Këtë të mërkurë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i është drejtuar KQZ-së me një letër. Ajo bën me dije se, çdo mandat i dhënë nga KQZ nga lista shumë-emërore e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk përfaqëson absolutisht këtë parti.
Kryemadhi nënvizon faktin se çdo individ, që pajiset me mandat deputeti nga KQZ është i paligjshëm.
Letra e Kryemadhit
Lëvizja Socialiste për Integrim me Vendimin Nr. 2 datë 22.02.2019 të Komitetit Drejtues Kombëtar të saj ka vendosur djegien e mandateve të deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kuvendin e Shqipërisë dhe mospjesëmarrjen përfundimtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kuvendin e Shqipërisë.
Komiteti Drejtues Kombëtar ka vendosur çregjistrimin si anëtarë të Lëvizjes Socialiste të të gjithë kandidatëve për deputetë të listës shumë-emërore të LSI-së të paraqitur prej saj për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 qershor 2017, të cilët thyejnë vendimin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe pranojnë mandatin e deputetit.
Çdo individid i listave shumë-emërore të LSI, që pranon mandatin e deputetit nuk përfaqëson as formalisht as ligjërisht dhe as politikisht Lëvizjen Socialiste për Integrim ,ndaj edhe dhënia e mandatit çdo njërit prej tyre është antikushtetuese dhe antiligjore, pasi në zgjedhjet politike të 25 qershorit në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor qytetarët shqiptarë kanë votuar për partitë politike dhe jo për individët.
Rezultati i arritur nga Lëvizja Socialiste për Integrim i ka dhënë kësaj partie të drejtën ligjore, që në përputhje me ligjin, të zgjedhë nga lista shumë-emërore e LSI përfaqësuesit e saj në parlament, bazuar në radhitjen në listën shumë-emërore, të vendosur po nga LSI si parti politike, sipas autoritetit të përfaqësimit, që i jep asaj Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.
Përfundimisht ju bëjmë me dije se çdo mandat i dhënë nga KQZ nga lista shumë-emërore e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk përfaqëson absolutisht këtë parti.
Çdo individ, që pajiset me mandat deputeti nga KQZ nga kjo listë shumë-emërore e LSI është i paligjshëm dhe nuk mund të përdorë në asnjë rast as vullnetin politik, por as atributet formale, ligjore dhe publike të përfaqësimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim përfshirë këtu siglën, programin, statutin, emblemën, vulën dhe emrin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.