Për herë të parë që prej më shumë se dy dekadash, Greqia e ka ulur flamurin si investitori më i madh në vend. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të katërt, Greqia kaloi si investitori i dytë në vend, sa i përket stokut, duke ia lënë vendin Zvicrës.
Stoku i investimeve nga Zvicra në Shqipëri arriti në fund të 2018-n në 1.3 miliardë euro, duke përbërë 17.3% të totalit prej 7.7 miliardë eurosh që kanë investuar shtetet e huaja në Shqipëri që pas viteve ’90.
Greqia, që për shumë vjet ishte investitori më i madh në vend, kishte në fund të vitit një stok prej 1.2 miliardë eurosh, ose 16% të totalit. Vitet e fundit, ky tregues ka qëndruar pothuajse në të njëjtat nivele, duke reflektuar stanjacionin e kompanive të telekomunikacionit, të cilat në një treg të maturuar nuk po bëjnë më investime. Që prej fillimit të viteve 2000, dy kompanitë që hynë në tregun e telekomunikacioneve përmes Greqisë, Cosmote dhe Vodafone realizuan investime të larta në Shqipëri. Cosmote u tërhoq nga Shqipëria në fillim të këtij viti duke shitur aksionet e Telekom Albania tek shoqëria “Albania Telecom Invest AD”, një shoqëri e themeluar dhe e regjistruar në shtetin Bullgar.
Edhe bankat me kapital grek po tërhiqen gradualisht nga Shqipëri. Në vitin 2010, katër banka me kapital grek zinin rreth 24% të aktiveve të sistemit bankar shqiptar (Alpha Bank, Tirana Bank, NBG, Emporiki), ndërsa sot ka mbetur vetëm një bankë, që zë rreth 5% të totalit (Alpha Bank). Të tjerat u shitën apo janë në proces shitjeje si rrjedhojë e strategjisë së bankave greke për tu tërhequr nga rajoni.
Investitori i tretë më i madh në vend këtë vit ka kaluar Holanda, me një stok prej 1 miliardë eurosh (13.6% e totalit), përmes kompanisë, që po ndërton hidrocentralet mbi lumin e Devollit. Ndonëse tashmë, HEC i Devollit po ndërtohet nga norvegjezët e Statkraft, Banka e Shqipërisë e pohon se investitori direkt i Statkraft është holandez.
Si investitor i katërt ka kaluar Kanadaja (prej shumë vitesh i dyti), me 951 milionë euro në fund të 2018-s, ose 12.4% e totalit . Efektin e ka dhënë Bankers Petroleum, e cila ndonëse tashmë është shitur te kinezët e Geo Gade, konsiderohet me kapital kanadez.
Italia, ndonëse është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe ka numrin më të madh të bizneseve të huaja renditet e pesta për nga stoku i investimeve, me 686 milionë euro (8.9% e totalit). Nga Italia kanë munguar investimet e mëdha në vite dhe sipërmarrjet që kanë hyrë janë përgjithësisht të vogla. Në vend të pestë renditet Turqia, me një stok investimesh prej 604 milionë euro, ose 6.9% e totalit. Investimet kryesore të Turqisë janë në telekomunikacione dhe banka.
Më pas vijnë Austria me 525 milionë euro, me investime në banka dhe energji; Franca, me 297 milionë euro, me një rritje të ndjeshme vitet e fundit si rrjedhojë e kompanisë Spiecapag, që është nënkontraktor i gazsjellësit TAP; Qipro me 158 milionë euro dhe Gjermania me 133 milionë euro/Monitor