Aksident masiv në Gjilan, vdes biznesmeni dhe plagosen mbi 15 persona

Aktualitet Kronikë Kryesore

Një kamion që transportonte materiale të një firme uji ka shkaktuar një aksident masiv në një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit të Gjilanit në Kosovë.

Pamjet nga vendngjarja janë të tmerrshme me pemë të shkulura dhe makina të bëra “përshesh”, por i rëndë është edhe bilanci njerëzor.

Mediat kosovare raportojnë se nga aksidenti ka mbetur i vdekur biznesmeni Qerim Çoçaj, pronari i furrave të njohura ‘Çoçaj’, ndërsa mbi 15 të tjerë janë plagosur.

Në aksident janë përfshirë mbi 10 automjete. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku ka konfirmuar viktimën e aksidentit, ndërsa për të plagosurit ka thënë se mes tyre ka nga ata që kanë marrë lëndime të trupore.

Siç ka bërë të ditur Maloku, të lënduarit janë dërguar në spitalin rajonal të Gjilanit. Ai po ashtu tregoi se shkak i këtij aksidenti dyshohet të jenë problemet teknike të kamionit.

“Aksidenti ka ndodhur për shkak të një automjeti transportues. Dyshohet se ka dështuar diçka teknikisht dhe ka humbur drejtimin mbi 300-400 metra duke u përplasur me automjete të ndryshme. Drejtuesi i kamionit nuk ka pësuar lëndime dhe për momentin është duke u mbajtur në stacionin policor”, ka thënë Maloku.

Share: