Zbulohen letrat e dashurisë mes sulltaneshës Hyrem dhe Sulejmanit të Madhërishëm

Kulturë

Letrat e dashurisë, të zbuluara së fundmi nga arkivat presidenciale, të dërguara sulltan Sulejmanit nga sulltanesha Hyrem, kanë hedhur dritë mbi historinë më të bujshme të dashurisë së epokës osmane.

Arkivistët i kanë konsideruar letrat e shkruara në kohërat kur Sulejmani gjendej në fushë të betejës, si një ndër shembujt më të mirë të poezisë dhe prozës turke të periudhës otomane.

Krahas njohjes për sundim ushtarak të suksesshëm në vitet 1520-1566, Sulejmani njihet edhe për historinë e dashurisë me gruan e tij Hyrem. Kjo e fundit i shkruante asokohe kështu sulltan Sulejmanit:

“Jam e humbur në këtë univers të krijuar nga Zoti ynë. Kam jetuar vitet e mia më të mira nën mbrojtjen tënde, si një margaritar në kutinë tuaj të xhevahirëve. Unë gjej paqen vetëm pranë jush. Fjala dhe boja janë të pamjaftueshme për të rrëfyer lumturinë dhe gëzimin tim kur unë gjendem pranë jush.”

“Kujtimet e ditëve që kaluam së bashku, momentet që i kemi ndarë, mbushin zemrën e shërbëtores suaj”, vijonte më tej ajo.

Ndërsa në vitin 1526, Hyrem shkruante: “Ngushëllohem me këto kujtime në mungesën tuaj. Jam e ulët kur jeni larg. Askush nuk mund ta lehtësojë dhimbjen time”.

Në njërën nga letrat, sulltanesha Hyrem i dërgoi edhe rrobat e saj të lagura me lot.

“Jeta ime, zotëria im, sulltani im i dashur, lutja ime e vetme për Allahun është ta shoh sërish fytyrën tënde të ndritur. Nuk ka më ndarje prej tani. Dua nga Zoti im që sulltani im, njeriu im i dashur, gjithmonë të jetë i lumtur në botë dhe në amshim. Sulltani im… fshiu lotët e mi dhe më bëri të lumtur. Falë sulltanit tim, gjeta rrugën e duhur dhe fenë… Prandaj, mund të jem e lumtur pranë jush. Po ju dërgoj një nga rrobat e mia të lagura me lotët e mi… Ju lutem, visheni për mua”, ka shkruar ajo në një tjetër letër, duke e përfunduar me fjalët “nuk dua asgjë tjetër përveç lumturisë për ju në të dyja botët”.

Sulltanesha Hyrem ishte një nga femrat më me ndikim në historinë osmane. Djali i saj, Selimi, trashëgoi fronin osman pas sulltan Sulejmanit.

Share: