PRESIDENTI I ZARFIT

Analizë Opinion

Nga Latif MUSTAFA, Shkup

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut edhe një herë e kanë vënë në sprovë kapacitetin dhe fuqinë politike të partive politike, gjykimin etik të qytetarit dhe qasjen e stisur nacionaliste të shqiptarit. Dhe kjo për një arsye krejt të thjeshtë – pafuqia e pranimit, gjegjësisht e nënshtrimit të shkërmoqur ndaj logjikës së thjeshtë që ndjek politika. Pushtetin, në pafundësi, dhe interesin.

Në garë për president janë tre kandidatë seriozë, që meritojnë vëmendje. Që të tre vijnë nga fusha akademike. Nga më të arrirët në fushën e akademisë pa asnjë dyshim duket të jetë Gordana Siljanovska-Davkova, kandidatja e VMRO-së. Në jetëshkrimin e saj nuk mungon as përvoja e bujshme akademike në arenën ndërkombëtare, gjegjësisht në SHBA. Por, meqë vjen nga VMRO-ja, pavarësisht të arriturave të saja, në bazë të një ligji të pashkruar ajo mbart mbi supe “mëkatin e gjenezës” të partisë që përfaqëson dhe nuk mund të jetë ndonjë sfidë ose atraksion për shqiptarët.

Kandidati i dytë, i cili tanimë shihet si favorit kryesor është Stevo Pendaroski, kandidat konsensual i partive në pushtet por me një autoritet të gjerë edhe në shoqëri. Edhe pse vjen nga fusha e akademisë, nuk shquhet për ndonjë bagazh ose përvojë të lartë akademike. Megjithatë, ai është një kandidat me përvojë të thellë politike dhe një imazh të paprekur. Madje, ai futet në garë për ta sfiduar edhe vetveten, kjo bazuar në humbjen e tij në zgjedhjet e kaluara falë bojkotit të thirrur nga partia që tani udhëheq me qeverinë së bashku me LSDM-në. Aq më tepër që ai e thyen edhe mitin e “figurës së djegur” në politikë, pasi tashmë ka garuar një herë, por edhe dëshminë se ka humbur me dinjitet.

Kandidati tretë është Blerim Reka, i cili është proklamuar si i pavarur, por që mbështetet zyrtarisht nga opozita e partive shqiptare. Blerim Reka është një kuadër i Universitetit të Prishtinës, profesor me një jetëshkrim të pasur në fushën e ligjit ndërkombëtar, i dëshmuar me botime hulumtimesh dhe librash në arenën ndërkombëtare dhe me përvojë diplomatike si ambasador i Maqedonisë në BE gjatë periudhës 2006-2010. Ai, për më tepër, nga qarqet intelektuale dhe akademike njihet si kuadër kryesisht etatist ose konstitucionalist.

Sfida politike e profesorit Reka qëndron në faktin që si person kozmopolit siç njihet, ai futet në një garë ku qytetaria dhe fryma kozmopolite është e huaj, e panjohur dhe përcaktuese e parëndësishme. Sfida partiake e tij qëndron në faktin që ai mbështetet nga opozita, tashmë e heterogjenizuar dhe shumë fragjile, kur përballë saj qëndrojnë partitë e pushtetit, me logjistikë të zgjeruar, buxhet, mekanizma pushtetar dhe mbështetje mediatike. Sa i përket sfidës së organizimit, mbështetja organizative-logjistike dhe financiare do të jetë ndër komponentët kryesorë që do ta shpërfaqin ndihmësit e tij të vërtetë, pra ata materialë dhe ata moralë. Edhe pse diskursi fillestar i fushatës së profesor Rekës ka filluar me një vetëprojektim shqiptarist të etablimit në garë, e kaluara e tij akademike, politike dhe publike nuk argumenton se profesor Reka diskursin dhe qasjen e tij në zgjidhjen e problemeve sociale dhe politike të shqiptarëve në Maqedoni e mbështet në diskursin shqiptarist, me ç’rast shqiptarin e projekton si qenie politike, që shtypjen, diskriminimin dhe padrejtësinë sociale e koncepton nga perspektiva etnike dhe jo klasore ose qytetare. Normalisht, një diskurs i tillë është i huaj për të dhe, në rast të përdorimit, më tepër do ta dëmtojë se sa do ta ndihmojë.

Profesor Reka do të ishte një mundësi e mirë që, si kandidat i përbashkët i partive shqiptare, të kishte dëshmuar fuqinë politike shqiptare dhe kapacitetin e tyre përcaktues për raundin e dytë. Një paraqitje e mirë e profesor Rekës mund t’i hapë rrugën atij për një të ardhme të ndritshme politike dhe si kandidat potencial për president në zgjedhjet e ardhshme.

Në këto zgjedhje mund të shfaqen dy befasi. Befasia e parë mund të shfaqet me një epërsi të lehtë në raundin e parë të profesoreshës Siljanoska ndaj Pendaroskit, nëse shqiptarët vendosin për profesorin Reka, gjë kjo e cila mund t’i ngatërrojë gjërat për në raundin e dytë. Befasia e dytë është që përzgjedhja e presidentit të delegohet në parlament dhe emri i presidentit të ri të vijë në zarf./shenja.tv

Share: