Java e ardhshme është kufiri maksimal që ministria e Mjedisit dhe e Rendit ka vendosur për zbatimin e ligjit për të çliruar nga zaptimi plazhet publike.
Në një takim nga Vlora, ministri Lleshaj paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë tolerim për këdo që nuk zbaton ligjin. Ai theksoi se do të ketë edhe largime nga puna për ata drejtues policie që nxjerrin justifikime për moszbatimin e ligjit.
“ Java që vjen është afati i fundit për këtë qëllim. Nëse ne nuk do të arrijmë që brenda javës që vjen, të jetë rivendosur gjendja, do të ketë dy mundësi: ose do të ketë përgjegjësi penale, për shpërdorim detyre dhe korrupsion për personat, që nuk kanë ushtruar përgjegjësinë e tyre dhe, nëse kjo nuk ndodh, do të keni një drejtor policie mangut këtu. Pra, duhet të gjejmë një drejtor tjetër të policisë. Qoftë në qendër këtu në Vlorë, qoftë në Drejtorinë e Krimit Ekonomik. Nuk ka asnjë mundësi tjetër. Është turpëruese dhe e papranueshme gjendja.
As edhe një i vetëm dhe të gjitha historitë, alibitë jo s’ka lidhur kontratën, jo s’ka këtë, jo s’ka paguar taksat vjet, prandaj nuk i lidhim kontratë sivjet dhe absurditete të papranueshme nga logjika elementare, duhet të marrin fund.”
Në bazë të udhëzimit, kryetari i bashkisë me përfaqësues të pushtetit lokal do të shkojnë në çdo subjekt me kontratën e gatshme dhe t’i kërkojnë vendosjen e firmës në çast ose në të kundër të vendoset një shirit për ta bllokuar.