Arkivi nxjerr “sekretet”, deklasifikohen 48 mijë dosje. Hapen fondet personale të Enverit dhe Hysni Kapos

Histori

Janë rreth 48 mijë dosje dhe 600 mijë dokumente të asaj periudhe që tanimë janë të aksesueshme për cilindo. Përmes një konference për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njoftoi se ka përfunduar tërësisht procesi masiv i deklasifikimit të dokumenteve, që kanë qenë sekret deri më sot.

“Prej ditës së sotme do të mundet të aksesohen lirisht më shumë se 48 mijë dosje dhe 600 mijë dokumente nga viti 1945-1993, nga fondet e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryeministrisë, fondet personale të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos, fondet e isharkivit të Partisë, fondet e ministrive, të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës së Lartë dhe të organeve të tjera qendrore”, thotë Elsa Saka, përgjegjëse e promovimit dhe komunikimit në DPA, sipas së cilës, për këtë proces kanë punuar gjatë vitit të kaluar një staf prej 8 arkivistësh më të mirë të vendit.

arkiva

“Procedura e deklasifikimit e ndjekur me rigorozitet siguron që dokumentet, që kishin mbetur të deklasifikuara prej kohësh pa asnjë arsye reale, por vetëm sepse nuk ishte ndjekur procedura e nevojshme burokratike, do të jenë të aksesueshme për të gjithë studiuesit e vendit”, shton ajo, duke siguruar edhe njëherë studiuesit se do të gjejnë një shërbim të shpejtë e cilësor në sallën e re të studimit në AQSH.

PROCESI

Prej 48 mijë dosjeve, specialistët nxjerrin disa syresh për të kuptuar përmbajtjen që kanë këto dokumente, të cilësuara për një kohë shumë të gjatë “sekret”. Janë fjalime, shënime, dorëshkrime, vendime, që lidhen me ekonominë, financat, politikën e jashtme të Shqipërisë. Mes shumë syresh, është hapur edhe fondi personal i Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos. “Të gjitha dosjet nën shenjën ‘sekret’ janë verifikuar.

Janë hapur, është parë përmbajtja e tyre me shumë kujdes dhe pasi janë marrë në shqyrtim, është dhënë mendimi për deklasifikimin e tyre”, thotë Mimoza Vllamasi, një ndër 8 arkivistët, që ka punuar për deklasifikimin e këtyre dosjeve. Sipas saj, pasi kanë kaluar edhe në komisionin e ekspertizës së DPA-së, këto dosje nuk mbajnë më shenjën “sekret” mbi to dhe janë të shfrytëzueshme prej të interesuarve.

Sipas saj, për deklasifikimin e tyre ka punuar një grup specialistësh me përvojë të gjatë në këtë fushë. “Ishim një grup prej 8 vetash dhe brenda një viti kemi kaluar 48 mijë dosje të kësaj periudhe edhe të ish-Komitetit Qendror”, thotë ajo. Sipas specialistëve, jo gjithçka është thënë, pasi “ka elemente që janë ruajtur, sidomos ato të Ministrisë së Brendshme, që prekin privatësinë e individëve të ndryshëm”.

PËRMBAJTJA

Më shumë se për bilancet dhe vendimet ekonomike, lëvizjet e kuadrit, e të tjera veprime si këto të mbledhura në dosje, që për arsye të ndryshme quheshin sekret, studiuesit ose edhe të tjerë, janë më tepër kuriozë për fondet personale të ishudhëheqësve komunistë. “Kemi dy fonde, atë të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos. Nuk bëhet fjalë për çështje me karakter personal. Në dosjen e Enverit kemi më së shumti fjalime të tij në plenume, byro, kongrese, dorëshkrime dhe mendime të tij”, thotë specialisti Blendi Vasili, i cili na tregon ditarin e një prej njerëzve më të pushtetshëm të regjimit të shkuar, Hysni Kapo, mbajtur me shkrim dore. Ky ditar përmbledh vitet 1966-1967, 1970-1973, 1977-1979. Nga sa mund të shquanim nga një prezantim i shpejtë, ishin shënime rutinore, që nisnin që në orët e mëngjesit (mund të ishte një dietë e diel “e mrekullueshme, pranvere”), për të vijuar me takimet, bisedat e shokun Enver, përgatitje për mbledhje, etj..

Parë edhe sasinë e fjalimeve që ka mbajtur për gati 40 vjet, fondi i Enver Hoxhës është më i zgjeruar. Në të gjen fjalime me shumicë, letërkëmbime me nëna heronjsh të vrarë në luftë, artikuj gazetash, shënime mbi to, qëndrime mbi çështje të ndryshme, si mbi ngjarjen në ish-ambasadën jugosllave apo për zhvillimet e fundit në Kosovë, mendime për artin e kulturën, etj..

Edhe pse një pjesë e mirë e tyre tashmë është e njohur, pasi janë bërë publike në forma të ndryshme, mes këtij dokumentacioni mund të dalin edhe materiale me vlerë, që hedhin dritë mbi funksionimin e mekanizmit të diktaturës komuniste.

Share: