Frika e e Edi Ramës ndaj një propozimi të opozitës, për një qeveri tranzitore të qeverisur qoftë edhe nga një kryeministër tjetër socialist, si Pandeli Majko, duket se ka futur në konflikt mbështetësit e tij. Ajo ka shpërthyer sot në një polemikë midis dy herë kryeministrit socialist dhe drejtuesit të gazetës Tema, Mero Baze.
Një editorial i Bazes, i publikuar mbrëmë në darkë, e shpallte Majkon të “përzgjedhurin” e opozitës për qeverinë kalimtare: “Lulzim Basha do zgjedhje… me një kryeministër që e pranon ai, në këtë rast Pandeli Majkon…”, shkruante Baze duke e quajtur këtë një absurditet të njëllojtë me dëshirën e Edi Ramës për të vendosur Lefter Maliqin në krye të PD.
Po përtej këtij reagimi, Majko ka parë një dorë politike që i trembet kësaj ideje.
Në fakkt, edhe kur Arta Dade e hodhi në publik në mendim të tillë, ajo u bë pre e anatemimeve virulente të Blerina Gjylametit.
Në PS, një parti që ka nxjerrë më shumë kryeministra se gjithkush tjetër, tani konsiderohet një herezi anashkalimi i Ramës.
Dhe prandaj Majko, i cili e ka refuzuar idenë e kryeministrit tranzitor, ka parë pas shkrimit të Bazes dorën e njerëzve të Ramës, që i friksohen kësaj mundësie.
Natyrisht Majko në replikën e tij me gazetarin bën me dije se “Lajmësi nuk ka faj! Ai është dezhurni i kohës”!. Por thënë këtë ai nuk harron të kujtojë se “pena e Meros është e rrallë në gjetjen e dobësive të politikës. Sot, ajo, më bëri të qartë frikën e saj”. Dhe ajo që ministri i Diasporës e thotë me spond, është fakti se tutja e idhtarëvë të Ramës se mos dikush i zë vendin liderit është e pamenaxhueshme: “Kësaj të fundit nuk kam çfarë i bëj. Padyshim, frika e frikacakut të vret ndonjëherë më shumë se trimëria e trimit” thotë ai.
SHKRIMI I PLOTÉ I MAJKOS
Jetojmë në kohë të vështira dhe ankthi për politikën! Në dijeninë time, nuk më ka marrë malli të bëj gjëra të cilat i kam përbuzur që ditën që i kam hyrë politikës. Zoti Baze e di këtë edhe kur ai (pa ironi) ishte një bashkëpunëtor luajal i Sali Berishës.
Roli i “delfinit” është një kostum i cili nuk më është përshtatur në politikë. Kam bërë “dezhurn” (sic shkruan Baze) që 30 vjec në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë, jo për “fajin” tim. Kam shërbyer, dhe kur kam lënë zyrën, vendi ka qenë më mirë se sa ditën kur e kam marrë detyrën.
Titullin “kryeministër i socialistëve” e konsideroj një nder, të cilin nuk kam ndërmend ta shkëmbej në pazarin e maskave të politikës. Ditët e vështira i konsideroj provë për besimin dhe jo bukshkalësinë.
Pena e Meros është e rrallë në gjetjën e dobësive të politikës. Sot, ajo, më bëri të qartë frikën e saj. Kësaj të fundit nuk kam cfarë i bëj. Padyshim, frika e frikacakut të vret ndonjëherë më shumë se trimëria e trimit.
Në korridoret e politikë shqiptare i njoh rregullat. Një prej tyre është se “Lajmësi nuk ka faj”! Ai është dezhurni i kohës! Sigurisht!