Vitet kur shtypi shqiptar mori hovin cilësor

Kulturë

Sipas studiuesit Hamit Boriçi, vitet 1897-1899 ishin vite të arta për rritjen cilësore të shtypit shqiptar. Ai e argumenton këtë, duke përmendur faktet vijuese:

 

Viti 1897 është viti i hovit dhe i hopit cilësor në historinë e gazetarisë shqiptare, që gjen shprehje me botimin e tri të përkohshmeve të mëdha e të rëndësishme me veprimtari shumëvjeçare publicistike: “La Nazione Albanese” të Anselmio Lorekios në Katanzaro të Italisë (numri i parë më 15 janar 1907); “Albania” e Faik Konicës në Bruksel (numri i parë më 25 mars 1907 dhe i vjetarit “DITËRRËFENJËSI (Kalendari) SHQIP” në Sofje të Bullgarisë. Ata i paraprijnë krijimit të një sistemi të organizuar e të qëndrueshëm të shtypit shqiptar me karakter informativ e problemor. Në qoftë se me të përdyjavshmen “La Nazione Albanese”, shtypi shqiptar e mbi Shqipërinë në gjirin e arbëreshve të Italisë ngrihet në një shkallë të lartë profesionale; me të përmuajshmen “Albania” fillon era e re e gazetarisë shqiptare në kuptimin e mirëfilltë të saj. Faik Konica me revistën “Albania” hedh themelet e gazetarisë shqiptare politike, kulturore, shoqërore, letrare e artistike në gjuhën shqipe. Gazetaria shqipe pasurohet me të përdyjavshmen “Albania e vogël” (numri i parë më 1 nëntor 1899), fletore me kahje të dukshme politike, që Faik Konica e boton në vitet 1899-1903 krahas revistës “Albania”.

Po atë vit, më 1897, dalin edhe dy fletore: e përjavëshmja “Shqipëria”(1897-1899) e Bukureshtit në gjuhët shqip e rumanisht (numri i parë 10 maj 1897) dhe gazeta shqipe “Zani i Scyptarit” në Borgo Erizo, zëdhënëse e komunitetit shqiptar të Zarës në Dalmaci.

Avokati arbëresh Genario Lusi më 1 maj 1898 hedh në qarkullim gazetën dyjavore “La Nuova Albania” (Shqipëria e Re), “Organ i Komitetit politik shqiptar të Napolit”, që do të vijojë gjatë viteve 1898-1899 dhe 1904 me disa ndëprerje. Anselmio Lorekio më 1899 fton në Romë dy prej personaliteteve të njohur të Rilindjes kombëtare, Mehmet Frashërin dhe Dervish Himen, të cilëvë u beson  në Romë gazetën dygjuhëshe, shqip e frëngjisht “Zen’i Shqipenisë” (Echo d’Albania).

 

Shkeputur nga libri “Historia e shtypit shqiptar” me autor, prof.dr. Hamit Boriçi

 

Share: