Kosovë, Opozita dhe pozita dënojnë abuzimin e 16-vjeçares nga Drenasi

Aktualitet Kryesore Politikë

Deputetët e Kosovës gjatë ditës së djeshme kanë mbajtur debat parlamentar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual, të përdhunimit seksual dhe të abortit të paligjshëm ndaj një të miture 16-vjeçare në Drenas. Deputetët e pozitës dhe të opozitës kanë shprehur keqardhje për të miturën, e cila u dhunua fillimisht nga arsimtari i saj e pastaj edhe nga një polic hetues. Me këtë rast, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka fajësuar institucionet e drejtësisë në vend. Sipas saj, institucionet në vend kanë dështuar në lidhje me rastin e të miturës, shkruan Gazeta “Zëri”.

“Në institucionet e Kosovës janë plot abuzues. Në institucione ka njerëz pa pikë ndjeshmërie për dinjitetin e vajzave dhe të grave. Më tragjikja e kësaj historie është se kush e di se sa raste ka të tilla, por që shumicën e tyre nuk do t’i kuptojmë asnjëherë, sepse nuk do të flasin asnjëherë. Kjo ndodh për shkak se kur shkon në Polici të raportosh një dhunim dhunohesh seksualisht nga polici. Rasti i abuzimit të 16-vjeçares është dështimi i institucioneve të drejtësisë dhe një varg institucionesh tjera si ajo e arsimit, e Policisë dhe e shëndetësisë”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, Qeveria nuk është duke bërë asgjë për t’i mbrojtur gratë e vajzat nga raste të tilla. “Le të na tregojnë ministrat se çfarë kanë bërë për t’i mbrojtur gratë? Asnjë gjë nuk kanë bërë ata. Kjo është Qeveria me ministrat që nuk bënë asgjë në këtë drejtim. Institucionet e drejtësisë do të duhej të jenë vigjilente”, ka thënë ajo, shkruan Gazeta “Zëri”.

Në anën tjetër deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar që të gjithë deputetët nga opozita dhe nga pozita të bëhen bashkë në lidhje me rastin e 16-vjeçares së dhunuar në Drenas. Ajo po ashtu ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme që t’i shkarkojë të gjithë komanduesit në Stacionin Policor në Drenas. “Sot për këtë temë nuk duhet të jemi opozitë dhe pozitë. Sot duhet të jemi një nëse e kuptojmë që duhet të fillojmë të diskutojmë edhe për normat shoqërore hapur. Në vendet si Kosova abuzimi duket që shprehet në mënyrën edhe më të egër. Ky rast i 18-vjeçares nga Drenasi tregon edhe mekanizmin mbështetës nga familja. Nëna e saj nuk ka pasur mekanizëm në ndihmë. I them ministrit të Punëve të Brendshme që duhet të shkarkohet i gjithë zinxhiri komandues i Stacionit të Drenasit”, ka thënë ajo.

Ymeri: Nuk ndërtuam shtet që i mbron gratë, por shtet që i dhunon ato

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka vlerësuar se shteti nuk po i mbron gratë, por po i dhunon ato. Sipas tij, shtypja gjinore në Kosovë po vazhdon edhe më tej, shkruan Gazeta “Zëri”.

“Është e qartë se për vajzën nga Drenasi jemi tashmë shumë vonë. Në këtë drejtim kemi dështuar nuk ndërtuam shtet që i mbron, po shtet që i dhunon. Kemi mësuesin, policin dhe mjekun të cilët në sinkroni keqpërdorën pozitën zyrtare për t’u angazhuar në përdhunim sistematik të një të miture. Këta kanë pasur edhe një autoritet tjetër, ai është edhe autoriteti shoqëror e ai është të qenit burrë”, ka thënë ai.

Ndërsa deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se viktima e këtij rasti nuk është vetë. Sipas tij, rastet të tilla duhet të trajtohen.

Isufi: Kriminelët të marrin dënimin maksimal

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka kërkuar që të gjithë personat të cilët dhunojnë vajzat ose gratë të dënohen me dënimet maksimale. Isufi inkurajoi edhe të gjitha ato vajza dhe gra që mund të jenë pre e ngacmimeve ose e veprimeve që prekin moralet e tyre, t’i lajmërojnë institucionet përkatëse dhe drejtësia të vihet në vend.

“Çdonjëri prej nesh e dënon këtë akt dhe kërkojmë që drejtësia të veprojç, ashtu siç duhet në bazë të ligjeve në fuqi. Si deputetë ne kemi obligim që të japim ide për zgjidhje konkrete të cilat mundësojnë që të mos ndodhin veprime të tilla në shoqërinë tonë. Ne duhet të kërkojmë nga institucionet edukativo-arsimore të shtohet kujdesi. Të gjithë ata kriminelë që bëjnë veprime të tilla të dënohen me dënime maksimale”, ka thënë ai, shkruan Gazeta “Zëri”.

Reçica: Do t’u bëjmë thirrje autoriteteve që të marrin veprime për këtë rast

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, ka shprehur keqardhje për të miturën në Drenas e cila është abuzuar seksualisht nga mësimdhënësi i saj dhe nga një polic. Ai u ka bërë thirrje autoriteteve të vendit që t’i marrin veprimet e duhura që rasti i të miturës të zbardhet. “Është një ngjarje shumë e rëndë dhe patjetër se duhet të shprehim indinjatën tonë në lidhje me abuzimin seksual të një vajze të mitur në Drenas. Me këtë rast duhet të shprehim keqardhje për vajzën dhe për familjen e saj, për të gjitha ato dhimbje, vuajtje e keqpërdorime që ka kaluar e mitura dhe familja e saj. Ne e dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt. Ne do t’u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve që të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura me qëllim të trajtimit të këtij rasti me humanizmin më të lartë që drejtësia ta zbardhë rastin në tërësi”, ka thënë ai.

Reçica po ashtu kërkoi të punohet në parandalimin e rasteve të tilla. “Të gjitha institucionet të punojnë në parandalimin e rasteve të tilla. Duhet që ne të përqendrohemi te rastet e tilla dhe si deputetë të Kuvendit të gjithë të kemi vetëm një qëllim – të përqendrohemi në raste të tilla me qëllim që institucionet përkatëse të jenë shumë aktive në parandalimin e këtyre rasteve”, ka theksuar ai./ZËRI

Share: