Lluka PERONE (Luca Perrone: 1920–1984) ishte mbledhës e studiues i folklorit dhe i traditave kulturore arbëreshe, poet. Lindi në Ejaninë të krahinës së Kozencës. Kreu studimet e larta për jurisprudencë dhe letërsi frënge. Ll.P. qe një nga intelektualët arbëreshë më aktivë për mbrojtjen dhe zhvillimin e traditave kulturore arbëreshe. Nga fundi i v. ’50 e fillimi i v. ’60, i ngarkuar nga Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe i Universitetit të Romës (i drejtuar nga E. Koliqi), filloi mbledhjen sistematike të folklorit arbëresh në Kalabri.
Një pjesë e lëndës u botua në vëllimin “Novellistica italo-albanese” (Firence, 1967), ku janë përfshirë 179 njësi të mbledhura në fshatra të krahinës së Kozencës dhe të sistemuara sipas katalogut ndërkombëtar të përrallave; vëllimi tjetër “Përralla nga Arbëria e Kutronit, (Kozencë 2004), përmban 46 njësi të mbledhura në fshatrat Shën Koll, Karfici e Puheri. Botoi artikuj studimorë e materiale në revistat “Shêjzat” (shih), “Zgjimi”, “Zjarri”, “Kultura popullore” (shih) e “Etnografia shqiptare” (shih); një fjalor i pasur i së folmes së Ejaninës është botuar në “Dialektologjia shqiptare” (shih) VI (1990) e VII (2005). Por shumica e materialeve kanë mbetur në dorëshkrim. Ll.P. botoi edhe 4 përmbledhje me poezi, të frymëzuara nga dashuria për vlerat morale të botës shpirtërore arbëreshe: “Lule shkëmbi” (Kozencë, 1968); “Thierja e armit” (Kastrovilari, 1969); “Vjershë lirie” (Kastrovilari, 1971); “Dërrudhez” (Trebizaçe, 1977). Vdiq me 27 maj të vitit 1984
http://redaktori.com/ Marrë nga Fjalori Enciklopedik Shqiptar, ASHSH, 3 vëll., Tiranë, 2008-2009