“Kishte frikë për jetën”, gazetari: Dje fola me Astrit Bilalin, ja ç’më rrëfeu…

Kronikë

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka zbuluar të tjera detaje rreth vrasjes së vëllezërve Bilali, paraditen e sotme në Shkodër. Ai shprehet se vetëm një ditë më parë ka kontaktuar në telefon me të ndjerin Astrit Bilali dhe ky i fundit i ka konfirmuar faktin se ndihej në rrezik.

Sipas Hoxhës, vëllezërit Bilali prej disa muajsh bënin lëvizje të kufizuara, vetëm për t’u kujdesur për kuajt e tyre, pasi kishin pasion të veçantë për hipizmin. Ata ndiheshin të rrezikuar, që prej ngjarjes së shtatorit 2018 ku miku i tyre, Arjan Ferracaku u vra në hipodromin që është pronë e tyre.

Dje kam komunikuar me të, kishte shqetësim në lidhje me ngjarjet e fundit në Shkodër dhe me mos reagimin e policisë. Kishte kohë që rrinte i mbyllur dhe bënte lëvizje shumë të kufizuara. Dilte nga shtëpia vetëm për t’u kujdesur për kuajt”, tha Hoxha.

Gjithashtu Astrit Bilali kishte frikë prej aktiviteteve të të birit, ish-kampionit të boksit Astmer Bilali, i cili është pjesë e grupit kriminal “Bajri” dhe mund të ketë ndihmuar në realizimin e vrasjes së Fatbardh Licit në gusht 2018.

Astmer Bilali ishte në rrethin e të dyshuarve si ekzekutor, në sajë të dyshimeve të paprovuara.

Hoxha gjithashtu theksoi se pas një muaj izolim në shtëpi, Astrit Bilali doli nga banesa  në shtator të 2018-ës, për të pritur një grup vizitorësh në resortin e tij me kuaj, e njëjta ditë kur u vra Ferracaku. Gazetari tha në “Report TV” se kjo vrasje ishte për t’i treguar fisit Bilali se tashmë shënjestra e grupeve kriminale ishte drejtuar nga ta.

Qëkur ka ndodhur vrasja e Arjan Ferracakut në shtator 2018…Një muaj para shtatorit Astrit Bilali nuk kishte dalë nga banesa prej një muaji. Atë ditë i kishte ardhur një grup turistësh për të bërë shëtitje, se ai ka disa kuaj është pasioni i tij hipizmi, dhe për fat të keq u vra Arjan Ferracaku. Asnjë implikim nuk i gjendej atij njeriu në aktivitete kriminale.  Vrasja e Arjan Ferracakut ishte sinjali që Astrit Bilali dhe pjesëtarë të familjes së tij ishin vënë në listën e ekzekutorëve në Shkodër. I hodha një sy mesazheve që kisha shkëmbyer me të, dhe ai shprehet qartë që është në një situatë të vështirë asi dhe familja e tij. Shkodra ka kaluar në ’97-ën”, tha Artan Hoxha.

Share: