MOIKOM ZEQO
A është shtypi dhe sistemi mediatik në Shqipëri i lirë? Nëse është i lirë, në ç‘masë është i lirë? A mund të kuptojmë një liri të vërtetë, apo duhet të gënjehemi me një liri të rreme? Një alibi e lirisë është një manipulim i lirisë. Një manipulim i lirisë është një deformim i shpirtit njerëzor, është një krizë e tmerrshme e tjetërsimit
***
A është shtypi dhe sistemi mediatik në Shqipëri pushteti i katërt? Në ç‘kuptim artikulohet togfjalëshi “pushtet i katërt”? Teoricienët kokëfortë të demokracisë kinse i ndajnë pushtetet: në pushtetin parlamentar, në atë ekzekutiv, si edhe në atë gjyqësor. Një rinovim i teorisë tepër të çuditshme të demokracisë ka krijuar konceptin e pushtetit të katërt, domethënë të shtypit dhe të medias. Sartori mendon që ky pushtet i katërt me kriticizmin e tij mund të gjallërojë dhe të krijojë koncepte më autentike të tre pushteteve të tjera. Ernest Gellner mendon se shoqëria civile ka vetëm pushtetin e katërt. Në të vërtetë, sipas Gellnerit, vetëm shoqëria civile duhet ta rrisë sferën e ndikimit të saj në kriticizmin ndaj shtetit. Raporti romantik madje edhe utopik, midis shtetit dhe shoqërisë civile, duhet bërë më në fund real. Po si? Vetëm duke zvogëluar atributet e shtetit dhe duke shtuar dhe fuqizuar atributet e shoqërisë civile. Në fund të fundit duhet të ketë një ekuilibër. Në fund të fundit duhet të ketë një logjikë. Kjo kërkon një pavarësi më të madhe të shoqërisë civile ndaj shtetit. Kjo kërkon një ndërgjegje të kësaj pavarësie. Po a ekziston një pavarësi e tillë? A ekziston ndërgjegjja e një pavarësie të tillë? Kush duhet ta krijojë këtë ndërgjegje? Shteti? Tre pushtetet që lidhen me vendimmarrjen? Pushteti parlamentar? Ekzekutivi? Gjyqësori? Duhet që pushteti i shtypit dhe i medias të konstruktojë fuqinë, besueshmërinë dhe ndikimin e patjetërsueshëm. Duhet që pushteti i katërt, madje të arrijë maksimalen, nëse nuk arrin idealen. Pushteti i katërt duhet të ketë jo vetëm imazhin e lirisë, por duhet të jetë vetë substanca e lirisë. Nëse pavarësia, pariteti i tre pushteteve të tjera është i mangët, pavarësia dhe plotfuqishmëria e pushtetit të katërt nuk duhet të ketë asnjë mangësi. Po a është kështu? Kush mund të thotë në Shqipëri se pushteti i shtypit dhe i medias ekziston? A merret parasysh ky pushtet nga pushtetarët realë? Në fund të fundit, mund të pyesim: A ekziston opinioni publik në Shqipëri? Qoftë edhe i brishtë? A merret parasysh në vendimmarrjen politike ky opinion publik? A kanë një status të lartë në shoqëri intelektualët dhe përfaqësuesit e opinionit publik? Nëse ata nuk përfillen fare, atëherë përse duhet të themi se ekziston opinioni publik në Shqipëri?
***
A ka shtypi dhe media pavarësi dhe profesionalizëm në Shqipëri? Kjo është një pyetje tmerruese. Por është një pyetje e vërtetë? Një rrjet i madh gazetash dhe mediash elektronike përbën një dekor barok. Duket sikur është arritur një rekord i pluralitetit mediatik dhe fjalës së shkruar. Por si qëndron e vërteta? Shtypi dhe mediat elektronike nuk kanë qenë kurrë më të ndërvarura sesa sot nga grupet e interesit. Nëse këto grupe të interesit do të përfaqësonin shoqërinë civile, loja e tyre konkurruese do të ishte një shpresë. Por grupet e interesit janë të lidhura me fondet dhe tenderat që kanë të bëjnë me ekzekutivin. Është krijuar një sinkretizëm dhe një simbiozë me pushtetin politik. Kjo simbiozë nuk është thelbësisht politike, sesa është edhe ekonomike. Por pushteti politik, sipas çdo kushtetute demokratike, është ciklik dhe alternativ. Pra, i përkohshëm. Kurse pushteti i katërt, në të gjitha pikëpamjet, duhet të jetë i përjetshëm. Kështu, pushteti i katërt humbet atunë e tij më të madhe dhe më substanciale.
