Zgjedhjet në Kosovë/ LDK entuziaste për rezultatin, shpall fitoren

Aktualitet Kryesore Politikë

Menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare, partitë politike në Kosovë kanë shpejtuar të shpallin fitoren ndonëse ende nuk ka nisur zyrtarisht procesi i numërimit të votave.

Shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri, në një konferencë për media tha se LDK-ja është forca e parë në këto zgjedhje.

“Nga ana e LDK-së, është e qartë se kemi një përparësi apo udhëheqje ndaj VV-së, ata janë parti e dytë. Le të jenë të bindur të gjitha ata që po thonë ndryshe se LDK-ja në këto zgjedhje del e para”, ka thënë Lutfi Haziri.

Kështu edhe partitë e tjera si PDK dhe VV bazuar në të dhënat e tyre paraprake kanë theksuar se janë fituese të zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në faqen zyrtare ka bërë me dije se në zgjedhjet parlamentare të sotme kanë dalë në votime 44.31 për qind e qytetarëve.

Gjithashtu ajo që vihet re është fakti se krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, në këto zgjedhje, ka një numër më të madh të pjesëmarrësve se në vitet e  kaluara.

Share: