Në “Gazeta Shqiptare”, është botuar një intervistë me Skënder Lamën, ish-oficer i Sigurimit të Shtetit me detyrë shërbimi në ish-Bllokun e udhëheqjes dhe më pas, përgjegjës në objektin e famshëm të “Shtëpisë me gjethe”, duke përfunduar dhe zv.drejtor i saj nga viti 1985 deri në vitin 1991.
Në këtë intervistë, ai rrëfen përvojat e tij personale me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Ramiz Alinë, Hekuran Isain, dhe duke përfunduar me dy ishzv. ministrat e Brendshëm, Xhule Çirakun dhe Zylyftar Ramizin, nëpërmjet disa episodeve dhe ngjarjeve të panjohura.
Mund të na thoni diçka më tepër rreth episodeve?
Gjatë punimeve për rikonstruksionin e vilës së Mehmet Shehut në vitin 1980, një punëtor, pasi pikasi Enver Hoxhën duke bërë shëtitjen e zakonshme të tij në rrugën kryesore që i ndante këto dy rezidenca, papritur kërceu nga kangjellat dhe në mënyrë të shpejtë iu afrua vetë atij duke e kapur nga mënga e xhaketës dhe i tha: “Shoku Enver, babain tim e keni arrestuar dhe dënuar totalisht kot dhe pa asnjë arsye, iu lutem ta rishikoni këtë punë”. Aty për aty i gjithë grupi i shoqërimit tonë shtangu, pasi një gjë e tillë nuk kishte guxuar të ndodhte kurrë më parë. Në këtë moment Enver Hoxha pohoi diçka me kokë dhe nuk foli, ndërsa Sulo Gradeci që ishte aty pranë i urdhëroi rojet ta nxirrnin jashtë rrethimit me kujdes pa zhurmë dhe pa bujë punëtorin e skelës, që me sa më kujtohet kishte mbiemrin Demaliaj dhe vinte nga Tropoja. Më pas, nuk u mor vesh se ç’ndodhi me këtë punëtor, por ai nuk u pa më të punonte në vilën e Mehmetit pas këtij incidenti.
Si e mbani mend natën e vdekjes së Mehmet Shehut?
Natën e vdekjes së mistershme të tij unë u ndodha në postbllokun kryesor të rojës, në kryqëzimin e rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, dhe rreth 3-4 orë pas vdekjes së tij, vërej një grumbullim jo të zakonshëm të të gjithë personelit shërbyes dhe ruajtës nga të gjitha vilat e Bllokut duke ardhur drejt meje. Menjëherë e pashë se kishte ndodhur diçka tejet e rëndë dhe pyeta një kolegun tim oficer Sigurimi se çfarë kishte ndodhur. Ai m’u përgjigj me gjysmë zëri: “Kanë gjetur Mehmetin të vdekur në dhomën e tij”. Atëherë unë si të gjithë të tjerët u shtanga, pasi ishte një lajm tejet i papritur për ne që deri në atë moment ishim mësuar të shikonim vetëm normalitet dhe qetësi në këtë zonë. Në këtë kohë shoh Ramiz Alinë së bashku me shoqëruesin e tij që po vinte nxitimthi drejt meje duke më thënë: “Djalë, nëse këtu vjen Kadri Hazbiu, në asnjë mënyrë mos e lejo të futet brenda”. Por në këtë moment gjithçka ndryshoi me shpejtësi, pasi pa mbaruar fjalën Ramizi, vjen Kadri Hazbiu, edhe ky i shoqëruar me truprojën e vet personal. Duke parë Kadri Hazbiun i cili po nxitonte për të hyrë në vilën e Mehmetit, Ramizi në moment më tha: “Epo lëre, lëre të hyrë, shoku oficer, se nuk prish punë”, dhe pasi tha këtë, u largua.
Po më pas, çfarë ndodhi në rezidencën e ish-kryeministrit?
Menjëherë në rezidencën e Shehut mbërritën ekipi i ekspertëve kriminalistikë dhe i ashtuquajturi Grupi Special i Hetuesisë, që kryesohej nga Elham Gjika dhe Koço Josifi, për të bërë hetimet dhe verifikimet e rastit. Gjithashtu, në ato çaste vura re disa gjëra të cilat për ngjarjen që kishte ndodhur m’u dukën disi të çuditshme dhe të pazakonta. Gjatë grumbullimit të stafit të Shërbimit dhe Ruajtjes së Bllokut, vumë re Enver Hoxhën duke dalë nga vila e tij dhe duke hipur në makinën “Mercedes- Benz” vetë i gjashtë për arsye sigurie. Ai ishte tejet i heshtur, çka dallohej qartë në shprehjen e fytyrës së tij.
