Çlirimi i Kosovës ka filluar më 6 tetor 2019 dhe do të vazhdojë. Tronditjet do të jenë të mëdha, por do të tronditen ata që kanë vjedhur, ndërsa qytetarët do të habiten përse kanë duruar kaq gjatë vjedhjen masive të Kosovës nga një grup i organizuar krimo-politik.
Nga Enver Robelli
Një grup i plaçkitësve të organizuar, i udhëhequr nga kryeplaçkitësit politikë, plaçkit ndërmarrjet publike, resurset publike, të mirat publike, pronat publike, paranë publike. Një grup i plaçkitësve të organizuar e shndërron Kosovën në gurthyes nacional. Një grup i plaçkitësve të organizuar i manipulon edhe tenderët për meremetimin e viktimave të masakrave serbe. Një grup i plaçkitësve të organizuar harxhon për një shishe verë në restorante të Europës apo New Yorkut 400 euro (para të shtetit!) – kaq është rroga e një arsimtari në Kosovë.
Me vite të tëra ky sistem i plaçkitësve degëzohet në shumë drejtime në shtet dhe segmente të shoqërisë, duke shpërndarë paligjshëm para të popullit, duke punësuar familjarë dhe militantë partiakë, djem e çika politikanësh, kushëri komandantësh e teze deputetësh. Me vite të tëra nuk ka transparencë në menaxhimin e ndërmarrjeve publike. Me vite të tëra ndërmarrjet publike shfrytëzohen si zyra thesari për mirëmbajtje të sistemit kriminal partiak të “komandantëve” dhe ndihmësve të tyre. Një grup i plaçkitësve të organizuar i ka sjellë ndërmarrjet publike para falimentimit.
Klithma e cubave dhe përkrahësve të çubave tash është e madhe kur bëhen hapat e parë për të vendosur rend dhe për të këqyrur pak në arkat e ndërmarrjeve publike. Klithma do të jetë edhe më e madhe kur fajtorët do të dalin para drejtësisë, kur t’u vendosen prangat. Sepse me zgjedhjet e 6 tetorit 2019 qytetarët e Kosovës kanë treguar se në ç’drejtim do të shkojë vendi: drejt çlirimit nga kasta kleptokratike. Dhe publiku do të ketë rastin të shohë në të ardhmen si është keqpërdorur shteti dhe paratë e qytetarëve, si janë shkatërruar ndërmarrjet vitale, si janë favorizuar vjedhësit dhe eliminuar të ndershmit dhe profesionistët. Tronditjet do të jenë të mëdha, por do të tronditen ata që kanë vjedhur, ndërsa qytetarët do të habiten përse kanë duruar kaq gjatë vjedhjen masive të Kosovës nga një grup i organizuar krimo-politik.
“Po ç’është kjo gjë e hatashme që quhet shtet?”, ka pyetur moti shkrimtari kryengritës gjerman Georg Büchner. “Në qoftë se një numër i caktuar njerëzish jeton në një vend dhe për të ekzistojnë rregulla e ligje pas të cilave secili duhet të orientohet, atëherë ata përbëjnë së bashku një shtet. E pra shteti janë të gjithë; rendruajtësit e shtetit janë ligjet që sigurojnë të mirën e të gjithëve e cila duhet të dalë nga e mira e të gjithëve. – Po shikoni tani se ç’kanë bërë me shtetin në dukatin e madh; shikoni ç’do të thotë: të ruash rendin në shtet! Për këtë gjë shtatëqind mijë njerëz paguajnë gjashtë milionë, domethënë kthehen në kuaj are e në kafshë plugu, me qëllim që të jetojnë në rend. Të jetosh në rend do të thotë të vuash urie e të të pinë gjakun”.
Ka ardhur koha që ata që ia kanë pirë gjakun Kosovës nga viti 1999 të ndiqen penalisht dhe në bazë të dëshmive të marrin dënimin e merituar. Por këtu nuk përfundon beteja. Pa konfiskim rrënjësor dhe masiv të pasurisë që e kanë vjedhur, pa çmontim të krejt sistemit kriminal që e kanë ndërtuar “komandantët” dhe argatët e tyre, çlirimi i Kosovës do të jetë gjysmak.
Duhet ndjekur shumë pista. Lidhjet e “komandantëve” me baronë droge, “investimet” për pastrimin e parave jashtë Kosovës, patundshmëritë në Perëndim dhe gjetiu. Kur janë nxehur e acaruar në betejën për pushtet viteve të fundit, “komandantët” e kanë akuzuar njëri-tjetrin se kanë vila në Dubai. Dubai, Stambolli, New Yorku, Brukseli e Zürichu janë vetëm disa nga pistat. Kosovës tani i duhen së paku 20 vjet për t’u çliruar nga ata që e kanë vjedhur 20 vjet. Rezistenca do të jetë e madhe. Por edhe zemërimi i qytetarëve do të rritet kur të shihen shumë e më shumë keqpërdorime, poshtërsi e grabitje të politikanëve. Vjedhja nga tenderi për pasaporta biometrike do të duket si veprim humanitar në krahasim me vjedhjet e tjera masive që janë bërë nga viti 1999.
“Keni përkulur kurrizin për shumë e shumë vite në arat me gjembaçë të skllavërisë, pas kësaj do të djersitni një verë në vreshtin e lirisë dhe do të jeni të lirë deri në gjymtyrën e njëmijtë. Një jetë të tërë keni mihur tokën, pas kësaj do t’i gërmoni një varr tiranëve tuaj. Ju i ngritët kalatë-burgje, pas kësaj ju do t’i rrëzoni ato dhe do të ngrini një shtëpi për lirinë. Atëherë do mund t’i pagëzoni të lirë fëmijët tuaj me ujët e jetës. E derisa Perëndia t’ju thërresë me bajlozët dhe shenjat e veta, zgjohuni dhe armatosuni në shpirt, lutuni ju vetë dhe mësoni fëmijët tuaj të luten: ‘Zot i vërtetë, thyej skeptrin e yshtësve tanë dhe lëre të vijë te ne mbretëria jote, mbretëria e drejtësisë. Amen’”. Edhe këtë e ka shkruar Georg Büchner dhe disi po i përshtatet jo vetëm festës së krishterë të Pashkëve, por edhe dëshirës së qytetarëve për çlirim të Kosovës nga e keqja.