Familjarët nuk do lejohen më që të shoqërojnë pacientin brenda ambienteve të urgjencës. Për shkak të kaosit dhe problematikave të shfaqura gjatë kohëve të fundit nga hyrjet e paautorizuara në shërbimet e urgjencës, çka e ka bërë edhe më të vështirë punën e bluzave të bardha, dikasteri i shëndetësisë ka vendosur që të mos lejojë me hyrjen e familjarëve në këto shërbime.
Përjashtim në këto raste do të përbëjnë vetëm rastet kur mjeku udhëzon hyrjen e familjarëve. Vizitat do të lejohen vetëm nëpër pavijone, por sipas orarit të përcaktuar.
Urdhri
Urdhri i prerë për vendosjen e regjimit të ri nëpër urgjencat e spitaleve është komunikuar gjatë ditës së djeshme nga vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, teksa ishte e pranishme në inaugurimin e urgjencës së re tek Shërbimi Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ndalimi i familjarëve në këto ambiente do të shmangë mbingarkesën, teksa siguron edhe mbështetjen e duhur për personelin shëndetësor në kryerjen e punës. “Në pavijone ka orare vizitash. Çka do të thotë se familjarët do të lejohen të hyjnë në shërbimet përkatëse vetëm në oraret e vizitave. Ndërsa në urgjenca nuk do të lejohen më familjarë, vetëm në rastet kur e kërkon mjeku këtë gjë”, ka deklaruar ministrja Manastirliu.
Rregullat për vizitorët në pavijone
Vizitorët që paraqiten nëpër spitale për të vizituar të afërmit e tyre që po trajtohen në shërbimet përkatëse, duhet të respektojnë një sërë rregullash, të cilat gjenden të detajuara në vijim.
Drejtuesit kërkojnë që të ani duart në momentin e hyrjes dhe të largimit nga dhoma, me solucionin dezinfektues për duar.
Evitoni prekjen e materialeve mjekësore që janë pranë pacientit, si dhe evitoni uljen në krevatin e pacientit apo vendosjen e objekteve të ndryshme, të cilat paraqesin rrezik në transportimin e mikrobeve.
Respektoni orarin e vizitave nëpër pavijone nga e hëna në të premte 17.00– 19.00, me qëllim sigurimin e qetësisë së pacientit. Ndërsa të shtunën dhe të dielën vizitat do kryhen në dy orare, 10:00-12:00, si dhe 17:00-19:00.
Nëse në momentin e vizitave po rregullohet dhoma, ju lutemi bëni durim të prisni në hollin pritës.
Nuk lejohet prania e më shumë se 2 vizitorëve në dhomë, si dhe nëse vizitori i cili është me gjendje virale, i ndalohet hyrja.
Nuk lejohet prania e fëmijëve nën moshën 15 vjeç, pasi mund të jenë në rrezik për fëmijët.
Ndalohet prania e dhuratave si lodra pellushë apo lule natyrale, për pacientët, pasi janë përçues të mikrobeve.
Vizitat tepër të gjata dhe të shpeshta mund të jenë të lodhshme për pacientin.
Qëndrimi i disa vizitorëve për një kohë më të gjatë lejohet vetëm kur pajiset me fletëhyrje nga Kryeinfermierja.
Nuk lejohen ushqime në shërbim apo dhomë, pasi këto sigurohen nga Kuzhina e QSUT.
Nuk lejohen çarçafë apo batanije, pasi këto i siguron lavanderia e QSUT.