Jep dorëheqjen drejtoresha e ARRSH Sonila Qato. Sqarimi nga FB: Pozita e Vështirë, ma bën të pamundur ushtrimin e detyrës

Aktualitet Ekonomi Kryesore Politikë

Sonila Qato, e cila drejtonte prej disda muajsh Autoritetin Rrugor Shqiptar, (ARRSH) ka dhënë dorëheqjen. Lajmin e ka bere me dije vete Qato ne nje postim ne rrjetin social FB.

 

Sipas Qatos, vendimin e ka marre pasi “vetëm pak ditë më parë jam akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën unë e gjykoj plotësisht të drejtë dhe ligjore”, shkruan ajo ne reagim, duke iu referuar padise qe beri ne gjykate “Gjoka konstruksion”, kompania që po ndërton “Rrugën e Arbrit”.

“Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën. Nga njëra anë më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike dhe nga ana tjetër duhet të administroj punën e përditshme dhe projektet infrastrukturore”, shkruan Qato.

qato

REAGIMI I SONILA QATOS

Pas një periudhe të shkurtër pune, por shumë intensive, për të reformuar Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe për të krijuar një model transparence dhe profesionalizmi në këtë institucion, vetëm pak ditë më parë jam akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën unë e gjykoj plotësisht të drejtë dhe ligjore.

Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën. Nga njëra anë më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike dhe nga ana tjetër duhet të administroj punën e përditshme dhe projektet infrastrukturore (pjesë e kësaj pune është edhe kompania që akuzon).

Jam e keqardhur për gjithë këtë zhurmë dhe e lënduar nga spekulimet jashtëzakonisht të mëdha në media mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me rastin në fjalë. Por jam edhe në pamundësi normaliteti në një punë që s’ka as orar dhe as ditë pushimi, sepse kërkon angazhim ekstrem mendërisht e fizikisht.

Prandaj me mirënjohjen e sinqertë për Kryeministrin e vendit, i cili jo vetëm më besoi këtë detyrë të rëndësishme, por edhe më krijoi kushte të pavarësisë së plotë në drejtimin e institucionit, ndjeva sot detyrimin moral t’u bëj me dije dorëheqjen nga detyra që më është ngarkuar.

 

Jam e gatshme që të gjithë eksperiencën, dijen dhe integritetin tim ta vë në dispozicion të çdo detyre tjetër që mund të më kërkohet, por siç u mundova ta shpjegoj, e kam të pamundur të vazhdoj detyrën aktuale.

Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve të mi dhe vazhdim të mbarë të një pune që kemi nisur mirë së bashku!

SKANDALI ME RRUGEN E ARBRIT

“BalkanWeb” zbuloi pak dite me pare skandalin me kompaninë që po ndërton “Rrugën e Arbrit”, “Gjoka Konstruksion”. Autoriteti Rrugor Shqiptar, në cilësinë e autoritetit kontraktor, ka bërë verifikimet e nevojshme per kompanine “Gjoka Konstruksion” dhe ka zbuluar te dhenat e rreme per punet e kryera prej saj ne “Rrugen e Arbrit”. Në datën 12 shtator, ARRSH i ka kërkuar agjencisë së prokurimit publik nisjen e një procedure hetimi administrativ për kompaninë e ndërtimit “Gjoka Konstruksion”.

Konkretisht sipas raportit të ARRSH mbi verifikimin e punimeve në nënkontratën me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e “Rrugës së Arbrit” faza e parë, segmenti numër 3 Zall Bastar -dalje Ura e Vashës”, punimet e marra përsipër nga operatori “Gjoka Konstruksion” nuk kanë përfunduar sipas kontratës.

Ka zëra punimesh që janë paraqitur si të përfunduara por që në fakt janë të parealizuara dhe punimet në tunele vijojnë akoma. Inspektimi i kryer është realizuar pas një periudhe gati tre mujore nga data e kolaudimit, çka do të thotë se kompania është paguar nga thesari i shtetit për këto punime.

Por grupi i punës i ngritur nga ARRSH doli në përfundimin se asnjë nga tunelet e “Rrugës së Arbrit” nuk ka përfunduar dhe nuk plotëson parametrat dhe standardet e kërkuara.
Punimet e pakryera konsistojnë kryesisht në ndërtim drenazhi, torkretim me llaç, çimento, vendosje rrjete teli në skarpata zgarë hekuri, sistemi në ndriçim për njoftim evakuimi, sistemi i njoftimit të emergjencave në tunele, sistemi i detektimit të alarmit të zjarrit dhe ai i tokëzimit.
“Gjoka konstruksion” ka marrë me koncesion ndërtimin e “Rrugës së Arbrit” për 225 milionë euro. Kompania duhet të siguroje paratë, të ndërtojë rrugën dhe më pas shteti e paguan, por në pamundësi për të gjetur pagesat ka falsifikuar dokumentet dhe ka marrë gati 70 miliardë leke nga thesari i shtetit për punë të pa përfunduara.

Sipas ligjit, në çdo rast kur vërehen paraqitje të të dhënave të rreme është detyrim taksativ i autoritetit kontraktor të shkualifikojë operatorin që i ka paraqitur ato të dhëna dhe të nisë procedurën e përjashtimit nga pjesëmarrja në prokurimet publike.

Share: