgjedhjet e ndershme, ligjërimi i të gjithë liderëve të opozitës bashkohet vetëm në kërkesën për ikjen e Edi Ramës, ashtu si para tij përpjekja më e madhe e opozitës socialiste nuk ishin parametrat demokratikë, por thjeshtë dhe vetëm një: Ikja e Sali Berishës.
Qëllimi i Partikracisë nuk ngelet këtu: shkon edhe më tej, pasi lufta nuk bëhet për ideologjinë, e cila sot ka humbur në Shqipëri dhe po shuhet kudo në Evropë mes partive të Majta dhe të Djathta, por për atë që grupi i njerëzve të cilët kanë kapur ose zotërojnë një parti të zgjidhin interesat e tyre në funksion të mbajtjes sa më gjatë të pushtetit. Në emër të kësaj, bëhen ndryshime kushtetuese që në Shqipëri kanë kulmuar me ato që u bënë për skemën e zgjedhjeve që për asnjë kusht nuk i kundërshton dot asnjë nga dy partitë. Për partitë subjektet humane janë thjesht numërorë, që përdoren në mitingje ose që shërbejnë sipas interesave të partive ku aderojnë, kurse vetë politika e vërtetë nuk ka de facto as edhe një farë interesi për njeriun, pasi interesin e vërtetë e përmbledh ai segment i politikës, i cili bën ligjet e vendit.
Dhe, ky interes nuk është thjesht fitorja e zgjedhjeve, por zotërimi i skenës së propagandës dhe gjetja e interesave të vërteta që kulmojnë me votimin në parlament e që e mbyll të gjithë ciklin në një mandat politik. Me pak fjalë dhe shkurt, njerëzit e sotëm janë thjesht ata që detyrohen (e theksojmë) të votojnë, kurse politika merr produktin.
Parlamenti është shndërruar në kohën e Demokracisë në një mjedis, ku politika e sotme nën forcën e numrave, e artikulimeve dhe debateve vendos për vendin, por pa verdiktin direkt të qytetarëve të saj. Në sistemin tonë të sotëm fuqinë e ka politika, që prevalon mbi demokracinë, kurse detyra e votuesit është të zgjedhë një njeri ( i firmuar in person nga kryetari i partisë) të cilin as nuk e njeh e për më tepër që ai vetë është një zbatues i verbtë i platformës së partisë, që nuk është aspak më shumë sesa thjesht vendimi i kryetarit të partisë. Shembujt e demokracisë së brendshme te Partia Demokratike janë kundërshtuar nga vetë anëtarët, ashtu si shumë përfaqësues të Partisë Socialiste kanë akuzuar hapur mungesën e demokracisë së brendshme të partisë së tyre. Është kaq i errët ky zhvillim saqë qoftë edhe institucionet nuk ndajnë dot mënyrën sesi financohen partitë dhe strukturën e errët që publiku e merr vesh pjesërisht vetëm në çaste krizash partiake.
Në kohën tonë ka ardhur koha që njerëzit të kërkojnë pjesëmarrjen në demokraci dhe më shumë se kaq t’u njihet e vërteta dhe pjesëmarrja në politikë. Vetëm kaq. Por është për të ardhur keq: pasi politika, njësoj si në Komunizëm, zotëron gjithçka e cila është e mundur. Shqipëria jonë është Partikraci dhe fare pak Demokraci. (Homo Albanicus)