Kina kërkon vajin dhe mjaltin shqiptar, nuk ka sinjale për investime

Aktualitet Politikë

Në darkën e pritjes për pjesëmarrësit e samitit të 8-të mes Kinës dhe vendeve të Europës juglindore, të Enjten mbrëma, kryeministri Rama u takua me Li Keqiang, homologun e tij kinez.

Ky i fundit, sipas agjencisë së lajmeve Reuters dhe asaj shtetërore kineze, i ka shprehur Kryeministrit shqiptar pëlqimin e tij dhe të qeverisë së tij sa i përket zgjerimit të eksporteve shqiptare drejt Kinës, sidomos për produkte si mjalti dhe vaji i ullirit.

Ndër të tjera, Li Keqiang mësohet se i ka kërkuar Kryeministrit Rama bisedime për eliminimin e vizave mes dy vendeve, një program për shkëmbimin e të rinjve, si dhe krijimin e marrëveshjeve dy-palëshe.

Rama mësohet se i ka kërkuar homologut të tij asistencë për burimet e kualifikuara njerëzore për të pasur mundësinë të trajnohen më tej në Kinë.

Shqipëria është i vetmi vend ndër ato të Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon qoftë edhe një investim të vetëm infrastrukturor nga Kina, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit.

Nuk dihet nëse përplasja më e fundit mes qeverisë shqiptare dhe koncesionarit kinez të aeroportit Nënë Tereza, i cili kontrollohet nga qeveria kineze, ka qenë ndër temat e bisedës mes Edi Ramës dhe Li Keqiang.

Punimet e Samitit që mbahet në Dubrovnik vazhdojnë edhe përgjatë së Premtes.

Share: