Në kuadër të aktiviteteve për 70-vjetorin e krijimit të NATO-s, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, ka zhvilluar së fundmi një takim me Kryetaren e Kongresit amerikan.
Kjo e fundit u shpreh se “SHBA-të kanë mbështetur pa rezerva Shqipërinë në rrugëtimin e saj deri në anëtarësimin e plotë në NATO 10 vjet më parë e do vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe për aspiratën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”
Sipas njoftimit së zyrës së shtypit, në këtë takim, u ndanë qëndrime të përbashkëta për sa i përket forcimit të lidhjes Euro-Atlantike dhe u nënvizua fakti se kjo lidhje ka krijuar siguri dhe stabilitet për Shqipërinë dhe Ballkanin.
“Popujt e vendeve në të dy anët e Atlantikut, pjesë e Aleancës, ndajnë të njëjtat vlera dhe aspirata të mbështetura në parimet e demokracisë, lirisë dhe barazisë” u shpreh Cakaj.
Ministria e Jashtme njofton gjithashtu se në këtë takim u diskutua mbi zhvillimet politike në rajonin tonë dhe rolin konstruktiv që ka luajtur dhe vazhdon të luajë Shqipëria në funksion të zhvillimit dhe integrimit të gjithë rajonit tonë në strukturat Euro-Atlantike.
“Shqipëria ka çmuar përherë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe ky partneritet përbën një nga elementet kryesorë në politikën e jashtme dhe angazhimin e Shqipërisë në rajonin tonë” theksoi Cakaj.
