Akuzat e Kryemadhit, Gjonaj: Në skandalin e tenderave të përfshirë njerëz të LSI-së

Aktualitet Politikë

Ministrja e  Drejtësisë, Etilda Gjonaj, vetëm pak më parë ka dhënë një deklaratë për shtyp ku iu është përgjigjur akuzave të Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.

“Zonja Kryemadhi më ka sulmuar familjarisht pas arrestimeve të një grupi personash që dyshohen se janë përgjegjës për disa shkelje dhe abuzime në ministrinë e Drejtësisë në vitet e kaluara.

Arrestimet erdhën pas një kallëzimi të bërë dhe pas disa inspektimeve mbi procedura skandaloze tenderimesh, këto kanë mjaftuar që Kryemadhi të më shantazhojë. Unë nuk jam këtu për t’i kthyer një përgjigje asaj, por për ti thënë kujtdo që nuk mund të më ndalë kush për të bërë detyrën time. Procedura e tenderimeve ka qenë abuzive që u bënë shkak për hetimet dhe arrestimet.

Sulmi vulgar ndaj meje nuk erdhi si rrufe në qiell të hapur, unë u sulmova me qëllimin e vetëm për t’u sulmuar drejtësia. Me qëllim të këtij sulmi që nuk do të ndalet i bëj thirrje që të bëhet hetimi ndaj atyre që kanë bërë shkelje në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.

I kërkoj prokurorisë që të mos intimidohet ndaj atyre që shkelin ligjet. Procedura nga abuzimit me tenderat duhen zbardhur deri ne fund dhe ata që kanë hedhur firmat të mbajnë përgjegjësi. Drejtësia nuk duhet të jetë selektive, të gjithë të përgjigjen njëlloj. Ofensiva tërësore e opozitës ndaj prokurorisë nuk është e rastit, sulm ndaj reformës në drejtësi. Ata duhet ta tregojnë mbështetjen me vepra, jo me fjalë”, tha Gjonaj.

Ndërkohë nga ana tjetër Kryemadhi në një intervistë për mediat menjëherë pas takimit me ambasadorët e BE-së ka mohuar akuzat për shantazh kundrejt ministres Etilda Gjonaj.

“Mos bëjë si virgjëreshë se ndërsa një qytetar i thjeshtë për t’u rikthyer në vendin e punës duhet të bëjë disa muaj gjyqe, bashkëshorti i ministres u kthye vetëm pas një jave gjyq në punë”, u shpreh Kryemadhi.

Share: