Drejtoresha ekzekutive e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), prof. Diana Katrati ka prezantuar disa nga objektivat dhe projektet kryesore për vitin 2020 në institucionin që drejton, në një intervistë për emisionin “Tempull” të gazetares Anisa Ymeri.
Duke theksuar faktin se në gjithë historinë e shtetit shqiptar, kjo është hera e parë që themelohet një institucion i posaçëm mbi arbëreshët, ajo ka shpalosur vizionin dhe punët kryesore mbi të cilat është përqendruar puna kërkimore-shkencore e stafit të këtij institucioni.
Projektet kryesore të qendrës, mbi të cilat ka nisur puna janë në tre drejtime kryesore:
Së pari, në intensifikimin e marrëdhënieve me botën arbëreshe dhe me nënshkrimin e memorandumeve me institucionet e ndryshme kërkimore-shkencore në Tiranë, Prishtinë, Shkup e më gjerë dhe me universitetet brenda dhe jashtë vendit. Në këtë kuadër, aktualisht është lidhur memorandumi i bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ky memorandum synon koordinimin e studimeve për kulturën dhe historinë e komunitetit arbëresh, bashkëpunimin ndërinstitucional që parashikon realizimin e studimeve të përbashkëta mbi historinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh, organizimin e aktiviteteve studimore, si dhe krijimin e grupeve të punës për aplikimin në projekte të përbashkëta.
Së dyti, sipas prof. Diana Kastrati, janë në plan botimi 4 vepra të rëndësishme studimore nga emra të rëndësishëm të shkencave albanologjike, të cilat do të botohen brenda këtij viti kalendarik. Njëherësh, në sferën e kërkimit dhe hulumtimit shkencor, stafi i studiuesve brenda këtij institucioni ka nisur punën për hartimin e një bibliografi tërësore të studimeve mbi arbëreshët.
Së treti, drejtoresha Kastrati ka bërë me dije edhe detaje mbi emrat pjesëmarrës dhe tematikën kryesore të Kuvendit Diturak që pritet të organizohet në datat 16-17 shtator 2020, me temë bosht “Gjendja e studimeve aktuale mbi arbëreshët”.
Gjatë bisedës televizive, prof. Diana Katrati ka vënë në dukje se studimet mbi arbëreshët nuk kanë munguar, madje prej më shumë se një shekulli ka kontribute të pamata në këtë lëmi, prandaj njohja e tyre është thelbësore dhe ndihmon në orientimin e perspektivave në këtë hulli.
Bota arbëreshe, sipas saj, është “Muze në qiell të hapur”, i cili dëshmon sesi një komunitet i ikur pothuajse prej 6 shekujsh, ka të njëjtat karakteristika dhe ka një dëshire të pashtershme e vullnet të fortë për ta mbajtur gjallë gjithçka ata kanë marrë me vete kur ikën nga Shqipëria. Në këtë kuadër, ka cituar edhe poetin italian Pasolinin, i cili i ka quajtur arbëreshët “një mrekulli antropologjike”. Përgatiti për http://redaktori.com/ Jolanda Lila