Pranoi mandatin, flet Ylli Shehu: Ja raportet që kam me ish-kolegët. Urdhëri që mora nga LSI

Aktualitet Kryesore Politikë

Ylli Shehu, kandidati në listat e LSI i cili pranoi mandatin ishte një ndër deputetët e rinj që u komentua më shumë.

Për “GSH”, Shehu mes të tjerash flet për këtë situatë. I pyetur se ç’raporte ka me deputetët e rinj dhe me ish kolegët e LSI, ai thekson se me të rinjtë kordinohet, ndërsa të vjetrit i ndan në dy kategori.

“Me kolegët ne përpiqemi të organizohemi dhe diskutojmë para çdo seance për të qenë të unifikuar e të qartë, e për të rrahur bashkë mendimet mbi aktualitetin.

Me ish kolegët nuk mund të them se kam ndonjë raport të veçantë, pasi shumica e tyre i kanë mbyllur sytë me shallin e errët të kryetares së partisë, dhe nuk flasin “me tradhtarët” siç më quajnë mua.

Ka ndonjë që e mban një sy hapur për të bërë “lajmësin” mes nesh që jemi në parlament dhe atyre që janë jashtë tij, por nuk besoj që ju ka funksionua”‘, ka thënë ai.

Më tej Shehu është pyetur nëse ka nga ata që kanë frikë të të flasin.

Nuk është çështje frike besoj, por koncepti që kanë për veten si qenie politike. Shumica e atyre që kanë ngelur janë mitingashë, që i ndajnë njerëzit në armiq klasash.

Ky nuk është rasti im dhe unë nuk funksionoj kështu.

Megjithëkëtë, në LSI kam ende disa miq të mirë që dalim mbi këtë ndasi mendjengushtë dhe vijojnë të kenë të njëjtin raport me mua, apo me kolegët e tjerë që pranuan mandatet“, është shprehur deputeti.

Ndërkaq, Shehu ka treguar nëse ka pasur bisedime me LSI përpara se të pranonte mandatin.

Nëse do të ishin kërcënime do të kishin përfunduar në organet kompetente. Biseda po.

Më kanë kërkuar të dorëzoj mandatin, pra të mos e pranoj qysh në fillim, ç’ka i quaj të natyrshme.

Por për mua është e papranueshme që këto kërkesa u bënë pasi LSI e kishte bërë fakt të kryer djegien e mandatit dhe nuk u konsultua me ne që ishim në listë.

Edhe kur na kërkuan të dorëhiqeshim, kjo nuk u shoqërua me ndonjë sqarim bindës dhe argumentues, por vetëm urdhërues. Mendoj që pati shumë probleme komunikimi dhe imponimi“, ka thënë Shehu.

Share: