Pier Paolo Pasolini lindi me 5 mars të vitit 1922 në Itali. Ai ishte poet, shkrimtar, regjisor dhe skenarist me një profil intelektual të spikatur. Pasolini shquhet edhe për aftësitë e tij aktoriale, gazetareske, si dhe në fushën e politikës. Ai vdiq me 2 nentor te vitit 1975.
NC vijim po ju përcjellim disa prej poezive të tij:
“Sot është e dielë”
Sot është e dielë,
ndërsa nesër vdiset.
me mëndafsh e dashuri
unë sot vishem.
Sot është e dielë
livadheve përpjetë
kërcejnë vogëlushët
me opinga, të lehtë.
Këndoj në pasqyrën time,
Krihem edhe këndoj.
Qesh në sytë e mi
Djalli mëkatnor.
Bini, pra, ju kambana
përzijeni atë fare!
“Ne biem, po ti çfarë sheh
kur këndon në livadhe?”
Shikojeni diellin
e verave të vdekura,
shikojeni dhe shiun,
cinxërat dhe gjethet.
Shikojeni trupin tim
të kohës së djalërisë,
të dielat e trishta,
dhe jetën në mjerim.
“Me mëndafsh e dashuri,
sot njeriu vishet,
sot është e dielë,
ndërsa nesër vdiset.”
(Perktheu: Skender Buçpapaj)
“Poezi per Merlin Monro”
Prej së lashtës botë dhe asaj që do të vijë
kish mbetur veç bukuria, dhe ti,
e gjora motërze,
ajo që vrapon pas vëllezërve më të rritur,
dhe qesh e qan me ta, për t’i imituar,
ti motërze më e vogël,atë bukuri e zotëroje me përulësi,
dhe shpirti yt bijë njerëzish të vegjël,
nuk e diti kurrë se e kishte,
sepse përndryshe nuk do të kish qenë bukuri.
Bota ta mësoi,
kështu bukuria jote u bë e saj.
Prej të lashtës botë të frikshme dhe asaj që do të vijë
kish mbetur veç bukuria, dhe ti
e mbarte pas vetes si një buzëqeshje e bindur.
Bindja kërkon shumë lot të gëlltitur,
t’u jepesh të tjerëve, plot vështrime të gëzuara
që lypin mëshirën e tyre! Kështu
humbe bukurinë tënde.
U fanit si një pluhur i artë.
Prej të lashtës botë budallaqe
dhe të egrës botë që do të vijë
kish mbetur një bukuri që nuk kishte turp
t’u drejtohej gjinjve prej motërze,
të voglit bel kaq lehtësisht lakuriq.
Dhe për këtë ishte bukuri, të njëjtën
që kanë edhe vajzat e ëmbla të botës tënde…
bijat e tregtarëve
fituese në konkurset e Majamit ose Londrës
U fanit si një pëllumb i artë.
Bota ta mësoi,
e kështu bukuria jote nuk ish më bukuri.
Por ti vijoje të ishe fëmijë,
budallaqe si lashtësia, mizore si e ardhmja,
e mes teje dhe bukurisë tënde të zotëruar nga Pushteti
u fut i gjithë budallallëku dhe mizoria e së tashmes.
E mbaje gjithnjë me vete si një buzëqeshje mes lotëve,
e paturpshme në pasivitet, e turpshme në bindje
U fanit si një pëllumb i bardhë i artë.
Bukuria jote e mbijetuar prej botës së lashtë,
e kërkuar nga bota e së ardhmes, e zotëruar
prej botës së tashme, u kthye në një të keqe vrasëse.
Tani vëllezërit e rritur, më në fund, kthejnë kryet,
i ndalin për një çast lojërat e tyre të mallkuara,
dalin prej shpërqendrimit të tyre të pashtershëm,
dhe pyesin veten: “A është e mundur që Merilin,
e vogla Merilin, na rrëfeu udhën?”
Tani je ti,
ajo që s’vlen asgjë, e gjora, me buzëqeshjen saj,
je e para përtej dyerve të botës
së braktisur në fatin e saj të vdekjes.
Marrë nga dokumentari “La Rabbia”, (1963). Regjia dhe skenari Pier Paolo Pasolin.
*Përkthyer nga Renato Kalemi