Një gjë e tillë u bë për të demonstruar në mënyrë të qartë në sy të të gjithëve ruajtjen tepër të rreptë fizike të tij nga Sulo Gradeci dhe Behar Zhurda, nga frika e ndonjë atentati të mundshëm. Ndërsa aspekti tjetër që më tërhoqi vëmendjen do të ishte, pa dyshim, procesioni i kortezhit mortor gjatë varrimit të kryeministrit Mehmet Shehu që po merrte rrugën në varrezat e Sharrës. Ai përbëhej nga një mikrobus jo shumë i madh në të cilin ndodheshin jo më shumë se rreth 20- 25 vetë me në krye Fiqrete Sanxhaktarin. Oficerët e Sigurimit të Shtetit, gjatë nisjes së trupit të pajetë të Mehmet Shehu për në Sharrë kishin marrë masa të rrepta për të siguruar rrugët dhe bulevardin kryesor nga ndonjë gjë e mundshme, çka do të krijonte një klimë të përgjithshme frike dhe mosbesimi në të gjitha vilat dhe familjet e qeveritarëve që banonin në to. Në këtë mënyrë, vetë Enver Hoxha do të fillonte të dyshonte për rrethin e ngushtë shoqëror të Mehmet Shehut, veçanërisht ish-ministrin e Brendshëm, asokohe ministër i Mbrojtjes, Kadri Hazbiun, ish- Shefin e Sigurimit Feçor Shehun, Përgjegjësin e Sigurimit të Udhëheqjes Llambi Peçinin dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Llambi Ziçishtin.
Gjatë kohës që shërbenit në Bllok, si e kujtoni arrestimin e hierarkëve të lartë të MPB-së dhe Sigurimit të Shtetit?
Ajo që do ta vërtetonte në sytë tanë më së miri këtë gjë në muajt në vazhdim do të ishte pikërisht zbarkimi dhe eliminimi i së ashtuquajturës “Banda e Xhevdet Mustafës” në shtator të vitit 1982 në Divjakë. Disa orë pas likuidimit të këtij grupi, në postbllokun kryesor të ruajtjes së Bllokut vjen ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, i cili në qejf e sipër me gjithë pompozitet na u drejtua: “Mos është gjë më trim se unë Kadri Hazbiu, që paska nxjerrë pistoletën për të qëlluar personalisht Xhevdetin kur ky ishte 500 metra larg tij?”. Ky do të ishte edhe sinjali i parë real paralajmërues për arrestimin dhe dënimin përfundimtar të grupit të hierarkëve të MPB-së. Pas këtyre episodeve, brenda zonës së Bllokut por edhe jashtë saj u përforcua si kurrë më parë siguria fizike e udhëheqjes. Një tjetër rast konkret i goditjes së këtij grupi në vitet 1982-1983 në syrin tim si dëshmitar do të ishte edhe shoqërimi i ministrit të Jashtëm, Nesti Nase nga grupi ynë për në shtëpinë e tij, pas paralajmërimit për arrestimin e tij me të tjerët.
Çfarë do të ndodhte me të?
Gjatë kohës kur po e çonim nga godina e Ministrisë së Jashtme për në rezidencën e tij, një nga kolegët e mi, në inat e sipër i thotë: “Nesti Nase, ti je një armik i popullit dhe si i tillë do përfundosh”, dhe e godet me shkelm në praninë tonë. Pas këtij akti të shëmtuar unë e ndala në rrugë dhe e kritikova rëndë duke i thënë që në praninë time të mos ndodhnin më gjëra të tilla. Pas lirimit të Nestit nga burgu në vitin 1991, unë pata rastin ta takoja personalisht atë në rrugë, duke i kujtuar se kush isha si dhe gjithashtu incidentin që kishte ndodhur me personat që e shoqëronin në shtëpinë e tij. Ndërsa ai m’u drejtua: “Skënder, të mbaj mend shumë mirë ty dhe atë që më goditi, pasi gjatë luftës e kam pasur partizan në brigadën ku unë isha”.
Duhet theksuar një urdhër i pashkruar i Sigurimit të Shtetit që thoshte se, i gjithë personeli i efektivit mbrojtës të Bllokut të udhëheqjes, përpos ruajtjes së saj ,njëkohësisht do të luante edhe një rol survejues për vetë byroistët që mbronte në rast veprimtarie armiqësore dhe antishtet nga këta të fundit. Në këtë mënyrë, gjatë ushtrimit të arrestimit, hetuesisë dhe gjykimit të grupit të Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut në dhomat e burgut 313 dhe Fiqret Sanxhaktarit në Gjykatën e Lartë, u përdorën masivisht si dëshmitarë nga trupi gjykues një pjesë e mirë e truprojave të tyre për të dëshmuar aktivitetin “armiqësor” të tyre. Pas dënimit të grupit të fundit armiqësor të MPB-së dhe Sigurimit të Shtetit në vitet 1982-1983, vetë këto institucione do të pësonin një reformë radikale, duke bërë që të liroheshin nga detyra dhe të transferoheshin nëpër punë të ndryshme me dhjetëra oficerë dhe nëpunës të aftë të Shërbimit Inteligjent Shqiptar.