Gjermania ka shtyrë afatin e mbajtjes mbyllur të kufijve deri më 31 Gusht me pjesën më të madhe të vendeve jo anëtare të Bashkimit Europian, përfshirë edhe Shqipërinë.
Shtetasit nga këto vende që duan të udhëtojnë drejt Gjermanisë do të vijojnë t’u nënshtrohen karantinës 14 ditore.
Po ashtu, shtetasit gjermanë këshillohet që të mos udhëtojnë drejt këtyre vendeve. Lista përfshin edhe destinacione mjaft të preferuara turistike verore si Turqia, Egjipti e Tunizia.
Karantina do të hiqet prej 15 Qershorit për shtetasit që hyjnë në Gjermani nga shumica e vendeve të Bashkimit Europian, por edhe nga disa vende jo anëtare si Britania e Madhe. Prej kësaj date, në Gjermani mund të hyjnë lirshëm qytetarë nga 31 vende të huaja.
15 Qershori është data kur skadon vendimi për bllokimin e kufijve i marrë nga qeveria gjermane që prej Marsit, në kulmin e shpërthimit të përhapjes së COVID-19 në Europë.
Pak ditë më parë edhe Komisioni Europian u rekomandoi vendeve anëtare të mbajnë kufijtë e jashtëm mbyllur të paktën deri më 1 Korrik për shkak të pandemisë.