Migjeni – Ekstaza pranverore

Gjuhësi Histori Kulturë Libri Reportazh / Profil

…dhe pranvera erdhi …
Nepër ftyra t’ona rrëshqiti një gëzim
dhe ndër zêmra t’ona ngrehi një folé
e një jetë e bukur, e një jetë e ré
me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.

… dhe dallndysha erdhi …
si shpirti n’ ekstazë, në hovin e shêjt shtri,
me qiellën rroket, me diellin puthet,
dridhen krahët në haré – mandej poshtë versulet
tu’ dhurue në cicrrim përshndetje njëmijë.

… triumfon bylbyli …
kangëtar plot magjí në gemb të trandafiles,
në një tempo të mârrë përkdheljet po shfre
e kanga kumbuese, kang’ e tij pa fre,
asht si kangë Orfeji ndër telat e lyres.

… dhe vesa shkëlqen …
në një pikë t’ argjânt pasqyrohet jeta
tërheqse si andra dhe si vijzatimi
ndër orët e hyjzimit, kur shpërthen agimi
e rrezet e arta rrëshqasin ndër fleta.

… dhe pranvera erdhi …
Nepër ftyra t’ona rrëshqiti një gëzim
dhe ndër zêmra t’ona ngrehi një folé
e një jetë e bukur, e një jetë e ré
me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.

Share: