Visar Zhiti i përgjigjet ish-kryepolicit të Qafë-Barit: Paturpësi! S’kam punuar asnjë ditë në ofiçinë

Intervista

Poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti është përfshirë në një debat me ish-shefin e policisë së kampit të Qafë-Barit, Edmond Çaja. I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Zhiti tha se është paturpësi që një persekutor ngre gishtin mbi një të përsekutuar.

Visar Zhiti: Unë nuk kam punë me të, unë kam punë me shefin e policisë në kampin e Qafë Barit ku u bë një revoltë e rëndësishme e të burgosurve politike dhe dhuna policore, terrori i asaj kohe ndëshkoi burgun, pushkatoi njerëz, theu eshtra. 

Unë i përgjigjem këtij realiteti. Jam i detyruar ti përulem së vërtetës dhe të nderoj vuajtjen njerëzore dhe atë qëndresë të madhe dhe ta tregoj me gisht atë që pashë.

Beti Njuma: Nga letra e botuar nga ky person rezulton se njerëz që i kanë shërbyer atij sistemi diktatorial nuk kanë pendesë

Visar Zhiti: Po, ai bashkë me ata jo vetëm nuk shfaqin pendesë, por kanë paturpësinë që në një kohë tjetër, kur edhe ata nuk janë policë dhe unë nuk jam më i burgosur politike, flasin kundër viktimave të tyre. 

Në asnjë vend të botës nuk mund të ngrejë gishtin persekutori kundër të persekutuarve, sidomos në kushtet e tanishme kur unë jam në kohën time dhe me butësi tregojmë çfarë ndodhi, këta vërsulen në mënyrën më të përbindshme.

Nëse atëherë po bënte i detyruar detyrën, sot që nuk është më në atë detyre dhe jeton në një nga vendet më të demokratizuara, flet si një polic, ndëshkon si një polic dhe kjo është e patolerueshme.

Beti Njuma: Kjo ishte problemi i letrës së tij që ishte e mbushur me krenari…

Visar Zhiti: dhe me shpifje. Mund të jetë një krenari boshe. Ka dhe shpifje të padurueshme dhe të dënueshme. 

Ky njeri e shikon kalimin tim nga burgu i Spaçit në Qafë Bar si i dërguar, kur unë shkoj me të gjithë të burgosurit. 

Ky njeri, nëse është ende njeri, më thotë që kam punuar në ofiçinën e burgut. 

Unë nuk kam punuar asnjë ditë në ofiçinë, e tregojnë dokumentet e burgut. 

Nëse do të punoja, ofiçina është vend që të çojnë, nuk e zgjedh vetë. I burgosuri shkon në ofiçinë, shkon në berberhane, shkon dhe në pushkatim. 

Unë nuk kam qenë për asnjë sekondë bashkëpunëtor i tij dhe i askujt tjetër.

Është hapur dosja ime, njerëzit janë të lirë të flasin me dokumentacion.

Share: