Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi ka anuluar seancën e nesërme të Parlamentit.
Sipas mediave vendimi vjen pasi opozita ka paralajmëruar një protestë tjetër të madhe pranë ndërtesës ku zhvillohen seancat plenare.
Të enjten në orën 10:00 opozita e bashkuar shqiptare do të mbajë para Kuvendit protestën e radhës kundër qeverisë, pas asaj të 16 shkurtit para Kryeministrisë.
Opozitarët kanë deklaruar se do të djegin mandatet e deputetëve, dhe do t’i bashkohen protestës qytetare jashtë Kuvendit.
Ndërkombëtarët e aktivizuar në Tiranë mësohet se i kanë kërkuar kryeministrit që të anulojë seancën e të enjtes më qëllim që të mos ketë përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.
Skenarëve të mundshme për përdorjen e lëndëve kimike apo akteve të dhunshme brenda sallës si në rastin e Arta Markut apo më keq si në rastin e parlamentit maqedonas në prill 2017, ambasadorët i kanë paraprirë me këtë kërkesë.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci ka shqyrtuar disa mundësi, nga shtyrja e seancës për një orë apo ditë tjetër, tek zhvendosja e saj në kryesinë e Kuvendit, e deri tek anulimi fare i saj.
Ruci do ta thotë fjalën e tij në orën 17:00 kur ka njoftuar një deklaratë për shtyp.