Nga Enver Robelli
Kosova nuk i ka asnjë borxh kompanisë “Contour Global”. Kërkesa për t’ia paguar 20 milionë euro në emër të kompensimit është kërkesë investitorësh të papërgjegjshëm që hidhen si karkaleca kundër vendeve të varfra për t’ua pirë gjakun. Tani drejtësia duhet të hetojë ata pushtetarë të dikurshëm të Kosovës që vetëm për këshilltarë për projektin “Kosova e Re” kanë djegur rreth 20 milionë euro
Fillimisht u tha se projektin e termocentralit do ta përkrahë Banka Botërore. Ky institucion financiar u tërhoq për shkak se nuk financon më projekte të prodhimit të energjisë me qymyr. Projektin e kritikuan edhe shumë aktivistë për mbrojtje të ambientit, të cilët nga përfituesit potencialë të projektit të termocentralit u akuzuan se “po punojnë për Rusinë”. Natyrisht pa asnjë fakt.
Drejtori i “Contour Global” tha se nuk është fare problem tërheqja e Bankës Botërore nga financimi. Megjithatë, më 17 mars 2020, një muaj e gjysmë pas zgjedhjes së qeverisë së re, “Contour Global” bëri të ditur se po tërhiqet nga kontrata që e kishte nënshkruar me qeverinë paraprake. Tani “Contour Global-it” i ka lindur një ide: ia kërkon Kosovës 20 milionë euro si kompensim për shpenzime. Kosova nuk i ka asnjë borxh kompanisë “Contour Global”. Kërkesa për t’ia paguar 20 milionë euro në emër të kompensimit është kërkesë investitorësh të papërgjegjshëm që hidhen si karkaleca kundër vendeve të varfra për t’ua pirë gjakun. Kosova nuk e ka shkëputur kontratën, por “Contour Global”.
Në njoftimin e 17 marsit “Contour Global” përmendte si arsye për largim faktin se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen. Kosova do të ishte projekti i fundit. Dhe kjo nuk është befasi: ishte shansi i fundit edhe për “Contour Global-in” që në bashkëpunim me një kastë të korruptuar sunduese në Prishtinë të qethë mirë e mirë qytetarët e Kosovës. Si arsye tjetër u përmendën ndryshimet politike në Kosovë dhe kryeministri i ri që e kishte kundërshtuar projektin. Kjo tingëllon vetëm si alibi për të ikur nga një projekt që prej fillimit i vinte duhmë keqpërdorimi kolosal. Po ta kishte pasur seriozisht me realizimin e projektit, “Contour Global” do të vendoste kontakt me qeverinë e re, do të negocionte e rinegocionte marrëveshjen, do të ofronte një projekt që merr parasysh interesat e qytetarëve dhe jo vetëm interesat e tyxharëve politikë të Prishtinë.
Në këtë projekt të parealizuar Kosova tashmë ka humbur së paku 20 milionë euro. Kaq, pra 20 milionë euro, janë harxhuar për këshilltarë për projektin “Kosova e Re”, sipas përllogaritjeve të Institutit GAP. Pastaj janë paguar zyrtarë nëpër ministri që kanë qenë të ngarkuar për të realizuar këtë projekt. Ishte angazhuar edhe një kompani për mbikëqyrje të punimeve, ndonëse nuk ishte e qartë ende se a do të realizohet projekti. Vetëm për këto keqpërdorime potenciale do të duhej të kishte hetim nga drejtësia e Kosovës. Do të duhej të kishte…
Ngushëllim i vetëm mbetet puna e organizatave të shoqërisë civile – së paku për t’ua hapur njerëzve sytë mbi dyshimet e mëdha për keqpërdorime. Para një viti, më 23 maj 2019, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ngritën shqetësime “mbi themelimin e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës (NKEC) dhe kompensimit të stafit të po kësaj ndërmarrje e cila nuk ka kurrfarë funksioni para ndërtimit të TC ‘Kosova e Re’”. Domethënë: pa u hedhur guri themeltar i termocentralit, pushteti grabitqar kishte filluar të shpërndajë rroga për një staf që realisht s’kishte ndonjë punë. Kësisoj u themelua Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC) (me vendim të qeverisë numër 07/47, të datës 15.06.2018). Llogaritej se vetëm për rroga të këtyre punëtorëve do të harxhoheshin nga buxheti 100 mijë euro në vit.
Para 15 viteve, në prill dhe në maj 2005, në Gjermani qe zhvilluar një debat i gjallë mbi një deklaratë të kryetarit të atëhershëm të socialdemokratëve, Franz Müntefering. Ai i pati krahasuar disa investitorë të papërgjegjshëm me karkalecat që vijnë ua pinë gjakun punëtorëve dhe ikin. Müntefering nuk ishte kundërshtar i ekonomisë së tregut, as i kapitalizmit, por gjithsesi kundërshtar i një kapitalizmi që ka vetëm një qëllim: shumëfishimin e fitimeve, pa marrë parasysh koston për punëtorët, shoqërinë, ambientin.
Pesë vite më vonë, më 2010, Müntefering i dha një intervistë gazetës “Süddeutsche Zeitung”, ku e mbronte krahasimin e investitorëve me karkaleca që e kishte bërë më 2005: “Pashë një rrezik për demokracinë. Dhe ky shqetësim nuk ka kaluar. Nëse industria e financave e mban nën kontroll politikën dhe jo e kundërta, pra politika industrinë e financave, atëherë njerëzit pyesin: ç’na duhet demokracia? Ky ka qenë impulsi im atëbotë për t’u deklaruar dhe kjo është konfirmuar në vitet në vijim. Ne duhet ta rikthejmë primatin e politikës”. Müntefering thoshte se në industrinë e financave kanë krijuar aleancë diletantët, bixhozçinjtë dhe gangsterët. “Ata po përpiqen ta përzënë politikën”. Në Kosovë situata ishte edhe më dramatike. Bashkë me disa lojtarë që silleshin kinse si investitorë u bënë bashkë edhe politikanët e papërgjegjshëm dhe të etur për të nxjerrë ndonjë përfitim nga një projekt jotransparent.