***
Debatet që bëhen për amendamentet mbi mediat shqiptare pasqyrojnë paradokset e mëdha dhe të çuditshme të asaj që unë thashë më sipër. Kuptimshmëria e tyre nuk buron nga qartësia e kuptimeve demokratike, por nga pragmatizmi i egër i interesave.
***
Mund të thuhet se varësia e pushtetit të katërt është në të gjitha kohërat. Mund të thuhet se pavarësia e pushtetit të katërt është një utopi. Por në botë ka lindur një njeri, i cili synoi Shekspirizmin e gazetarisë, pavarësinë e saj të plotë. Ky ishte njeriu i madh dhe i papërsëritshëm, heroi më i patjetërsueshëm i fjalës së shkruar, përtej të gjitha kompromiseve dhe konjukturave, gjeniu gjerman Karl Kraus. Ai vdiq 70 vjet e ca më parë. Ai krijoi organin e tij të shtypit, të quajtur “Die Fackel” – “Pishtari”, të cilin e botoi me shpenzimet e tij, për të mos qenë i ndërvarur nga interesat e mirëfillta monetare. Ai botoi 583 numra të këtij organi, vetëm me shpenzimet e tij. Asnjë organ tjetër shtypi në botë nuk ka bërë epokë si “Pishtari”. Asnjë drejtues dhe krijues i publicistikës luftarake, me inteligjencë të shumëfishtë, nuk është vlerësuar në botë nga personalitetet më të mëdha të kulturës europiane, si Karl Krausi.
***
Ata që e ndërrojnë pavarësinë e pushtetit të katërt, mund të vdesin pa e njohur kurrë këtë pavarësi. Ata mund të artikulojnë fjalë teorike dhe të zbrazëta. Pa qenë kurrë të pavarur. Vetëm Karl Krausi e ka këtë të drejtë, që quhet më i pavaruri nga të gjithë. Një organ i pavarur shtypi është një garanci më e madhe e lirisë së mendimit, sesa të gjitha institucionet e tjera të ashtuquajtura demokratike. Atë që mund ta bëjë një gazetë e pavarur, nuk mund ta bëjnë as vetë partitë që mëtojnë fitoren në zgjedhje. Popullariteti i një gazete të pavarur mund të ketë një fuqishmëri morale dhe jetike, më tepër sesa kryeministrat dhe liderët e partive. Për fat të keq, një pavarësi e tillë në Shqipëri nuk ekziston. Vetëm elementë të kësaj pavarësie, ende mbijetojnë.
***
Le të kthehemi te Karl Krausi. Një nga figurat më të mëdha të mendimit kriticist dhe intelektual të Europës, në gjysmën e parë të shekullit XX, Valter Beniamin, ka shkruar vlerësimet më të larta dhe epigramatike për veprën epokale të Karl Krausit. Është ai që ka thënë se “fjala në gazetë mund të ketë shekspirizëm. Gazeta mund të jetë një mundus intelligibilis”. “Pishtari” i Karl Krausit ka qenë një nga eksperimentet e mëdha. Ai sfidoi gazetarinë konformiste. Valter Beniamini shkruan: “Urrejtja me të cilën Karl Krausi përndjek skortën, pafundësisht gëluese të gazetarëve, më tepër se morale, është jetike: Shprehja e shpërdoruar – opinion publik, është tmerr për të. Opinionet janë çështje private, shoqëria ka interes vetëm publikimet. Shoqëria është gjykuese, ose nuk është asgjë. Por pikërisht ky ishte edhe kuptimi i opinionit publik që prodhon shtypi, opinioni publik i korruptuar, që e bën shoqërinë të paaftë për të gjykuar. Dhe vërtet, ç‘janë informacionet më të sakta të të përditshmeve, në krahasim me akribinë rrëqethëse që “Pishtari” përdor në pasqyrimin e fakteve juridike, gjuhësorë dhe politikë. Atë nuk e merakos opinioni publik. Sepse lajmet dhe të rejat e kësaj gazete e kanë gjykimin brenda. Dhe me vrullin më të madh, të drejtuar jo kundër tjetër gjëje, por edhe kundër shtypit vetë. Një urrejtje si ajo që Karl Krausi hedh mbi gazetarët, nuk mund kurrë të përligjet plotësisht vetëm me atë që bëjnë ata. Qoftë ajo sa të dojë e papranueshme. Kjo urrejtje duhet të ketë shkaqe në qenësinë e saj. Sado e kundërvënë apo e afërt të jetë ajo me të sajën. Në të vërtetë, janë të dyja. Përshkrimi më i ri i gazetarit e karakterizon atë që në rreshtin e parë si “një njeri i cili ka pak interesa për vetveten dhe ekzistencën e saj, sikundër edhe për ekzistencën e sendeve, por që i nuhat sendet vetëm në marrëdhëniet e tyre dhe pikërisht atje ku ato takojnë ngjarje dhe gazetari vetëm në këtë çast bëhet i vendosur, thelbësor dhe i gjallë”. Ajo që kemi në dorë me këtë frazë nuk është gjë tjetër veçse negativi i figurës së Karl Krausit. Në të vërtetë, kush do të kishte treguar interes më të zjarrtë? Si ai për vetveten dhe ekzistencën e vet? Veçse ai që kurrë nuk iu nda kësaj teme. Që tregoi interesin më të vëmendshëm për ekzistencën e sendeve, për zanafillën e tyre. Ai e përmblodhi tërë energjinë e tij në luftën kundër frazës, e cila është shprehja gjuhësore e arbitraritetit, me të cilin aktualiteti në gazetari synon sundimin përmbi sendet”.
***
A reflektojnë gazetarët në këtë hulli? A i dinë këto gjëra? Nëse nuk i dinë, përse nuk i dinë? A është gazetaria thjesht një punësim, një mëditje? Apo është një mision i madh i së vërtetës?
***
Gazetaria operon me frazën. Nuk ka gjë më të manipulueshme sesa fraza. Po ç‘është fraza? Valter Beniamini thotë se fraza është pjellë e teknikës. Ai nënvizon: “Aparati i gazetës kërkon, si edhe një fabrikë, zona të punës dhe të shitjes. Në kohë të caktuara të ditës, dy-tre herë për gazetat e mëdha duhet siguruar dhe përgatitur një sasi e caktuar pune për makinat. Dhe jo prej ndonjë materiali çfarëdo: gjithçka ndodh ndërkohë, diku, në çfarëdo fushe të jetës, të politikës, të ekonomisë, të artit, duhet kapur dhe përgatitur për llogari të gazetës”. Karl Krausi ka thënë: “Duhet dhënë informacion për teknikën. Ajo vërtet nuk krijon dot faza të reja, por megjithatë mund ta lërë frymën e njerëzimit të pandryshuar dhe njëkohësisht të mos mohohet e vjetra. Në këtë dyzim të një jete të pandryshuar dhe të një forme jetësore të sjellë nga pas, gjallon edhe ritet e keqja botërore”. Kështu, Karl Krausi zgjidhi në këto fjalë nyjën ku janë lidhur teknika dhe fraza. Zgjidhja doemos ndjek një shteg tjetër. Fraza, në kuptimin e ndjekur me ngulm nga Karl Krausi, është shenja tregtare, që e bën mendimin të aftë për të qarkulluar si mall, ashtu si ligjërimin bosh si ornament, i jep vlera tërheqëse. Por pikërisht për këtë, shërimi i gjuhës është bërë i njëjtë me atë të frazës. Karl Krausi, duke çliruar frazën nga rutina, ka gjetur lirinë e vërtetë të frazës.
***
Kështu, fraza nuk është thjesht një shprehje gjuhësore, thjesht morfologji dhe sintaksë. Por është liri e zhvillimit.
***
Për Karl Krausin, fraza duhet të pasohet nga një heshtje gjykuese. Heshtja i lejon lexuesit të mendojnë. Vetëm kështu, profesioni i gazetarit është i vërtetë.
***
Heshtja, meditimi mbi frazat e shkruara, është një heshtje së cilës stuhia e ngjarjeve ia valëvit rreptësisht mantelin e zi. E ngre lart këtë mantel, për të kuptuar vërtetësinë e sendeve.
***
Trinia e Karl Krausit është: Heshtje, dije, gjakftohtësi, gjykim, për të përbërë polemikën e gjallë. Heshtja e tij është një digë, para së cilës rezervuari vezullues i dijes së tij thellohet pandërprerë. Gjykimi i tij i ftohtë nuk të lë shteg për pyetje, ai nuk është kurrë i gatshëm t‘u përgjigjet parimeve që ndokush u vë përballë. Parimi i tij i parë është të çmojë situatën, të zbulojë pyetjen e vërtetë që ajo përmban dhe t‘ia paraqesë atë kundërshtarit në vend të përgjigjes. Kështu, te Karl Krausi kritika është një lloj çmontimi i përbërësve. Kritika është një mendësi e stërholluar në të gjitha mendimet. Ky është një kriter jashtëzakonisht i thellë dhe i rëndësishëm i Karl Krausit.
***
Karl Krausi “ka zbuluar një objekt të madh”, ka shkruar Robert Sehen, që kurrë më parë nuk ishte vënë në lëvizje ndonjë pendë publicisti: Të drejtat e nervave. Karl Krausi zbuloi se ato përbëjnë një objekt gjithashtu të denjë për mbrojtjen entuziaste siç është edhe pasuria, shtëpia dhe ferma, partia dhe Kushtetuta. Krausi u bë avokati i nervave dhe filloi luftën kundër bezdisësve të vegjël të përditshmërisë. Por objekti iu rrit nëpër duar dhe iu shndërrua në problem të jetës private. Kështu shfaqet në këtë mes loja midis teorisë dhe praktikës së Karl Krausit. Krausi ka rritur autoritetin e polemikës. Ai është kundër subjektivitetit fals. Ai nuk u mbështet kurrë në argumentet për të mbështetur vetëm personin. Kështu, ai mishëroi misterin e autoritetit, që nuk na zhgënjen kurrë. “Për burrin, ka thënë Krausi, të kesh të drejtë, nuk është një çështje erotike dhe ai e parapëlqen me dëshirë vetëdijen e së drejtës së tij, para të padrejtës së tij”. Si edhe “shumë do të keni të drejtë dikur. Por do të jetë e drejta prej së padrejtës që unë kam sot”. Kjo është gjuha e autoritetit të madh. Një vështrim në veprimin e tij do të ndeshet në të njëjtën gjë: Faktin që ai i detyrohet në të njëjtën shkallë vetvetes. I detyrohet në mënyrë të pamëshirshme, ashtu sikundër të tjerëve. Që ai nuk do të pushojë së dridhuri para vetvetes – para të tjerëve kurrë – se ai nuk do të pushojë së mjaftuari me vetveten, së përgjigjuri ndaj vetvetes dhe se kjo përgjegjësi nuk i merr kurrë motivet nga sënduku privat, madje as nga kufijtë e drejtësisë njerëzore. Por gjithmonë dhe vetëm nga çështja, le të jetë ajo, e parë privatisht, sa të dojë e padrejtë.
***
Karl Krausi: “Është shtypi një lajmëtar? Jo, ngjarja. Një ligjërim? Jo, jeta. Ai jo vetëm që mëton që ngjarjet e vërteta të jenë lajmet e ngjarjeve, por shkakton edhe atë identitet të fshehtë, përmes të cilit lind gjithmonë iluzioni se faktet njoftohen para se të realizohen. Në këtë kuptim, Karl Krausi nuk është një shërbëtor i shtypit. E rëndësishme është ngjarja. “Autoriteti dhe fjala kundër korrupsionit e magjisë, nuk ka të bëjë me një humbje kohe, por me një prognozë. Gazeta është instrument pushteti. Ajo mund ta marrë vlerën vetëm nga karakteri i pushtetit, të cilit i shërben. Dhe jo vetëm në atë se çfarë përfaqëson, por edhe në atë si e bën atë.
***
Karl Krausi kinse ka vdekur. Por çështja madhore e jetës së tij ka një aktualitet të habitshëm në Shqipëri. Nëse në Shqipëri shuhen shkëndijat e mendimit të pavarur, atëherë do të përjetojmë gazetarinë e instrumentalizuar. Një pushtet politik, me një gazetari të instrumentalizuar nuk mund të ketë fuqi politike të vërtetë. Ajo që mund të duket si forca e tij, nuk është veçse kriza dhe dobësia. Nëse gazetaria me shekspirizmin e saj tregon jo vetëm inteligjencën, por edhe fuqinë e fjalës, një pushtet i vërtetë politik, i emancipuar, nuk mund ta instrumentalizojë kurrë atë. Liria e të gjithëve nuk mund të jetë vetëm liria e disave. Nëse nuk e kuptojmë këtë gjë, nuk kemi kuptuar asgjë.