Ky Shën Valentin ka ardhur ndryshe në Tiranë. Qindra çifte të reja dhe qytetarë iu drejtuan Parkut të Liqenit, ku krahas shëtitjeve në ajër të pastër, patën mundësi të shijojnë dekorin festiv dhe një koncert live me muzikë të zgjedhur.
Ashtu si edhe çdo vit tjetër, Bashkia e Tiranës kishte menduar që të sillte diçka të veçantë për ditën e të dashuruarve.
Në Parkun e Liqenit u përurua “Moli i Dashurisë”, i cili rikthen pas shumë vitesh shëtitjet me varka në liqen.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se investimet e kryera e kanë kthyer Parkun e Liqenit Artificial në destinacionin më të parapëlqyer për qytetarët e Tiranës, jo vetëm për të kaluar kohën e lirë, por edhe për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive.
“Në ditën e Dashurisë po krijojmë këtë mikrohapësirë, Molin e Liqenit, për të gjithë ata që duan të bëjnë një shëtitje me varkë, që duan të merren me sport, me kanoe, për ata që duan të bëjnë minigara. Ky tani është një mjedis fantastik. Liqeni i Tiranës është populluar më shumë se kurrë, por edhe pasuruar me aktivitete më shumë se kurrë”, tha Veliaj.
Teksa e cilësoi një ditë fantastike, ai nënvizoi se ky është edhe një moment reflektimi. Veliaj tha se sot Tirana ka më shumë nevojë për dashuri se sa për urrejtje, e më shumë nevojë për punë se sa për dhunë.
“Është ndoshta një moment për të reflektuar se sa shumë ka nevojë Tirana dhe Shqipëria për dashuri. Ndonjëherë kemi shumë mllef, shumë maraz, flasim keq për njëri-tjetrin, por ndonjëherë ndoshta duhet të ndryshojmë, duhet me i thënë njëri-tjetrit “Bravo të qoftë, jam shumë krenar për ty”, t’i rrahim shpatullat njëri-tjetrit, me thënë të dua shumë. Sot Tirana ka më shumë nevojë për dashuri se sa për urrejtje, më shumë për punë se sa për dhunë, edhe më shumë për të qenë afër me njëri-tjetrin”, deklaroi ai.
Veliaj shtoi se në këtë mision mund të ndihmojë edhe çdo biznes, duke kontribuar për të patur një qytet dhe gjeneratë më të mirë.
