Një Princ Vid për bregdetin

Analizë Opinion

Nga Fatos Çoçoli

Një javë më parë, qeveria nxori për konsultim publik draftligjin “Për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare”. Sapo të hyjë në fuqi ky ligj, asnjë bashki bregdetare nuk do të ketë më fuqi ligjore të japë leje ndërtimi në bregdet. Do të ngelen të ligjshme vetëm kontratat me koncesion në bregdet, investimet strategjike dhe infrastruktura shtetërore (rrugë, ura, etj.). Për ndërtimet e deritanishme në breg, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, një strukturë brenda Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, postimi i fundit i së cilës në rrjete sociale (“Facebook”) mban datën 24 janar 2019(?!), do të kërkojë verifikimin e dokumentacionit të kompanive apo individëve privatë që kanë marrë lejet e ndërtimit. Me këtë ligj, qeveria përqendron në duart e saj(krijon Komitetin e Menaxhimit të Bregut të Detit) lejet e mëtejshme për të ndërtuar në bregdet. Arsyeja pse kërkon t’i mbajë vetë dhe të mos ja lërë më në duar lejet pushtetit vendor është e qartë. Në 30 vitet e fundit, pushteti vendor, bashkitë bregdetare kanë dhënë rreth 30 mijë tapi (Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi, në bazë të Ligjit 7501). Shumica e tyre janë të dyshuara si të parregullta ose të trukuara. Një grup pune i ngritur nga qeveria pesë vite më parë, me në krye një nga drejtuesit shtetërorë më të pakorruptueshëm dhe të zotë që ka njohur administrata jonë publike (sot drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës), nisi verifikimin e tapive në bregdet. Ishte si të hapje Kutinë e Pandorës. Nëse do të bllokoheshin lejet e dhëna për parregullsi dhe manipulime, i binte që gjysmën e ndërtimeve nga privatët, në bregdet, me një vlerë mbi 1.5 miliardë euro, ta shëmbje! Tapitë në bregdet janë akt-akuzat më të fuqishme të masakrës gati 30 vjeçare që ka ndodhur me pronat e atyre pak privatëve dhe kryesisht të Shtetit në këto zona në Shqipëri. Përfaqësojnë paradhomën e një përçudnimi të përbindshëm të kryer ndaj së drejtës mbi pronën private dhe shtetërore tek ne. Sidomos në 13 vitet e fundit, pas perëndimit të idesë dhe qasjes së “duarve të pastra” në menaxhimin shtetëror ne vitin 2007, ranishtet, madje dhe shkëmbinj mbi det, si dhe fondi pyjor në bregdet njohën sulmin e një armate të paparë në historinë e abuzimeve mbi Shtetin. Të përbërë nga dhjetëra e dhjetëra politikanë, qindra prokurorë e gjykatës, mijëra sipërmarrësve privatë të vegjël e të mëdhenj, të interesuar për të peshkuar toka me çmime qesharake dhe bërë të tyren një pasuri që dhjetëfishohej në vlerë sa hap e mbyll sytë. Dukej sikur deti ishte bërë kos dhe vrapuan të gjithë me lugë në brez pranë brigjeve të tij. Dhe për këtë u paguan nën dorë me qindra nëpunës hipotekash, të ashtuquajtur specialistë, hartografë nëpunës të shtetit apo hartografë dhe vlerësues privatë. Masakra dhe abuzimi flagrant ka vazhduar me dekada, pa u tutur aspak, pavarësisht nga psikamat dhe ankesat e pronarëve të mirëfilltë privatë që e shihnin veten të shpronësuar pa kurrfarë baze ligjore, apo nga denoncimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i vetmi institucion shtetëror që e ka ngritur fort zërin dhe falë denoncimeve të të cilit janë zhvilluar gjyqe në mbrojtje të pronës shtetërore dhe kanë përfunduar pas hekurave shumë abuzues. Megjithatë, armata e grabitësve nuk u mpak hiç, ngaqë mbrojtja ishte disa shtresore. Abuzuesit nëpër hipoteka, kryerësit e masakrës, mbroheshin nga nëpunësit e lartë shtetërorë nëpër dikastere, sidomos në Ministrinë e Drejtësisë, e cila duhej të kontrollonte hipotekat. Mbroheshin nga titullarët politikë të ministrive të tjera të linjës, si dhe në kupolë, nga bojarët partiakë në pushtet, që mbronin veçanërisht me mbrojtje të drejtpërdrejtë(telefonata, dreka dhe darka, takime gjoja pune, etj.) kryetarët e bashkive dhe komunave bregdetare, mendjet sipërore dhe krye-bashkautorët e tjetërsimit të pronave në bregdet, kryesisht të pronave të shtetit. Tani qeveria, pas raportimeve dhe bazës së të dhënave të mbledhur nga grupi i punës i pesë viteve më parë, duket sikur ka vënë mend dhe po kërkon të kalojë në duart e saj menaxhimin e bregdetit. Por ka zgjedhur qasjen e gabuar. Komiteti i Menaxhimit të Bregdetit që po krijon me këtë projektligj duhet të jetë nën kontrollin e Kuvendit. Jo të saj. Le të jetë i përbërë nga ministra të qeverisë dhe drejtues të tjerë të lartë të dikastereve të saj, por duhet të ketë patjetër në përbërje të tij, me të drejtë vote, specialistë të huaj, përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues të bashkive bregdetare. Qeveria nuk ka pse të ketë edhe gurin edhe arrën në një aset kombëtar, bregdetin, që vlen me dhjetëra miliarda euro për sot dhe për vitet që vijnë. Duhet ta drejtojë Kuvendi si proces. Madje specialistët e huaj mund dhe duhet të kenë edhe të drejtën e vetos në vendimet e Komitetit për Menaxhimin e Bregdetit. Njëlloj sikurse Kuvendi ndryshoi Kushtetutën për reformën në drejtësi dhe futi Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, të përbëre nga specialistë të huaj, për të mbikëqyrur kryerjen e reformës. Bregdeti për ekonominë tonë ka interes parësor dhe për menaxhimin e tij, kemi nevojë për një trupë të pavarur nga qeveria. Mjafton të ketë Komiteti në përbërje të tij të paktën dy ekspertë të huaj me të drejtë vetoje. Që do të përbënin Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit për menaxhimin e Bregdetit tonë. Ose ndryshe, një ose dy Princ Vidër për pasurinë më të masakruar të shqiptarëve dhe të shtetit shqiptar, pas naftës: bregdetin tonë të mrekullueshëm.

Share: