Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të vizitojë Korçën këtë të premte. Ai pati fillimisht një takim me studentët ekselentë të cilëve u kërkoi të aplikojnë për punë në administratë pasi janë 800 vende të lira pune për ata me nota 9 dhe 10.
Dhe pasdite shefi i qeverisë është ndalur në një takim publik, që është i pari i ciklit kombëtar “Bashkia që duam”, e që i ngjan formatit të një tubimi që shënon hapjen e fushatës për zgjedhjet lokale të 2019-ës.
Duke pasqyruar të gjitha investimet e qeverisë në këtë bashki, Rama tha se PS nuk e ka problem si të zgjidhet nga populloi për të vijuar drejtimin e vendit, por si të vazhdoj të fitojë për të punuar për qytetarët.
“Ne nuk e kemi problemin si të zgjidhemi. Ne e kemi problemin si të vazhdojmë të garantojmë që qytetarët të fitojnë më shumë. Fituesit merren me fitoren, humbësit me fituesit. Ne merremi si do fitojmë përsëri për të fituar më shumë qytetarët, kurse ata merren me ne”, tha Rama duke thumbuar opozitën.
Ai madje kërkoi falje për sherret e së enjtes në Parlament, të cilat i quajti mëkate.
“Më falni për mëkatin e së enjtes, por siç thotë ajo shprehja: Kush fle me qenin, gdhihet me pleshtat”. Ndonjëherë përzihemi dhe ne me ata por një gjë është e sigurt që ne s’jemi si ata ne jemi ndryshe”, deklaroi shefi i qeverisë.