Nga Viktor BAKILLARI: TIRANË – PARIS – TIRANË – GREVË-SKRAPAR – TIRANË (Rreth 4.000 km) UDHËPËRSHKRIM GUSHT, 2019 (Pjesa e dytë)

Kulturë

Nga Viktor Bakillari, Tiranë

 

Pjesa II

***

Në Paris, gjithçka të bën përshtypje. Habitesh me gjeninë krijuese e ndërtimtare frënge. Ne shkuam vizituam disa nga monumentet e tij.

Vizituam…

Bazilikën e Zemrës së Shenjtë të Krishtit (La basilique du Sacré-Cœur de Montmartre), ngaqë e kishim edhe jo shumë larg hotelit; e vizituam të parën. Për të hyrë në të, duhej   të kaloje një kontroll. (Parantezë: Në kuadrin e parandalimit të sulmeve terroriste, Shteti Francez ka marrë masa të rrepta që në çdo institucion publik të vizitueshëm të kryejë kontrolle të imtësishme.) Në këtë bazilikë (= kishë e privilegjuar), moria e njerëzve, vendosur në rresht për të hyrë si dhe e të tjerëve të shpërndarë kuturu e duke shkrepur aparatin fotografik a celularin të krijonin përshtypjen e një pelegrinazhi, a thua se ngjiteshe në Tomorr a në Kishën e Shna Ndout (në Laç/Shqipëri).

Pranë kësaj bazilike ngritur në kodrinën Montmartrë, një ndër pikat sunduese të Parisit, shumë e dashur për sfiduesit dhe karrieristët të tipit Rastinjak (një personazh në librin “Xha Gorio” të shkrimtarit Dë Balzak) të cilët duan të frymëzohen e të sundojnë mbi Paris, disa dhjetëra metra më poshtë, kishte edhe disa gardhe hekuri të mbushur plot me “kyçe dashnie”. Ne kemi parë disa ura hekuri të tilla që rëndohen nga mijëra “kyçe dashurie”, por kyçet këtu, në këtë vend të shenjtë, merrnin një kuptim tjetër simboloko-besimtar (fetar).

Në njërin prej tyre, në një cep, shoh një djalë me një copë sharrë të hollë hekuri në dorë që orvatej të priste verigën e kyçit.
Qu’est-ce que tu fais ainsi (Çfarë po bën kështu)? e pyes.

Ça y est,  Tout est fichu, y a plus d’espoir!  (Iku, mbaroi, shkoi e vate, e pat dhe kjo punë, s’ka më shpresë!) – ma pret ndrojtshëm…

Ç’është ajo fjalë…më duket se po ngutesh – i them. Po shiko se mos po pret të gabuarin – vazhdoj unë duke buzëqeshur.

Ah, jo, jo – u përgjigj duke nënqeshur dhe gërr e gërr me sharrëzën…

Po, dale, dale, mos u ngut, djalosh – vazhdoj unë. Këtu je në vend të shenjtë. Mendoje edhe një herë! Meqë ke ardhur këtu, Zemra e Shenjtë do të të ndihmojë, provo edhe një herë pajtimin…

A thua vërtet?

Po, po, mos u ngut. Mos u dorëzo kaq shpejt…

U bind vërtet, duke thënë së do të përpiqej edhe një herë tjetër për pajtim…U çua, futi sharrën në xhep dhe iku…

Bazilika “Zemra e Shenjtë të Krishtit” (La basilique du Sacré-Cœur de Montmartre)

dhe gardhi me kyçe dashurie i saj (Foto V.B.)

 

***

Çmime stratosferike

 

Një ditë shkuam në Galerinë Lafajet (em. fr. Galeries Lafayette), e cila gjendet në bulevardin e famshëm “Haussmann”, bulevard ky rreth 2.5 km i gjatë). Kjo galeri gjigante ofron mallra / artikuj të ndryshëm luksozë, çka do të thotë me çmime tepër të kripura, si p.sh., një orë deri në 80.000 euro, një parfum mbi 2500 euro, një pulovër mbi 700 euro, një xhaketë mbi 1800 euro… Ndryshe nga pika të tjera shitjeje, këtu te kjo shitore e rrallë, nëse vendosje të blije diçka, radha të vinte si me magji, shumë shpejt për ta blerë. Brenda saj binin në sy e bubërronin aziatikë (kinezë, japonezë, koreano-jugorë). Madje, në katin përdhes, edhe sqaruesi për pyetje të ndryshme ishte një japonez poliglot me uniformë. Pasi vizituam këtë galeri, sapo dolëm ia dha një shi me gjyma. Shiu po si shiu, jo ndonjë ndryshim nga ai i rrëmbyeshmi i Tiranës, nga ai që bie me rropamë. Çdo strehë(z) ishte e mbushur plot me njerëz. S’kishim se ç’të bënim përveçse të hynim në ndonjë bar-kafene mbanë bulevardit. Kamerierët, dalë pranë derës së lokaleve, u luteshin këmbësorëve, disa si pulë e lagur, të hynin brenda. Për t’i shpëtuar “dushit skocez” të atij shiu që hardallosej mbi tendat dhe xhamat e lokaleve, e përplasej me gjithë fuqinë mbi asfalt, apo që tamburiste monotonshëm mbi çatitë e makinave a mbi pelerinat e njerëzve, u detyruam, hymë në një kafene. Vetëkuptohet, për të justifikuar vendin, morëm diçka të vogël. Unë një birrë të hapur në një gotë të vogël 250 ml (çmimi 4,90 €, im bir një lëng portokalli 5,80 €). Pas pak, pushoi shiu dhe koha u hap. Paguam (pa harruar bakshishin!) dhe dolëm duke vazhduar shëtitjen përgjatë bulevardit dhe nën qiellin tashmë të qashtër parisian…

 

Galeria Lafajet (Foto V.B.)

***

Një kuzhinier srilankas në mes të Parisit që flet shqip

 

Disa nga drekat dhe / ose darkat i hëngrëm në Lagjen Latine (Quartier Latin).

Një darkë qëlloi të uleshim në një restorant grek “La maison de Gyros”.

Pasi porositëm, na afrohet një burrë që shërbente. Mori vesh që ishim të huaj dhe na pyeti nga vinim.

Albané (Albanais) – i them.

Ah! – shprehu njëfarë ngazëllimi duke bërë simbolin e shqiponjës mbi gjoks. Shkiptar-shkiptar – tha. Nga? Malok Kopliku? Shkodre? Nga?

(Fjalët i shqiptonte relativisht mirë…) Jo, ia kthej, malok Skrapari… – Qeshëm… Po ti nga je? e pyeta shqip.

Unë… Sri Lanka, Sri Lanka. Quhem Judé. (Biseda me cejlonezin (srilankezin) shqip).

Judé po si e ke mësuar shqipen? e pyes.

(Qeshi) Tek ne, ktu, punoj një shkiptar, malok Kopliku, H… Hasa quhet. Është malok,  është nga Kopliku, nga Shkodra, po është shkuar me pushim në shtëpia, në Koplik. Punojmë bashk’ mbi 15 vjet këtu. Është martuar, ka tre fëmijë. Njeri i mirë – dhe, një e dy, i fuste ndonjë kryqëzim pëllëmbësh duke bërë simbolin e shqiponjës… I dhashë një copë letër të më shkruante emrin e bashkatdhetarit tonë… E zhgarraviti nja dy-tri herë po nuk mundi. Atëherë thirri një punonjëse tjetër (turkeshë) dhe ajo shkroi saktë emrin dhe mbiemrin e shqiptarit i cili i kishte mësuar Judes nga Sri Lanka një shqipe relativisht të kuptueshme. Me të vetëm shkip flas – na tha. Kuptoj mirë. Sa herë mërzitet, shan. I di të gjitha sharjet tuaja…Kthehet pas nja 10 ditësh

“La Maison de gyros” (Shtëpia e gjiros (sanduiçit grek)) në “Lagjen Latine”
(Foto V.B.)

 

***

“Paris, do të pi gjithnjë nga uji yt!”

 

Parisi, ky qytet gjigant ka zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme disa nga problemet me të cilat ndeshen turistët. Ka të zgjidhur në mënyrë të përsosur lëvizshmërinë e njerëzve, zhvendosjen e njerëzve me metro, autobusë, taksi. Ka të zgjidhur problemin e banjave (tualeteve publike); ka me qindra e qindra “kabina lirimi” ku tabelat të udhëzojnë: Toilettes 50 m; 100 m.

Ka të zgjidhur problemin e ujit të pijshëm. Kudo nëpër Paris gjen çezma me “EAU POTABLE (O Potablë) (Ujë të pijshëm). Përballë Bashkisë së Parisit (Hôtel de Ville) ndodhet një çezmë me disa lëfyte  ku, në shtyllën prej nga dalin lëfytet është shkruar: “Paris, je boirai toujours de ton eau! (Paris, do të pi gjithnjë nga uji yt!). Përfytyroni me qindra e mijëra turistë, dhe vendas gra, burra, fëmijë e pleq… të gjithë në verën e nxehtë parisianë kudo ku ka çezma i gjen duke mbushur a pirë ujë.

Paris, do të pi gjithnjë nga uji yt (Foto V.B.) / Bashkia Paris (Foto V.B.)

***

Libra, libra, kudo libra

 

Në Perëndim, sidomos në Paris, konstatova se ende nuk e kanë “tradhtuar” librin me celularin… Në aeroport, nëpër metro, stacione hekurudhore, sheshe, parqe, lulishte, buzë lumit Senë, bulevardit Shën Mishel (Boulevard Saint-Michel) kudo njerëz duke lexuar libra. Libraritë disakatëshe mbushur plotë me blerës. Bukinistët  në të dyja anët e Senës dhe në vende të tjera shesin lloj-lloj librash me çmime të arsyeshme. Sigurisht, shumë kohë e kaluam duke kërkuar e duke parë libra e fjalorë interesantë. Blemë ç’na pëlqeu e ç’do të na hyjë në punë për më vonë…

 

***

Shën Mria e Parisit

 

Afrohemi pranë njërit prej simboleve të Parisit /Francës e të Krishterimit: Katedrales Shën Mria e Parisit (Notre Dame de Paris) djegur para pak kohësh. Ishte rrethuar e gjitha dhe vazhdonin punimet për ringritjen e saj njashtu ashtu siç ka qenë. Frëngu do t’ua rindërtojë Kauzimodos dhe Esmeraldës njashtu siç e kanë pasur. Do të jetë veç çështje kohe. Rreth e rrotull saj ka shitore me kujtime nga Parisi (dyqane suveniresh).

 


Shën Mria e Parisit (Notre Dame) (Foto V.B.)

 

***

Qendra Zhorxh Pompidu

 

Qendra Zhorzh (Gjergj) Pompidu (Centre Georges Pompidou) ndërtuar vetëm me qelq e hekur, qendra kombëtare e artit dhe e kulturës), e cila përbën muzeun kombëtar të artit modern, është një referencë botërore për koleksionistët e artit të shek. 20 dhe 21. Çmimi për të vizituar këtë vepër madhështore arkitekturore të shek 20 është 14 €. Në këmbë të këtij muzeu ndodhet Ateljeje Brenkushi (Atelier Brancusi) e cila mund të vizitohet lirshëm (pa paguar).

Pranë Qendrës, në një cep ndodhet “plaku i pëllumbave”. Me  këtë emër e kam pagëzuar. Është një plak gungaç (ndoshta i braktisur, ndoshta fillikat që për pasuri e dashuri ka pëllumbat. E mbaj mend mirë qysh në vitin 2003. Kishte rënë shumë që kur e kisha parë për herë te fundit (në vitin 2013). Eurot që i japin i përdor për të ushqyer disa qindra pëllumba. U turret njerëzve që ia trembin pëllumbat me fjalët më fyese. Çantat që ka pranë i ka të mbushura me ushqim për ta (pëllumbat).

Qendra Zhorzh Pompidu (Centre Georges Pompidou) (Foto V.B.)

 

“Plaku i pëllumbave” pranë qendrës G. Pumpidu. (Foto V.B.)

 

***

Harku i Triumfit

Ëndrra e çdo vizitori, kur shkon në Paris është që të vizitojë edhe dy nga simbolet e Francës: Harkun e Triumfit (Arc de Triomphe) dhe Pirgun (Kullën) Eifel (Tour Eiffel). Sigurisht, nuk mund t’ia hiqja këtë kënaqësi tim biri…

Harku i Triumfit (50 m i lartë), më i madhi në botë, u ndërtua në vitin 1806 për të përuruar fitoren e Napoleonit  në Austerlic. Nga tarraca e tij çdo vizitor mund të sodisë një pamje të mrekullueshme 360-gradëshe të Parisit. Poshtë këtij harku ndodhet varri i Ushtarit të Panjohur nga i cili mbrëmjeve del flaka e kujtimit të pashlyeshëm për të. Për të vizituar këtë vepër madhështore, duhet prerë biletë e cila kushton 12 €… pasi të presësh një kohë të gjatë në radhë.

 

 

Harku i Triumfit dhe pamje të marra nga ky hark (Foto V.B.)

 

 

Pirgu (Kulla) Eifel

(Një Shqiptar shiste biletat në njërin prej sporteleve)

 

Kryesimboli i Francës është, padyshim Pirgu (Kulla) Eifel, e cila renditet pamëdyshje në një nga mrekullitë inxhinierike të epokës moderne.

Kjo kullë është ngritur në Champ-de-Mars (Fushën-e-Marsit). Kulla ka marrë emrin për nder të ndërtuesit të saj ing. frëng me paraardhës gjermanë Gustav Eifel (1832 – 1923). Pirgu ka një lartësi prej 324 m mbi niv. e detit (rreth 310 m gjer te platforma ku rrinë vizitorët). Qysh nga viti 1889, kur u përurua, ky pirg s’resht së prituri vizitorë. Këtë verë, dy nga vizitorët e saj ishim dhe unë me tim bir. Sot kjo kullë, është e rrethuar (për shkaqe të vetëkuptueshme sigurie) dhe, për të qëndruar poshtë saj, duhet të kalosh nëpër një pikë kontrolli (masat e sigurisë që ka marrë Franca janë shumë të mëdha). Ishte pasdite, ditë e enjte, gusht 2019. Nëpërmjet një tabele elektronike lexuam se që të na vinte radha për të prerë bileta për t’u ngjitur në majë (sommet) duhej të prisnim rreth 1.30’. Ç’të bënim?

Duke pasur parasysh se kështu ishte përditë, edhe pse ishim të lodhur nga lëvizja gjithë ditën (sidomos në këmbë) vendosëm të mbanim radhën. Para nesh me qindra e qindra. Për sytë e atyre që na shikonin nga maja, ne dukeshim si milingona. Radhët nuk kishin fund: Radhë për të hyrë brenda mjedisit të rrethuar të kullës, radhë shumë e gjatë për të prerë biletat, radhë e gjatë për t’u ngjitur me ashensor në katin e dytë, radhë për në katin e tretë (në majë). I njëjti veprim edhe për të zbritur…

Ishim futur në radhë për bileta. Përpara nesh qindra të tjerë. Pas rreth një orë e gjysmë afrohemi te sportelisti. Dy bileta për në majë, i themi. Nga brenda na vjen përshëndetja dhe përgjigjja në shqipe nga një djalosh… Ju dëgjova tek komunikuat, por e kuptova, që ishit shqipe, që kur ju pashë në radhë atje matanë – na tha… Nuk e pyetëm, por nga theksi mund të them se ishte nga Kosova…U ndamë duke na uruar vizitë të këndshme…

Dhe përsëri radhë… dhe përsëri kontroll për ne dhe çantat në skaner… dhe më në fund, pas rreth dy orësh hipim në ashensor… Në katin e parë të kullës (është restorant) nuk zbriti asnjë. Teksa po ngjiteshim në të dytin, i them tim biri, do të vazhdojmë për në majë?

Jo, ma ktheu. Shohim katin e dytë, pastaj ngjitemi.

Mbërrijmë te kati i dytë; zbresin të gjithë.

I biem rreth e rrotull duke shkrepur qindra herë celularët… Pastaj vendosëm të ngjiteshim lart, në majë. Dhe, përsëri radhë…Para nesh një çift aziatikësh. Kontrollori i biletave e kthehu çiftin… I tha, se gjer në katin e dytë kishin të drejtë, më sipër jo, sepse nuk kishin prerë biletën për në majë.

Çmimi i biletave për t’u ngjitur në Kullën Eifel ishte: 16,30 € për në katin e dytë me katengjitës-zbritës (ashensor); 10,20 € për t’u ngjitur në këmbë nëpërmjet 674 shkallareve (nga 1665 që ka gjithsej gjer në majë, por që nga kati i dytë në të tretë nuk lejohen për vizitorët) dhe 25,50 €, si puna jonë për t’u ngjitur në majë.

Ora 12.00 (e natës) na gjeti në majë. Bash atëherë krejt kulla shndriti duke u përshkuar nga një ndriçim farfuritës, vezullues i fuqishëm. Pamje mahnitëse…çifte të reja putheshin e ndukeshin lirshëm në majë. Shkrepje pafund celularësh dhe aparatesh fotografikë. Parisi natën dukej magjepsës dhe i pafund. Një ngjarje e bukur, një mbrëmje e paharrueshme…

Presim sërish në radhë për zbritje. Mbërrijmë në katin e dytë. Sërish ndalojmë e sillemi 2-3 herë vërdallë.

Në kullën Eifel janë shënuar edhe largësia e saj nga kryeqytete e botës. Gjejmë edhe Tiranën: 1610 km.

 

Kulla Eifel (Foto V.B.)

 

Tomas Edison, Gustav Eifel dhe Kler Eifel (e bija e Gustavit në Kullën Eifel) (Foto V.B.)

