Qeveria miraton listën e barnave të rimbursueshme nga FSDKSH

Aktualitet Kryesore Sociale

Ditën e djeshme ka hyrë në fuqi vendimi për miratimin e listës së barnave që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe të masës së mbulimit të çmimit të tyre. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot listën e plotë të këtyre barnave që tregtohen në farmacitë e spitaleve. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 37, të ligjit nr. 105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, dhe të pikave 2, shkronja “b”, e 6, të nenit 10, të ligjit nr. 10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e listës I të barnave të rimbursueshme, që tregtohen në farmacitë e spitaleve, si dhe miratimin e listës II të barnave, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”,-theksohet në vendim. Në këtë të fundit është miratuar edhe masa e mbulimit të çmimeve të barnave të rimbursueshme, të renditur sipas klasifikimit ATC, në masën 50% – 100%, sipas grupeve terapeutike dhe barnave; janë miratuar marzhet e tregtimit për barnat e listës së rimbursueshme, përkatësisht në masën 8% e 24%, për tregtimin me shumicë dhe tregtimin me pakicë si dhe është bërë miratimi i marzheve të diferencuara të tregtimit me shumicë dhe me pakicë të disa barnave të listave I dhe II. “Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të përcaktojë kufizimet në përdorimin, sasinë dhe kohëzgjatjen e trajtimit me barnat e kësaj liste. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të lidhë marrëveshje për reduktimin e çmimit të përcaktuar në këtë vendim me mbajtësit e autorizimit për tregtim, me miratimin e Këshillit Administrativ”,-thuhet në vendim.

 

Ulja e çmimit

Nëse gjatë periudhës kur ky vendim është në fuqi ulen çmimet për barnat e paregjistruara të listës ose barnat alternativë e vetme, që tregtohen në farmacitë e spitalit dhe farmacitë e rrjetit të hapur, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me njoftimin e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, reflekton uljen e çmimit të barit në listë. Pulla e kontrollit të barit do të lëshohet pas miratimit të çmimit nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor./GSH

 

Share: