MOIKOM ZEQO
Buruh Spinoza – lëmonte lenten ,– kur e pa Zotin! –
Zoti, – duke fërkuar, – mjekrën, – e shikoi dhe ai , – me ngulm, – përballë.
Dhe e pyeti, – për Shkakun e Parë. – Pas heshtjes – së Spinozës – e pyeti – për Shkakun Përfundimtar. –
Zoti i hutuar, – kollitet! –
Dhe i tha: – “I di fjalët e tua, – kur flet, – latinishten tënde, – gjeometrike, – sintaksën e qartë, – simetrinë, – e konkluzioneve! – Tani, – do të të flas, – për Çështje të Mëdha! – Shihi, – duart e tua, – të drithëruara, – të sfilitura, – ti sytë – i prish – në errësirë, – sa keq ushqehesh, – sa mjerueshëm vishesh! – S’ke as shtëpi, – për të qenë! – Kujdesu, – për të ardhurat, – si kolegu yt Dekarti, – bëhu dinak si Erazmi i Roterdamit! – Kushtoja traktatin, – një Princi, – a Luigjit XIV, – sepse edhe ashtu – s’do ta lexojë! – Qetësoje, – furinë racionale, – mendo, – për grua, – që të dhuron familje, – ja, Çështjet e Mëdha! – Dua të jem i dashur, – zemërgjerë, – me të paditurit, – që gjoja, – mua më gjykojnë!” –
Dhe Zoti, Zoti, – zhbëhet si imazh! –
Heshtje e pafund! –
Spinoza, mbeti, – vetëm, – krejt vetëm, – në pafundësi.
Sheh errësirën.
Dëgjon – kërkëllimën, – e hapave, – nëpër shkallët, – që zbresin poshtë… – në bodrum, – a në rrugë!
2004
JETËT E DIKURSHME TË POETËVE
Ah, – jetët e dikurshme – të poetëve, – tashmë – të yllëzuara!
***
Njëqind engjëj bronxi – të Parajsës – derdhen – për statujën time të Ferrit!
***
Ikonografia prometike – më ka ngrirë – në shkëmb!
2004
S’KAM NEVOJË PËR VIZITAT E PERËNDIVE
Pa lëvizur, – shoh gjurmët e mia, – që shkëlqejnë, – mbi pllajën e mendimeve! – Fantazma ime, – më ka paraprirë, – në të gjitha hapësirat!
***
Statuja! – O, Llazarë – sende! – Ringjalljen – e kemi – harruar!
***
Gjethet, letra fati, – në duart – e erërave! – Tani sendet, – janë transparente – si shiu! – Rri përballë – detit, – ah, deti, – deti! – S’kam, – më nevojë, – për vizitat – e perëndive!
2004
PA VDEKJE TË DYTË
Natë! – O Madhështorja Natë! – Plot yje – të vetëflijuar!
***
E dashur – mos vdis!
***
Kurrë – mos vdis! – Mos vdis! – Mos vdis!
***
Vdis – tjetër shekull ! – Tjetër mijëvjeçar ! – E dashur, – mos vdis !
***
O qytete pluskuese, – nëpër qiej të gurëzuar !
***
Qershia, – vejushë e shekujve, – e vajtoi – Poetin, – që kurrë, – s’i botoi – poemat e mëdha !
***
Erdhi çasti ! – Kur të vdekurit, – do të kenë ringjallje, – por vdekje të dytë jo !
2004
SHPIRTRA TË HUMBUR
Sa shpirtra – të humbur ! – Frymojnë, – në zemra lulesh, – dhe kuajsh !
***
Si një alkimist, – i thinjur, – dhe i drobitur – dua, – hijet e të vdekurve, – t’i derdh, – në kallëpe, – për skulptura – prej ari shkëlqimtar!
***
Mbretëreshës së Metafizikës – do t’i jap, – një portokall të freskët, – ta shijojë, – të thartohet, – po të dojë, – të tmerrohen – abstraksionet!
***
Pastaj – se nga vijnë – ca fantazma – si shtazë hënore, – të pabesueshme !
2004
REALITETI MË GRISH PËR TË MË VRARË
I dua fluturimet, – e zogjve, – të papërmbajtur, – në fshehtësi – zogjtë – janë – Kolombë të Parajsës! – Vjeshtë! – O Festë e Shpirtit! – Muzikë e Ideve! – S’erdhi kurrë – Engjëlli i Ndëshkuar, – në terrin – e vetmive të mia – marramendëse! – Lëkunden, – drithërohen, – algat e Misterit! Realiteti, – më grish, – ëmbëlsisht, – për të më vrarë, – dhe ca kuaj të luanizuar – janë imazhi – i së Dielës së Zotit. – Kush – e kalëron, – Kohën, – me jele ankthi, – dhe patkonj tipografikë?
2004
BOTA NDRYSHOI, KUR UNË NUK ISHA
Bota ndryshoi, – kur unë, – nuk isha! – Tri Magët, – e hipur – mbi devetë e shenjta – shtegtojnë, – dunave të rërës, – mes palmave, – gjarpërinjve, – oazeve të ëndërrta, – të gjejnë Kuintesencën! – Kush – i dha – një liri, – kaq të pacak – edhe ndërgjegjes time, – endacake? – Nga gjaku im, – gjelbëron, – më shumë, – dhe rritet – dafina! – Më të qëndrueshëm, – bëhen gurët! – Dhe unë, – ndez, – kudo, – zjarre, – po që s’i ngrohin dot, – të vdekurit!
***
Bota ndryshoi, – kur unë – nuk isha! – Nga një Tjetërkohë – shikoj – dhe hesht!
2004
TËRË HAPËSIRAT NË NJË SY MËLLENJE
Tërë hapësirat, – që u mahnitën, – nga princi Buda, – u koncentruan, – në një sy mëllenje! – Dhe mëllenja – klithi, – dhe u zhduk – në fluturim!
***
Je vous aime myste’res jumeaux,
Je touche à chacum de vous,
J’ai mal at je suis léger.*
***
Letra, – ballit tim, – e rrudhosur, – mijra e mijra herë – nga gishtat, – e vështrimeve, – të të tjerëve ! – Ç’dorëshkrim, – mund, – të lexohet, – aty ?
***
Nëse kërcej, – mbi një humnerë, – a është, – kjo, – mënyra, – për të rilindur ?
2004
* Ju dashuroj mistere binjakë,
Prek secilin prej jush
Vuaj dhe ndihem mirë.
(vargje frëngjisht të René Char.)
DIELLI DHE HËNA, RISHTARËT E MI
Në pëllëmbën, – e Dashurisë, – thërrmohet, – Koha! – Statujat, trokasin këngët – si protestë – ndaj Amëshimit!
***
Kalendarë – të vuajtjes – me Festa të Munguara!
***
Dhe ndjej, – këngëtimin, – e hapësirave – në ekstazë!
***
Dhe Vdekja – është – Shakaja e vockël, – e Zotit, – për secilin!
***
Dhe jam, – si një murg, – me Diellin, – dhe Hënën, – rishtarët e mi!
2004
SHKËMBEJTË SHPËRNDAHEN SI METEORËT
O, si duken – mbi liqej ëndërre – ca mjellma negre! – Habia, – kap, – prej flokësh, – vjeshtën – dhe grindet!
***
Qyteti në shi! – Tani pullazet – dhe tjegullat – janë paruke ime, – egjiptiane!
***
Një peshk – percepton – Hënën! – Ç‘imagjinatë, – krijohet, – në trurthin e tij? – Ç‘metaforë të çuditëshme – fitojmë – kështu?
***
Shkëmbejtë, – lëvizin, – të shpërndahen – si meteorët!
2004
TIGRAT E FJETUR TË GJAKUT
Gojët – e statujave, – plot klithma, – janë! – Por ju, – s’i dëgjoni! – Ju, – s’i dëgjoni!
***
Mbrëmja, – ngushëllon, – Amëshimin – tim, – të shkurtër!
***
Po e pi, – po e pi, – këtë verë dionisiake – e di, – që do të gurgullojë, – edhe në laringun – e Saturnit – në qiej!
***
Tigrat e fjetur, – të gjakut, – tani, – zgjohen, – të më shqyejnë – ëndërrat – dhe realitetet!
***
Dhe zbuloj, – trandafilë, – që janë, – njëkohësisht, – edhe jargavanë!
2004
DETE TË PLOTË, TË TALLAZITUR
Jam gur i rëndë! – S’ngrihem dot, – për miqtë e mi, – fluturakë!
***
Fjalët, – i sjellin, – shpirtit, – stolira të rralla!
***
Krejt i gjallë – jam, veç, këtu!
***
Kur të vdes, – do të jem, – gjithandej!
***
Deti! – Deti! – Deti i agimtë, – si Imagjinata, – që morri, – në Pas-jetë, – De Rada!
***
Dhe Poezia, – është dashuri, – pa martesë !
***
Trupi im, – ndahet, – me mijëra copa, – për t’u rikarnuar – te tërë qeniet !
***
Fluturimet, – e pulëbardhave, – më përhapen, – nga balli, – si fijet e flokut, – shpupuritur, – nga flladet – e Jonit !
***
O, si thërrmohen, – mbi strall, – kuajt – prej qelqi, – të shiut !
***
Dhe kërkoj, – Madhështinë, – e së Thjeshtës, – përtej, – mashtrimeve, – të fakteve, – të shpikura ! – Dhe me vetëdije, – i mbush, – humnerat bosh, – dhe i bëj, – dete të plotë, – të tallazitur !
2004
DETET TESPIJE
Vdekja, – ah, – Vdekja, – pjell njëmijë dreqër, – pas tyre, herë pas here – vjen – ndonjë engjëll !
***
Kerubinët – më thërrasin, – janë larg, – zërat, – i kanë shurdhues ! – Po unë – s’u shkoj pas !
***
Ëndërrat, – thurën imazhe, – për mua ! – E unë, prej tyre, – shumëzova, –vreshtat, – e Dionisit të Pavdekshëm !
***
Si dishepull i Budës, – jam në shpellën qiellore, – krejt i heshtur, – dhe mbaj detet, – në duar – si tespihe metafore!
2004
KËMBËZBATHUR TEK PORTA E PRANVERËS
Syri – hapet – si pëllëmba e shtrirë – e një vigani – për një lëmoshë diellore! – Dhe yjet, – japin shpirt – e bëhen – zajë deti!
***
Këmbëzbathur – përplasem – tek Porta e Pranverës!
***
Dhe e Panjohura – ka kohë – që s’përplaset – në ballet tona, – vulgare!
***
Lavdia, – e çastit, – prej vese – është!
***
Kjo amforë antike, – në skaj të muzeut, – i jep formën e vet, – si ujit, – vetë Zotit, Zotit!
2004
GJETHE TË HUAZUARA NGA EDENI
Ç’janë, – këto gjethe, – që bijen – nga lart? – Gjethe, – të tjetërsojshme, – huazuar, – nga kopshti – i Edenit!
***
Dhe truri im, – është i mbyllur, – si një i çmendur, – në kafazin, – prej ari elektrik, – të rrufeve! – Po ulërimat, – askush, – s’ia dëgjon!
***
Engjëll, – me krahë squfuri! – Vetëm njerëzit vdesin, – thotë deti!
***
Me gjakun tim, – surrealist – Salvator Dalia, – pikturon – më tepër Luçiferrin, – se sa Krishtin!
2004
HAPËSIRA REBELE ME SPALETA VJESHTE
Vetmia – e namatis – Poetin! – Por ai – më shpesh – bëhet – shtyllë kurrizore – e çdo shtrëngate serioze – të ideve!
***
Sa enigma – qiellzojnë – mbi mua!
***
Një Whitman – vjen në mbrëmje, – në studion – e librave, – me frakun – e Abraham Linkolnit ! – Po s’di – me ç‘ta gostis!
***
Pafundësisht – vdesin njerëzit – që s’mësuan – të rrojnë!
***
Vrapon – Hapësira – Rebele, – me spaleta Vjeshte!
2004
I ZHDUKURI I MADH DO TË KTHEHET
Hijet e poshtme, – të të vdekurve, – kanë ngecur, – tek rrënjët, – e drurëve! – Kur lulëzojnë qershitë – nga lulet – del – një frymëmarrje e çuditëshme, – me një heshtje shumëkuptimshme, – që flet – më tepër – se fjalët!
***
Nennt ihr das Seele, was so zge zirpt in euch? Was, wie der Klang der Narrenschellen um Beifall bettel und um Wurde Wirbt, und endlich arm ein armes Sterben stirbt Im Weihrauchabent gottischer Kapellen – nennt ihr das Seele?*)
***
Në zgavrat – e epërme – të reve – rrinë si asketë – ca rrufe të plogëta! – Shtrëngata! – Hidhini, – hidhini – në hapësira!
***
I shpik, – portat, – që s’janë më – të Jeruzalemit Qiellor – por prap – askush – s’hyn në to! – Ajme!
***
Dhe Shpirti – masakrohet – si një Revolucion, – i Tradhtuar!
***
Koha – është mosbesuese, – por Hapësira – e di, – i Zhdukuri i Madh, – do të kthehet – një ditë – më në fund! – Ave! – Ave!
2004
* „A e quani ju Shpirt, këtë që i ndruajtur cicëron brenda jush? Këtë, që si një tingull zilkash të një loloje, për duartrokitje lutet dhe për dinjitet, në fund, i vdekur, dhe i varfër, mbaron në mbrëmjen e temjanit të Kapelës gotike dhe ju këtë, – e quani Shpirt?“
(vargje në gjermanisht të Rainer Maria Rilkes)