 

Sinagogë në Paris (Foto V.B.)

***

Në vendet publike në Paris, nëpër objekte kulti, sheshe, metro, tregje të mëdhenj, shitore (të mesme e të mëdha) për shkaqe sigurie dhe për t’ia ruajtur e siguruar jetën qytetarëve, Shteti Francez ka shtuar masat e sigurisë duke vendosur organe patrulluese dhe roje rendi të pajisur me uniformë e me armë zjarri (automatike).

Shumë dyqane që nga ushqimore, vesh-mbathje e gjer në librari kishin punësuar roje me detektorë. Binin në sy që këtë lloj pune e kryenin zezakë. Në çdo dyqan të qendrës parisiane, nëse do të futeshe për të blerë a parë, duhej të hiqje çantën nga shpina për një kontroll rutinë.

Hymë (pas kontrollit të çantës) në një dyqan me artikuj sportivë. Kishte këpucë dhe fanella shumë të bukura. Çmimi, i kripur për xhepin tonë, nisnin nga 120 Euro. Pas nesh hyn edhe një nënë e cila kishte për dore djalin 4-5 vjeç dhe një karrocë, brenda së cilës ishte një çupëlinë, po themi rreth 2 vjeçe. Im bir po shikonte mallrat sportivë, unë u ula…Nëna ia la të birit karrocën dhe po shikonte shpengueshëm për këpucë. Çupa nisi të qante. Nëna as që po e prishte terezinë. Djali po mundohej ta qetësonte, por të qarat e saj u kthyen në të çjerra grricëse të padurueshme. Të gjithë e shikonin, po asnjë fjalë…Punonjësi aty pranë vendit ku ishte lënë karroca (një zezak i shkathët) thirri një koleg dhe rrufe u shkëput nga vendi i punës dhe, veç kur e shikoj të me një qeskë bonbone. Rrotulloi qeskën në ajër si prestidigjitator para çupës. Ajo prajti së qari nisi të qeshte dhe ndeu doçkat. Zezaku-shitës hapi qeskën dhe i dha dy bonbone asaj dhe të vëllait. Çupa i hëngri dhe fshiu lotët me kurrizin e dorës duke iu gëzuar kokrrizave ëmbëlake.

Pas pak vjen e ëma me një palë këpucë Nike, falënderon punonjësin zezak, ble dhe duke shtyrë karrocën, largohet…

Parisi, siç thamë nuk mund të zbulohet për një javë. Ne lamë shumë pa parë (me shpresë se do të kthehemi sërish). Nuk mund të hynim dot (kësaj radhe) në Luvër për shkak të radhëve kilometrike (mund të resësh 1-2 orë, por jo një paradite), nuk pamë dot Disnayland-in (rreth 30 km larg), nuk pamë dot për çështje kohe as Versajën, as…, as…shumë qendra të tjera që duhen parë… Ndoshta një herë tjetër…

Erdhi dita e kthimit…

Largoheshim nga i përjetshmi dhe rrezatuesi Paris me përshtypjet më të mira duke na u ngulitur në mendje bukuria arkitekturore e çdo ndërtese, kafenetë e pafundme, udhët e gjera, sheshet gjigante, kopshtet e bukura luleshumë, monumentet e pafundme, njerëzit që vraponin, djathërat dhe verërat e pafundme. Fjala Paris në shqipe fsheh fjalët “ parë, i parë, parajsë”…Kush e ka vizituar ose kush e viziton, do të bindet se ky trinom ka diçka të vërtetë.

Me këto në mendje marrim udhën e kthimit… Dhe ky kthim Paris – Vjenë – Tiranë shkoi për bukuri.
Mirë u pafshim Paris!

Panteoni dhe Fakulteti i Drejtësisë (Foto V.B.)

 

Semafor pranë Panteonit

 

 

69947440_888906091472215_6574829463924637696_n.jpg (480×640)

 

Kulla Monparnas (Foto V.B.)

 

Muzeu i Luvrit, Paris, gusht, 2019 (Foto V.B.)

 

Mulliri i Kuq (Moulin Rouge) (Foto V.B.)

Kisha e Marie Magdalenës (Foto V.B.)

 

 

Lumi Senë / Paris (Foto V.B.)

 

Pasi u ulëm në Tiranë, marrim një taksi dhe rreth orës 2 mbërrijmë në shtëpi të lodhur, por të kënaqur e të lumtur. Kishim kryer rreth 3500 km udhë ajrore e tokësore.

 

***

(vijon me pjesën e tretë)

Share: