Unifikimi i ambasadave Shqipëri-Kosovë/ Rusia reagon ashpër: Lëvizje të tilla janë shkatërruese

Aktualitet Politikë

Rusia shpreh shqetësim pas marrëveshjes së nënshkruar pak ditë më parë midis ministrit në Detyrës të Jashtëm, Gent Cakaj dhe kryediplomatit të Kosovës, Behgjet Pacolli për hapje të ambasadave të përbashkëta.

Ministria e Jashtme ruse thotë se është e shqetësuar për unifikimin e misioneve diplomatike në vendet e treta.

“Hapat provokues nga Tirana dhe Prishtina, të cilat janë në përputhje me konceptin e Shqipërisë së Madhe, shkaktojnë shqetësim serioz,” thuhet në deklaratë, cituar nga agjencia ruse “Tass”

“Ne dëshirojmë të theksojmë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian preferojnë të mos reagojnë ndaj lëvizjeve të tilla shkatërruese, duke inkurajuar në të vërtetë ndjenjën e Shqipërisë së Madhe që është e dëmshme për rajonin”, shtoi Ministria e Jashtme e Rusisë.

Ministri në Detyrë Cakaj tha se Marrëveshja bazohej në katër shtylla kryesore: politike, diplomatike, aftësitë profesionale të stafit dhe diplomacia kulturore.

Mes të tjerash, nga pikëpamja politike, sqarohet se Republika e Shqipërisë merr detyrime konkrete në prezantim, mbrojtje dhe afirmim të qëndrimeve politike të Republikës së Kosovës në të gjitha rastet ku pjesëmarrja e kësaj të fundit është e pamundur për shkaqe objektive. Për më shumë, Shqipëria do të ndërmarrë një fushatë të veçantë në funksion të forcimit të shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Nga pikëpamja diplomatike, marrëveshja inicion ngritjen e “Fondit të Përbashkët për Menaxhimin, Ngritjen dhe Zhvillimin e Ambasadave, Misioneve dhe Konsullatave” me qëllim krijimin e hapësirave për përdorim të përbashkët nga dy vendet.

Share: