Partia Demokratike do të mbledhë ditën e shtunë Kolegjin e kryetarëve në orën 18:00.
Në fokus të kësaj mbledhje pritet të jetë aksioni opozitar dhe platforma e Partisë Demokratike për krizën politike si dhe për Reformën Zgjedhore.
Mbrëmjen e së enjtes, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një takim edhe me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Takimi zgjati rreth 60 minuta dhe në fokus ka qenë çështja e reformës zgjedhore, për të cilën PD propozoi ngritjen e një strukture të posaçme, që në përbërje të ketë nga një përfaqësues të PD dhe PS.
Më herët në tryezën e thirrur nga OSBE për Reformën Zgjedhore, përfaqësuesi i PD-së Ivi Kaso kërkoi ngritjen e një strukture të posaçme ekstraparlamentare për të realizuar këtë Reformë.
PD është shprehur se Reforma Zgjedhore është prioritet për interesin kombëtar duke qenë se është edhe një nga kriteret e vendeve të BE për nisjen e negociatave për anëtarësim.