E hënë, 09 Qershor, 2025

Lirikë për ty që të dua/ Vargje nga Koçi Petriti

Kulturë Libri

Cilësohet nga kritika si një nga poetët e spikatur të periudhës së pasluftës; pagëzuar si poet i intimes, njihet si mjeshtri i lirikave dhe i baladave. Periudhën e vonë të jetës ia kushtoi edhe studimeve letrare.

Lirikë për ty që të dua

Unë emrin tënd e zë rrallë në gojë,
kjo do të thotë që në zemër e ruaj thellë,
veç në ndodhtë të kthehem në rrënojë
ti do të dalësh si legjenda mbi një kështjellë…

Unë emrin tënd s’e kam vënë në asnjë vjershë,
dhe s’do ta shkruaj as në vargun më me bujë,
kjo do të thotë që gjërat më me peshë
rrinë në thellësi
dhe është zor t’i ngresh mbi ujë…

 

         Prush nëpër shekuj (1979)

 

Lirika e majit

Thonë maji qënka çapkën vetë,
Thonë se në maj as pleqtë s’krrusen,
Ndaj i fsheh bilbilat nëpër fletë,
Të përgjojnë çiftet kur të puthen…

Thonë maji qënka çapkën vetë,
Mik i kaltër, shpend’ i hapësirës,
Ndaj i niska vajzat larg me djemtë,
Ndaj ua xhveshka llërët pas dëshirës.

Thonë maji qënka çapkën vetë,
Në parfum i derdh ëndrat e tija,
Ndaj çdo zemër nuk e le të qetë,
Ndaj çdo shpirt e shkund nga plogështija.

 

 

Ajo si nëna ngjet

Ajo si nëna ime ngjet, si nëna,
Asaj ja dua sharpin dhe fustanë,
Kur thinjë mbas dritares dërgon hëna,
Dëshir’ e njëri tjetrit na rri pranë…

Ajo më ngjall në zemër mall e hir,
Të dyve plagë jeta na ka lënë:
Në gjum’ ajo thërret:
“Ku ndodhesh, bir?”
Në gjum’ un’ e thërres:
“Ku ndodhesh, nënë?”

 

Vogëlushja me abetare

Të shoh kur përmbi letër derdh vështrimin
Edhe me gishtkë rrokjet i ndjek pas.
Sa ëmbël nxjerr nga goja belbëzimin,
Shpesh buzët mengadalë i përplas.

Mbi faqe abetaresh ti humbet,
Mendohesh, fluturon e qesh me vete,
Çdo “lule” ty të duket sikur flet,
Për prralla-mrekulli të kësaj jete.

Pa dashur edhe unë mendoj pakë,
Për librat e ca viteve të shkuar,
Kur shoh gjith ato ngjyra mbi kapakë,
Kur shoh mbi abetare ç’është shkruar.

Të shoh kur përmbi letër derdh vështrimin,
Edhe me doçka rrokjet i ndjek pas.
Sa ëmbël nxjerr nga goja belbëzimin,
Si jone melodie tërë gas.

Share: